Rilindja e Ramës dhe fillimi i ri i Berishës

 

rama ne peqinNga Xhevat Mustafa

Jo vetëm shqiptarët, por edhe shumë diplomatë dhe miq ndërkombëtarë si dhe vëzhgues të rregullt të zhvillimeve politike në Shqipëri, duhet të kenë përjetuar befasi, kënaqësi dhe optimizëm nga fjala e kryetarit të PS-së dhe liderit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Edi Rama, mbajtur më 25 qershor, me rastin e konfirmimit të fitores së madhe në zgjedhjet e 23 qershorit nga ana e koalicionit të së majtës. Pa u dobësuar  jehona e këtij fjalimi me të vërtetë emocionues, tolerant, demokratik, emancipues të Edi Ramës, pas dy ditësh, ishte radha e Sali Berishës që t’i bënte shqiptarët dhe ndërkombëtarët të ndjenin befasi e kënaqësi me tri akte njëherazi, që mbartnin mesazhe shumë shprehës pjekurie politike, kulture demokratike dhe kuraje për të analizuar dhe mposhtur vetveten. Me paraqitjen dhe fjalimin e tij me rastin e komunikimit të dorëheqjes nga posti i kryetarit të PD-së, duke njohur gabimet dhe përgjegjësitë e tij për humbjen e rëndë të së djathtës si dhe duke uruar kundërshtarin për fitoren e madhe të së majtës, edhe Berisha, ashtu si Rama, u shfaq shumë ndryshe se deri më 23 qershor. Ai kishte nisur kështu një proces tjetër reformimi, që e emërtoi “Fillimi i ri”, për të qenë, të paktën formalisht dhe nga pikëpamja semantike, ca larg Rilindjes së Edi Ramës.  Pavarësisht rezervave dhe pritshmërive të shumëkujt, Berisha u paraqit para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve si një politikan dhe lider, që ndjen më shumë shqetësim e përgjegjësi për partinë, vendin dhe popullin se sa për karrierën e vet partiake e qeverisëse. Gjithsesi, me paraqitjet dhe fjalimet e tyre, me mesazhet që shprehën, Rama e Berisha, treguan rilindjen e tyre si politikanë, që dëshirojmë dhe urojmë të jetë e përhershme dhe jo  me gjatësinë kohore të një fushate apo stine.  Njëkohësisht ndikuan ndjeshëm për rritjen e notës pozitive për zhvillimin e procesit zgjedhor si dhe të imazhit të Shqipërisë e të mbështetjes ndaj saj për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Duke u rikthyer tek kryeministri i ardhshëm i të majtës dhe i të gjithë vendit, Edi Rama, ky u shfaq dhe shpreh më 25 qershor si një Edi Rama krejt tjetër, i tjetërsuar apo i rilindur. Duke u shprehur në mënyrë figurative Edi Rama i 25 qershorit ishte shndërruar nga një “luan” në “qengj”, nga një lider autoritarist dhe agresiv, deri në fyerje cinike të kundërshtarit të tij, në një politikan evropian, tolerant, që di edhe ta vlerësojë dhe falënderojë “armikun”. Shumëkujt kjo pamje e re e Edi Ramës do t’i ketë kujtuar paraqitjen e tij publike në media dhe tribuna zyrtare e politike menjëherë pas kthimit nga Franca. Atëherë, në pjesën më të madhe të mandatit të tij të parë si kryebashkiak i kryeqytetit të Shqipërisë, ai u duk më shumë francez e parisien se sa shqiptar e tiranas. Prandaj, edhe fitoi shpejt, sidomos në masën e rinisë, shumë adhurues, mbështetës dhe votues. Për këtë paraqitje prej evropiani modern shumica e komunistëve, që ai kërkoi të futeshin nëpër burgje në mes janarin 1991, në mitingun tek  stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, ia falën  këtë gabim rinor. Më 23 qershor 2013, kur votuan me zemër e bindje për të, e kishin harruar krejt.

Plot të tjerë, që kanë mbetur të befasuar dhe të mrekulluar nga fjalimi dhe metamorfoza e Edi Ramës, mund të kenë pyetur vetveten dhe njeri-tjetrin: More, kush ia mbushi mendjen kaq shpejt e kaq lehtë këtij kokëshkëmbi, që të ndërrojë shprehje, ton dhe taktikë brenda 48 orëve?

