Ina Jano
“Besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe se shumica e shqiptarëve ende besojnë në moralin dhe me idenë për të çuar vendin përpara”
Deputeti demokrat shpalli dje kandidimin e tij për të drejtuar selinë blu
Të enjten pritet të mblidhet kryesia e Partisë Demokratike, e cila do të bëjë një vlerësim të kandidaturave të paraqitura deri nesër për të garuar në zgjedhjet për kryetarin e kësaj force politike. Dhe vetëm dy ditë përpara mbledhjes, deputeti demokrat dhe aktualisht ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, me anë të një konference për shtyp ka bërë më dije për të gjithë opinionin publik se ai do të jetë kandidat për të drejtuar këtë forcë politike gjatë viteve të ardhshme dhe ku dy pas dy vjetësh është beteja e parë elektorale që e pret atë. Olldashi u shpreh gjatë konferencës se ai e ka marrë këtë vendim vetëm pasi u takua të hënën në Kryeministri me zotin Berisha. Ai nënvizoi se hyn në garë me dëshirë dhe se synimi i tij i vetëm është rindërtimi i themeleve morale për ta bërë Partinë Demokratike që të kalojë si shumicë në Parlament. “Pas shumë e shumë takimesh me përfaqësues të institucioneve bazike të Partisë Demokratike dhe pas një takimi që kam zhvilluar dje me kryetarin Sali Berisha, i jam drejtuar sot kryesisë së partisë me kërkesën për regjistrimin e kandidaturës për garën e shpallur për funksionin e kryetarit të Partisë Demokratike, parti ku unë militoj prej 23 vjetësh. Hyj në garë me dëshirën për të përfaqësuar militantët e partisë, anëtarët e Partisë Demokratike, por edhe ata që janë pjesë e opozitës që kjo parti ka zhvilluar në vitet ‘97-2005 dhe pjesë e arritjeve madhore të qeverisë së kësaj partie në vitet 2005 e deri më sot. Hyra në garë me vendosmërinë për të fituar përgjegjësinë e përfaqësimit të 100 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe me synimin për të rindërtuar themelet morale mbi të cilat bashkë me ta do të ngre opozitën sot për t’u rikthyer shumicë nesër, sepse besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe se shumica e shqiptarëve ende besojnë në moralin dhe me idenë për të çuar vendin përpara”, – u shpreh dje në konferencën për mediat zoti Olldashi. Ai nuk komentoi fare kandidaturat e tjera, ku deri më tani është ajo e ish-numrit dy të Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj. PD pret të zgjedhë kryetarin e ri pas dorëheqjes nga ky post të Sali Berishës, si pasojë e humbjeve në zgjedhjet e 23 qershorit.
Të tjerët
Ndërsa duke marrë parasysh pozicionin e Eduard Selamit, ai ende nuk ka deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës apo jo. Por nëse do të bënim një analogji mes takimit të Berishës e Olldashit dhe deklarimin e kandidaturës nga ky i fundit, atëherë ndoshta mund të thuhet se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ish-themeluesin e PD-së. Kjo, pasi Selami ka qenë ndër të paktët vetë që janë takuar me liderin demokrat Berisha. Edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, nuk ka deklaruar ende asgjë publikisht, megjithëse duhet thënë se vetëm dita e sotme dhe e nesërmja janë afatet e fundit për t’u regjistruar dhe për t’u bërë pjesë e garës. Nga burime të gazetës brenda selisë blu, mësohet se nuk ka ende një datë të fiksuar për procedurat e tjera që do të ndiqen, megjithatë udhëzime janë dhënë për të 12 qarqet e vendit për të përgatitur listat e anëtarësisë, pjesë kjo që nuk do të ketë shumë vështirësi, pasi regjistrat janë dixhitalë. Ndërsa bëhet e ditur se do të jetë kryesia e ditës së nesërme ajo që do të vendosë se si do të procedohet më tej me kandidatët dhe ku do ta paraqesin platformat për drejtimin e partisë më të madhe në opozitë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, duket se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve, megjithëse deri më tani ai ka preferuar që edhe në daljet e tij publike të mos flasë për këtë çështje. Ai pritet që të votohet nga 100 mijë anëtarët e selisë blu, ndërsa tashmë afati ka përfunduar për të gjithë demokratët që do të donin të votonin. Afatet e anëtarësimit kanë përfunduar, të hënën në orën 20:00, në gjithë territorin e vendit.
