Misioni Hyjnor Eleonor humbet gjyqin me pronarët e truallit

Sonja Caka

gjykataGjykata: Misioni t’u kompensojë 10 milionë lekë dëmshpërblim pronarëve të familjes Vorpsi për shfrytëzimin në keqbesim të pronës. U kthehet edhe një sipërfaqe trualli

 

Pas një beteje të gjatë gjyqësore, pronarët e truallit jo vetëm marrin më në fund pronën e tyre, por edhe dëmshpërblim për gjithë kohën që kjo pronë është përdorur padrejtësisht nga i ashtuquajturi Misioni Hyjnor Eleonor, ndërkohë që vlera që do të duhet të përfitojnë familjet pronare shkon në shumën e 10 milionë lekëve. Pak ditë më parë, gjyqtarja Fida Osmani ka vendosur detyrimin e palës së paditur, konkretisht Misionit Hyjnor Eleonor, t’u paguajë paditësve pronarë një shpërblim prej afro 10 milionë lekësh për frutet civile për shkak të përdorimit pa kundërshpërblim të tre pasurive truall, për periudhën nga fitimi i pronësisë deri në ditën e ekzekutimit të vendimit të gjykatës, si dhe një shpërblim për eleminimin e plotë të dëmit të shkaktuar të tre pasurive truall nga ndërtimet pa leje. Gjithashtu, pala e paditur që është misoni i të ndjerës Eleonorë, e cila vrau veten në vitin 2011, detyrohet me vendim gjykate t’u kthejë paditësve 1 pasuri të paluajtshme, konkretisht pasurinë truall nr.109/208 me sipërfaqe 2800 m2, dhe për dy pasuri të tjera njëra do kompensohet, për pasurinë truall nr.109/207 me sipërfaqe 1500 m2, dhe tjetra do t;u njihet bashkëpronësia për pasurinë truall nr.109/206 me sipërfaqe 2900 m2.

Paditësit

Paditësit Sabri Qosja, Sanije Myderizi, Qefsere Kalaja, Nexhmije Bogdani, Naime Reci, Mereme Hoxha, Sabrije Mara, Hamide Faja, Gëzim Vorpsi, Xhavit Vorpsi, Rakip Vorpsi, Lejla Vorpsi, nëpërmjet padisë së paraqitur për shqyrtim përpara Gjykatës së Tiranës kërkuan të detyrohet gjyqësisht pala e paditur t’i lirojë dhe dorëzojë sendin pronë e tyre, “truall”, me sipërfaqe 7200 m2, i përbërë nga tre pasuri: truall me sipërfaqe 2800 m2, e regjistruar në ZRPP Tiranë, me Nr.109/208, Zona Kadastrale 3292, volumi 18, faqe 125, truall me sipërfaqe 1500 m2, e regjistruar në ZRPP Tiranë, me Nr.109/207, Zona Kadastrale 3292, volumi 18, faqe 124, truall me sipërfaqe 2900 m2, e regjistruar në ZRPP Tiranë, me Nr.109/206, Zona Kadastrale 3292, volumi 18, faqe 123. Kjo sipërfaqe trualli prej 7200 m2 ndodhet në Selitë, në zonën kadastrale 3992 dhe është në pronësi të paditësave sipas pjesëve takuese të përcaktuara në vërtetimet e pronësisë. Kërkimin e vet kjo palë e mbështet në parashikimet e neneve 296 dhe 298 të Kodit Civil. Gjatë gjykimit, pala paditëse pakësoi objektin e padisë duke kërkuar që për sipërfaqen e truallit prej 398 m2 mbi të cilën është ndërtuar “Tempulli” të kompensohet në vlerë nga pala e paditur, kërkesë e cila në mbështetje të nenit 185 të K.Pr.Civile u pranua nga gjykata. Gjithashtu u saktësua emri i palës së paditur pasi që nga viti 2005, Fondacioni nga Vakëfi i Shenjtë i Lidhjes Hyjnore në Misioni Hyjnor Eleonor. Gjithashtu, gjatë gjykimit u vërtetua vdekja e paditëses Nexhmije Bogdani dhe në mbështetje të nenit 199 të K.Pr.Civile u bë kalimi procedurial, te trashëgimtarët ligjorë të saj Kozeta Bogdani, Majlinda Bogdani, Shqipe Katroshi dhe Merita Fortuzi. Në cilësinë e paditëseve këto nuk u paraqitën në gjykim megjithëse kishin dijeni dhe në seancën e datës 17.05.2012, gjykata në mbështetje të nenit 179 të K.Pr.Civile vendosi pushimin e gjykimit të çështjes për to.