Nëse ky është Toni Bler e meriton të përgëzohet dhe falënderohet, sepse ka bërë dy  mrekulli njëherazi. E para, një kokë shqiptari, që ka rreth 10 vjet që ulëret, fyen, kërcënon, urdhëron, imponon, mbretëron, ka arritur ta shndërrojë shumë shpejt në mendje evropiani modern, që sillet si i tillë edhe me kundërshtarin e tij më të madh, sikur të mos kishte qenë ai, por dikush tjetër, që nuk kishte lënë gjë pa thënë e shkruar kundër tij, jo më larg se pak orë. E dyta, ia ka arritur ta detyrojë Edi Ramën të dëgjojë një këshilltar dhe t’i bindet atij.

Shumëkujt i lind e drejta edhe të kujtojë se zgjedhësit shqiptarë të majtë dhe asnjanës ia dhanë votat Edi Ramës së parë, pra, atij të zakonshëm në të paktën këto 10 vitet e fundit. Sipas kësaj llogarie del se ai ka bërë lojë të dyfishtë, duke e fshehur origjinalin ose kopjen. Prandaj, edhe mund të pyesin: cili është Edi Rama i vërtetë, ai deri në mbrëmjen e  23 qershorit apo ky i fjalimit të 25 qershorit?  Gjithsesi, kam bindjen se shumica do të jenë tifozë dhe mbështetës të Edi Ramës së dytë e do të uronin të ishte i tillë sa më gjatë. Po kështu, do të dëshironin që ashtu si  i njohu merita dhe i shprehu falënderim kundërshtarit të tij më të madh, Sali Berisha, të shikonte si evropian i vërtetë dhe i sinqertë edhe kundërshtarët e tij brenda kryesisë së PS-së. E kam fjalën kryesisht për Arben Malajn. Në fund të fundit, edhe sikur t’i mblidhnim tri “herezitë” e tij: oponencën publike, kurajoze dhe emancipuese ndaj kryetarit Rama; ruajtjen e lidhjeve me Fatos Nanon dhe daljen si kandidat i pavarur në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit, Malaj nuk e ka mbushur tamam një mëkat të plotë apo një faj të pafalshëm.

Nëse do të vështronte përtej inatit personal e nëse do të ishte konsekuent me paraqitjen dhe shprehjen e tij të re, të 25 qershorit, Rama do të fitonte pikë të tjera në favor të imazhit të tij si lider e si politikan si dhe në dobi të imazhit dhe të kapacitetit qeverisës të gjithë të majtës, duke  i zgjatur dorën e bashkëpunimit edhe këtij personaliteti elitar dhe me kontribut të madh për PS-në. Nuk mund të harrohet se është ndër të paktët që ka qenë konsekuent në vërejtjet dhe kritikat ndaj politikës ekonomike të qeverive Berisha dhe që ka paralajmëruar për rreziqet edhe për vendin tonë për rënien në recesion, sidomos me nivelin e lartë të borxhit publik, deri në rreth 60%. Retë e zeza të krizës ekonomike mbi Greqi dhe Itali,  kanë tendencë të lëvizin edhe në drejtim të kësaj cope të vogël qiell të Shqipërisë.

Jo vetëm PS-ja dhe qeveria e saj e re, por e gjithë Shqipëria kanë nevojë për vizionin përtej të sotmes, për profesionalizmin e lartë dhe përvojën e pasur të tij në fushën e shkencës dhe të qeverisjes ekonomike.

Nga ana tjetër, edhe PD-ja, nëse do të nisë me të vërtetë “Fillimin  e ri”, do të jepte mesazh reflektimi, tolerance dhe emancipimi nëse do t’i bënte thirrje për rikthim në gjirin e saj Bamir Topit dhe mbështetësve të tij të bashkuar në FRD. Aq më tepër që më 27 qershor Berisha i zgjati një degë ulliri edhe Edi Ramës. Pra, PD-së  i takon të reflektojë thellë, të mos i shikojë dhe ndëshkojë vetëm frd-istët si fajtorë e përgjegjës, që prej votave të tyre, të djathtës iu dogj mundësia për të marrë 2-3 deputetë më shumë më 23 qershor. Në fund të fundit, “Rilindja” dhe “Fillimi i ri”, kërkojnë domosdoshmërisht rinovime të thella në lidershipe e kryesi, në mendësi, lëvizje, qëndrime, veprime, si në kuadër partiak, ashtu edhe të qeverisjes së vendit. Në të kundërt, nuk do të përjetojmë “Rilindje” apo “Fillim të ri” të vërtetë, por thjeshtë ca procese meteorike e demagogjike.

 

 

Share it :