Profil Sokol Olldashi
Olldashi, prej vitit 2001 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe vijon të mbajë një post të tillë, duke qenë se edhe në zgjedhjet e 23 qershorit ai e fitoi përsëri një mandat të tillë. Aktualisht zoti Olldashi që prej vitit 2007 ministër i Punëve Publike dhe Transportit. Ai ka qenë i angazhuar në PD që më herët se viti 2001, dhe ka qenë edhe kryetar i Forumit Rinor Demokrat, periudhë gjatë së cilës ka pasur rritje të dukshme të anëtarësimeve, ndërsa për 4 vjet ka qenë edhe kryetar i selisë blu për Tiranën. Gjatë këtyre viteve në krye të këtij dikasteri, ai ka përballuar me sukses objektivin e qeverisë për infrastrukturën e vendit, duke kapur vetëm gjatë këtij mandati shifrën prej 10 mijë kilometrash rrugë të ndërtuara, një premtim i mbajtur ky nga kabineti “Berisha”. Profili i tij publik mund të thuhet se është i një niveli të lartë, ku shpesh edhe nga ekzekutivi është zgjedhur për të përballuar debate me opozitën, dhe nuk vihet në dyshim që është një prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit. Aftësia komunikuese e Olldashit është një tjetër aftësi e tij, pasojë që vjen edhe nga puna e tij disavjeçare në media.
Takimi
McCormack, Berishës: Numërimi i shpejtë dhe rritja e qendrave të votimit, sukses i zgjedhjeve
Misioni i ODBE/ODIHR-it përfundoi punën e tij dhe me këtë rast shefja e Conny McCormack zhvilloi një takim ditën e djeshme me Kryeministrin Berisha. Duke e falënderuar për të gjithë mikpritjen dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve shqiptare për të ndihmuar misionin në punë e tij, ajo i shprehu shefit të qeverisë se rritja e numrit të qendrave të votimit duke sjellë kështu edhe uljen e numrit të votuesve, bënë që të mos krijoheshin radhë në çdo qendër. Po ashtu McCormack vlerësoi se edhe përfundimi i numërimit brenda një kohe të shkurtër është sukses tjetër i arritur në këtë proces. “Shefja e misionit të ODIHR-it, znj. Conny McCormack vlerësoi pozitivisht organizimin e ditës së votimit, duke theksuar se zhdukja e radhëve në votim, si pasojë e uljes së numrit të zgjedhësve për qendër votimi, ishte një përmirësim i dukshëm. Ajo u shpreh se procesi i numërimit shënoi gjithashtu përmirësim. Zonja McCormack theksoi se është i rëndësishëm fakti që ky proces tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri. Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan vullnetin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen”, – citohet nga burimet zyrtare të Këshillit të Ministrave. Ndërsa sipas zyrës së shtypit theksohet fakti se zonja McCormack shprehu falënderimet në emër të saj dhe të misionit të ODIHR-it për mikpritjen që Kryeministri Berisha në veçanti dhe institucionet shqiptare në përgjithësi i ofruan misionit të ODIHR-it gjatë gjithë këtyre javëve të misionit të vëzhgimit. Ajo nënvizoi vullnetin dhe gatishmërinë e çdo aktori për bashkëpunim gjatë procesit zgjedhor, si dhe vlerësoi lart klimën e shkëlqyer në të cilën misioni operoi. Kryeministri Berisha tha se vëzhgimi i zgjedhjeve është një element themelor në garantimin e transparencës dhe të besueshmërisë së procesit zgjedhor. Ai e çmoi procesin zgjedhor me standarde të larta dhe të civilizuar, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në votim. Berisha theksoi se numri i vogël i ankesave, i cili i dedikohet një procesi numërimi jashtëzakonisht transparent dhe të rregullt, është tregues për cilësinë e lartë të këtyre zgjedhjeve.
Deklarata
Paloka: Berisha vështirë të zëvendësohet
Edi Paloka, një prej deputetëve të selisë blu, reagon në lidhje me procesin e zgjedhjes së kandidatëve për kreun e forcës politike që ai përfaqëson. Ai e përjashton veten nga kjo garë, duke thënë se në fakt është tejet e vështirë që të zëvendësosh Sali Berishën. Për Palokën, të zëvendësosh liderin Berisha është peshë e madhe. “Partia Demokratike ka përgjegjësinë e saj. Zoti Berisha doli i pari dhe deklaroi se si kryetar i PD-së ai ka përgjegjësinë kryesore, mbajti pozicionin e tij. Por sigurisht ka dhe të tjerë që mbajnë përgjegjësi më tepër sesa anëtarët e thjeshtë apo ata që nuk kanë pasur, le të themi, funksione apo poste në PD”, – tha Paloka ditën e djeshme në një konferencë për mediat. Lidhur me kandidimin e Aleksandër Biberajt për kreun e PD-së, Paloka nënvizoi: “Unë nuk kam ndonjë gjë direkte me zotin Biberaj, por ne po flasim për kryetarin e Partisë Demokratike, jo për kryetar të partive të tjera”. Deputeti demokrat është zëri i parë nga e djathta që deklaron se zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishin të ndershme dhe të rregullta. Sipas Palokës, ato u mbajtën përmes pazareve korruptive, ku miliona euro u hodhën për të blerë votat e shqiptarëve. “Zgjedhjet, pavarësisht se është thënë deri më sot që ishin zgjedhje të ndershme, të mira etj .,etj., mendimi im nuk është i tillë. Mjafton të përmend faktin që janë hedhur miliona euro, që u janë vjedhur shqiptarëve dhe këtë herë janë hedhur për të blerë votat e shqiptarëve”, – u shpreh Paloka.