Pretendimet

Nëpërmjet padisë së tyre, paditësit pretendojnë se pala e paditur është poseduese e paligjshme e sipërfaqes së pronës së përshkruar më lart, duke ndërtuar mbi të objekte kulti ku edhe ushtron aktivitetin e saj. Pala e paditur është poseduese në keqbesim pasi prej vitesh i është kërkuar lirimi i pronës por në të kundërt ka vazhduar investimin në këtë truall. Sipas tyre, ndërtimet janë kryer pa leje të organeve kompetente dhe nuk plotësojnë kushtet për t’u konsideruar ndërtime të përhershme. Po sipas paditësve, ndërtimet nuk përputhen me kushtet urbanistike të përcaktuara në studimin urbanistik të zonës sektori A. Përkatësisht, nuk është respektuar kofiçienti i shfrytëzimit të truallit prej 40% për zonat me zhvillim objektesh 4 kate + kat nënçati; kofiçienti i shfrytëzimit 45% për zonat me 5 kate + nënçati dhe për ndërtim 4 katëshe, dhe kofiçienti i shfrytëzimit 30%-35% për zonat e vilave 2-3 kate. Objektet e Kultit të ndërtuara nga pala e paditur mbi sipërfaqen 5680 m2 janë ndërtuar në distancë shumë të madhe nga njëri tjetri, distancë e cila nuk parashikohet në kondicionet urbanistike të studimit urbanistik rajonal dhe mjedisor të zonës. Pala e paditur nuk legjitimohet të legalizojë asnjë nga ndërtimet e kryera mbi pasurinë e paditësve, pasi jemi në kushtet e zbatimit të nenit 2 pika 4 të këtij ligji sipas të cilit “Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero”. Po sipas paditësve, për sipërfaqen 398 m2, nga e cila 220 m2 nën godinë dy katëshe e kultit dhe 178 m2 sipërfaqe funksionale, duke qenë se pala e paditur ra dakord edhe ne jemi dakord për pagimin e vlerës ekuivalente të saj sipas kriterit të vlerës së tregut dhe jo lirimin e truallit. “Duke qenë se pala e paditur është në posedim të paligjshëm dhe në keqbesim kërkon pagimin e fruteve të sendit në formën e qirasë” përfundojnë pretendimet pala paditësve. Pala e paditur kërkoi rrëzimin e padisë duke argumentuar se sipërfaqja e zënë nuk është 7200 m2, por sipas aktit të ekspertimit është 5680 m2 dhe sipas pretendimit tonë është 4655 m2. Sipërfaqja e truallit prej 3910 m2 është në pronësi të palës së paditur dhe nga ana e ekspertëve nuk është bërë korigjimi i sipërfaqes duke lënë jashtë sipërfaqes së objekteve të ndërtuara nga Misioni një sipërfaqe prej 1543 m2. Nga ekspertët nuk janë përfshirë investimet e bëra në këtë sipërfaqe trualli për pemët dekorative, lulet, bimët e mbjella, instalimet elektrike si dhe shpenzimet për mbrojtjen nga erozioni, të gjitha në total në shumën 64,832,844 lekë. Trualli kur është marrë në posedim ka qenë pronë e shtetit, kjo sipërfaqe ka qënë në pronësi të ish Ndërmarjes Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, pra pala e paditur nuk ka marrë pronën e askujt.

