Të dielën, me sa tregojnë rezultatet paraprake, zgjedhësit kanë shkuar në kutitë e votimit me një vendim të kundërt me atë që kishin në mendje partitë politike. PD s’e shkonte në mendje që mund të humbiste, kurse PS s’e shkonte në mendje që mund të fitonte kaq shumë. Bazuar në shenjat e fushatës, gara mendohej të ishte e ngushtë. Rezultatet, që ende nuk janë përfundimtare, nuk u parashikuan as nga sondazhet dhe me të drejtë ditën e djeshme të gjitha palët ishin të befasuara. Gjithmonë, për njërën palë, rokada nuk është veprimi më i dashur në shahun e politikës.
Sidoqoftë, gjërat duhen parë me maturi. PD dhe aleatët e saj në tetë vite kanë kryer punë që do të mbeten gjurmë në historinë e Shqipërisë dhe për këtë duhet të jemi krenarë të gjithë. Shqipëria nuk do të hyjë për herë të dytë në NATO, mrekulli të tilla ndodhin vetëm një herë. Liberalizmi i vizave me BE-në ka ndodhur njëherë e mirë dhe kjo do të mbetet si arritje tjetër e të djathtës. Edhe në politikën e brendshme qeverisja e djathtë ka kryer vepra historike, të cilave do t’u jepet vëmendja që meritojnë me kalimin e kohës. Investimet në infrastrukturë janë afatgjata dhe, me kalimin e viteve, kur të jenë qetësuar shpirtrat e mllefosur, shoqëria shqiptare do të flasë për to me mirënjohjen që meritojnë.
Pavarësisht nga rezultati i së dielës, elektorati, jo vetëm i djathtë, nuk është treguar aq ashpër me PD-në sa mund të duket. Rezultati i vitit 2009, kur PD dhe aleatët nuk i humbën zgjedhjet, por morën mandate të pamjaftueshme për të bërë qeveri, ata duhet ta kishin lexuar më me kujdes këtë paralajmërim. PD kryesisht, forca kryesore qeverisëse, duhet të kishte analizuar më shumë qeverisjen e katër viteve të para dhe të kishte bërë ndryshimet e duhura. Në zgjedhjet lokale, elektorati, sidomos ai i djathtë, e rriti presionin me shpresën se mesazhi i tij do të lexohej kësaj radhe. Humbja në Kavajë dhe në bastione të tjera të PD-së ishin sirena alarmi. Ajo që ka bërë e djathta gjatë kësaj kohe s’ka nevojë të artikulohet, rënia e bastioneve të tjera është përgjigjja.
Cilat kanë qenë shqetësimet e qytetarëve, kjo mbetet për të zbuluar në të ardhmen gjatë analizave të thelluara. Ndoshta politika shqiptare duhet të marrë më seriozisht opinionin publik, pro e kundër saj, dhe jo një palë të bëjë atë që dëshiron e tjetra të thotë atë që mendon dhe të dyja të mos kenë asnjë pikë takimi. Fakti që votuesi refuzon një qeveri e cila ka bërë vepra historike, ndoshta do të thotë që elektorati nuk kërkon të bëhen ato vepra që do qeveria, por atë që do ai (jo domosdoshmërisht të jenë vepra materiale). Koalicioni i të djathtëve me të majtët ose futja në listat e fundit të së djathtës e kandidatëve të majtë në zgjedhjet e fundit kanë pasur ndikimin e tyre negativ.
Nga ana tjetër, vota e së dielës duhet lexuar me kujdes nga opozita. S’ka asnjë dyshim që fitorja nuk është meritë e PS-së, LSI-së apo e partive enveriste në koalicion me to. Fushata e të majtës nuk arriti të krijonte një frymë që të përkthehej në aq shumë mandate sa janë gjasat të marrë. Opozita përfitoi nga fakti se fletët e votimit të hedhura kundër PD-së dhe aleatëve përfundonin në kutinë e saj. Gjatë gjithë fushatës opozita e ka mbajtur një gisht te koburja, duke kërcënuar me “përballjen me popullin”, “fjalën do ta ketë populli” etj., por nëse ajo nuk do t’i lexojë arsyet e fitores, një ditë mund të largohet në mënyrë edhe më cinike, nga votues që do t’i thonë njëri-tjetrit, gjatë rrugës për te kutia e votimit, “të paktën Berisha na bëri rrugët”. Dhe i ka bërë vërtet.





