“Mashtrohen” emigrantët shqiptarë, fëmijët u bllokohen në Shqipëri

emigrantetEmigrantët kanë shprehur irritimin e tyre për këtë çështje, duke theksuar se ditën e premte u është thënë që nuk ekziston ky problem, ndërkohë që kur kanë mbërritur në kufi, janë lajmëruar se nuk mund të rrinë më shumë se 1 javë në atdhe.

 

Ata emigrantë shqiptarë që kanë ardhur në Shqipëri për të qëndruar gjatë apo për të lënë fëmijët e tyre, nuk mund të qëndrojnë më shumë se një javë. Kjo ishte situata me të cilën u përballën mijëra emigrantë shqiptarë që vinin nga Greqia, ku morën lajmin se nuk mund të qëndronin gjatë me fëmijët e tyre. Autoritet greke vazhdojnë ti qëndrojnë besnik vendimin për emrat e fëmijëve shqiptarë. Ky vendim vë në dukje se emrat e qyteteve ku kanë lindur fëmijët, duhet të shënohen greqisht në pasaportat shqiptare. Siç duket, autoritetet shqiptare nuk kanë gjetur dot ende një zgjidhje afatgjatë për këtë situatë, pavarësisht se disa ditë më parë u dha lajmi për zgjidhjen e këtij ngërçi. Kanë qenë pikat kufitare greke, të cilat u kanë vendosur afat fëmijëve një javë qëndrim në Shqipëri dhe nëse ky afat shkelet, atëherë fëmijët nuk do të mund të shkelin më në Greqi.

Vendimi

Nëpërmjet një letre që i është dhënë çdo emigranti që ka ardhur në Shqipëri me fëmijë, i është dhënë një dokument shoqërues, i cili i detyron rikthimin në Greqi brenda disa ditësh. Sipas autoriteteve greke, vendimi është ndryshuar ditën e shtunë dhe Ministria e Brendshme në shtetin fqinj ka urdhëruar vazhdimin e bllokimit për fëmijët e emigrantëve. Kjo çështje ka kohë që diskutohet mes dy shteteve, por ende nuk është arritur në një zgjedhje përfundimtare. Nëpërmjet rrjeteve sociale emigrantët kanë shprehur irritimin e tyre për këtë çështje, duke theksuar se ditën e premte u është thënë që nuk ekziston ky problem, ndërkohë që kur kanë mbërritur në kufi, janë lajmëruar se nuk mund të rrinë më shumë se 1 javë në atdhe. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet vendosin afate për lejimin e fëmijëve shqiptarë, pasi në dy raste të tjera gjatë festave të fundvitit si dhe gjatë festës së Pashkëve emigrantët janë lejuar të sjellin fëmijët jo më shumë se 20 ditë. Siç duket, autoritetet greke po u paraprijnë ardhjeve masive gjatë muajit gusht, muaj kur emigrantët marrin pushimet. Vendimi më i fundit do të bëjë që shumë emigrantë shqiptarë të zgjedhin Greqinë për të bërë pushimet, duke parë që fëmijët nuk mund t’i sjellin dot në atdhe.

 

 

Radhë të gjata në pikat kufitare

Menjëherë pas votimit, emigrantët shqiptarë kanë filluar rikthimin në Greqi. Si çdo rast, autoritetet greke kanë sjellë vonesa në kalimin e emigrantëve. Radhët më të gjata janë parë në pikën kufitare të Kakavijës, ndërkohë që në Kapshticë situata ka qenë pak më e qetë, por prapë radhët nuk janë shmangur. Në pikën kufitare të jugut, atë të Qafë-Botës nuk ka pasur radhë të gjata. Emigrantët kanë qenë të kënaqur me autoritetet shqiptare si dhe kanë shprehur ankesa ndaj autoriteteve greke, të cilat kanë punuar në disa raste vetëm me 2 sportele. Gjatë mesditës, janë vënë re radhë më të gjata, ndërkohë gjatë mbrëmjes së djeshme kanë kaluar më shumë se 10 mijë emigrantë. Numri i emigrantëve që erdhi në Shqipëri për të votuar, ishte me shumë se 40 mijë, ku vetëm gjysma prej tyre kanë qenë në zonat e jugut si Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.

 

BIS: Bankat nuk kanë bërë asgjë për rimëkëmbjen ekonomike të shteteve

Banka për Rregullime Ndërkombëtare, në një raportim të fundit, përmend se bankat kanë bërë pak për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe qeveritë duhet të bëjnë më shumë. Organizata me bazë në Bazel, e quajtur zakonisht Banka e Bankave Qendrore, thotë se është koha për ta për të ndaluar pompimin e fondeve në ekonomitë e tyre. Tregjet tashmë duhet të përgatiten për një botë pa ndihmën e bankës qendrore. Javën e kaluar, banka qendrore amerikane tha se kishte planifikuar për të ndaluar pompimet në para në ekonomi, duke shkaktuar paqëndrueshmërinë e tregut. Në raportin e tij vjetor, BIS-ja tha se bankat qendrore në botë kishin bërë pak për të kompensuar efektet gjashtëvjeçare gjatë krizës globale të kreditit.

 

Ardhja e emigrantëve, euroja dobësohet ndaj lekut

Euroja ka pësuar një rënie kundrejt lekut në tregun e këmbimit valutor në këtë ditë zgjedhjesh. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët evropiane e mbylli këtë javë në kuotën e 140.6 lekëve, duke u dobësuar me 0.4 pikë kundrejt fillimit të javës, ndërkohë që dollari është këmbyer me 107 lekë ose 0.27 pikë më shumë se në fillim të javës. Ekspertët shprehen optimistë se dobësimi i euros kundrejt lekut do të vijojë edhe pas ditës së zgjedhjeve. Një rënie e monedhës evropiane favorizon të gjithë ata që kanë marrë kredi në këtë valutë, pasi do të paguajnë më pak për këstin mujor, duke mos u rënduar nga kostoja e transaksionit.

 

“Qetësohet” moti, ulen temperaturat

Moti i nxehtë disa ditë më parë duket se është larguar shumë shpejt. Temperaturat në të gjithë vendin kanë ardhur në rënie kryesisht në zonat veriore dhe verilindore. Në kryeqytet gjatë ditës se djeshme me e nxehtë ka qenë mesdita, ndërkohë që gjatë mëngjesit dhe darkës ka pasur një mot më të freskët. E njëjta situatë pritet edhe ditën e sotme ku temperatura më e lartë do të shënohet në mesditë dhe më e ulëta gjatë orëve të mbrëmjes. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë gjatë mëngjesit, ndërsa mesdita do të sjellë rënie më të ndjeshme të tyre. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 28 km/h nga drejtimi perëndimor-veriperëndimor, ndërsa në det do të gjenerohet dallgëzim 1 ballë.

Share it :