Vendimi

Sipas vendimit të gjykatës, në lidhje me sipërfaqen e truallit 398 m2 mbi të cilën është ndërtuar tempulli dy katësh midis palëve u ra dakord që t’i mbetej në pronësi palës së paditur kundrejt shpërblimit të plotë me vlerën e tregut për shumën 4,378,000 lekë. Sipas aktit të ekspertimit sipërfaqja prej 398 m2 pjesë e pasurisë së paditësve, e pasurisë Nr.109/208 truall me sipërfaqe totale 2800 m2, përbëhet nga 220 m2 ndërtim, godina 2 katëshe e kultit e ndërtuar në kufirin midis pasurisë së palës paditëse dhe palës së paditur dhe 178 m2 sipërfaqe e lirë. Duke qenë në pamundësi të ndarjes së kësaj godinë, pasi do të prishej funksioni i saj i përdorimit, pala paditëse ishte dakord që për këtë sipërfaqe gjithsej 398 m2, të kërkojë nga pala e paditur, jo kthimin fizik të kësaj sipërfaqeje, por pagimin e vlerës ekuivalente të saj sipas kriterit të vlerës së tregut. Referuar vlerësimit të bërë nga ekspertët e ngarkuar nga Gjykata, vlera e tregut e kësaj sipërfaqe trualli është gjithsej 4,378,000 lekë dhe pala e paditur për këtë sipërfaqe detyrohet t’i paguajë palës paditëse këtë shumë. Sipas nenit 298 të Kodit Civil, pala e paditur si poseduese në keqbesim detyrohet t’i kthejë pronarëve paditës, bashkë me sendin edhe shumën përkatëse të fruteve civile të vjela ose që janë bërë të kërkueshme. Gjykata çmon se në këtë pjesë të kërkimit padia e palës paditëse duhet të pranohet nga momenti i ngritjes së padisë, momenti i kërkimit të këtyre fruteve deri në kryerjen e aktit të ekspertimit. Vlera e përdorimit të truallit me sipërfaqe 5680 m2 për këtë periudhë është 3,198,919.2 lekë. Pas kësaj date deri në ekzekutimin e vendimit pala e paditur duhet të paguajë vlerën prej 50.42 lekë/m2 në muaj për sipërfaqen 5282 m2 sipas aktit të ekspertimit i cili është pjesë e këtij vendimi. Në gjykim u provua se mbi truallin pronë e paditësave pala e paditur ka kryer ndërtime. Mbështetur në nenin 298 të Kodit Civil pala e paditur si posedues në keqbesim detyrohet të kthejë pronën e paditësave në gjendjen e mëparshme duke hequr ndërtimet mbi të. Në rastin kur këto ndërtime nuk do të hiqen nga pala e paditur ajo duhet të paguajë në favor të palës paditëse vlerën që do të duhet për të sjellë truallin në gjendjen e mëparshme, që sipas aktit të ekspertimit është në shumën 2,083,560 lekë. Pretendimi i palës së paditur se pronësia e paditësave është fituar me Ligjin nr. 7501 datë 19.07.1991 nuk u provua. Nga provat e administruara në gjykim u provua se pala paditëse e ka rifituar titullin e pronësisë mbi këtë sipërfaqe trualli në bazë të Ligjit nr. 7698 datë 15.04.1993 dhe Vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave pranë Prefekturës Tiranë nr. 327 datë 25.06.1996

Vendimi

Detyrimin e palës së paditur t’u paguajë paditësve pronarë një shpërblim për frutet civile për shkak të përdorimit pa kundërshpërblim të tre pasurive truall, për periudhën nga fitimi i pronësisë deri në ditën e ekzekutimit të vendimit të gjykatës, si dhe një shpërblim për eleminimin e plotë të dëmit të shkaktuar të tre pasurive truall nga ndërtimet pa leje

Detaj

10 milionë lekë është vlera e dëmshpërblimit që Misioni Hyjnor Eleonor duhet t’u japë pronarëve të truallit

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :