Rrugët, që marrin frymë duke dalë nga harresa

basha-filantoSpeciale/Vëzhgim, në Tiranën ndryshe

 

Ditën e enjte, në mëngjes herët, lëvizja e njerëzve nëpër rrugët e kryeqytetit dukej më intensive. Nuk kishin nevojë të kërcenin pupthi për të marrë anën tjetër. Të shkujdesur nxitimin e tyre e bënte edhe rruga. Termometri atë ditë shënonte 33 gradë celsius. Paraditja tepër e nxehtë më çoi drejt një dyqani akulloreje, ku mirëseardhjen e jepte Lumturia, një grua 50-vjeçare, që kishte tre muaj në këtë zonë, duke shitur byrek dhe akullore. Kjo ishte ndalesa ime e parë, rruga “28 Nëntori” përkrah “Ushtarit të panjohur”, në qendër të Tiranës. Kisha kohë që nuk e përshkoja më atë rrugë, për shkak të punimeve që po bëheshin atje. Shkel mbi asfaltin e nxehur nga dielli, për të kaluar sa nga një anë e rrugës tek një tjetër. Sy kureshtarë dhe entuziastë më shihnin atë ditë, nuk e di nëse prej gëzimit të kësaj rruge apo fytyrës sime të qeshur. E them këtë, pasi rrugët e Tiranës nuk janë vetëm të tiranasve, por edhe të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Dita mori ngjyra pozitive, pasi në bashkëbisedimin tim me qytetarët që zotëronin një biznes në rrugët e rikonstruktuara në kryeqytet nga Bashkia e Tiranës, ishin mjaft optimiste. Njerëz të thjeshtë, që kanë hapur një biznes të tyrin në Tiranë, shprehen për gazetën “Standard” të lumtur nga ky progres që infrastruktura ka pësuar gjatë këtyre dy viteve të fundit, duke mos hezituar të përgëzojnë dhe falënderojnë edhe kreun e bashkisë, Basha, për këtë nismë që ka ndërmarrë.

 

 

 Rruga “28 Nëntori”

Pritje e ngrohtë dhe njerëzorë m’u bë nga një qytetare e nderuar tek vendi ku rrinë autobusët e Saukut, Porcelanit, Kinostudios etj. Një rrugë e rëndësishme e historisë së Tiranës në të cilën ndodhet Kulla e Sahatit, Xhamia e Ethem Beut dhe ndërtesa e Bashkisë së Tiranës. E pyetur për kushtet e rrugës tani, të ardhurat, fitimin, zonja Lumturi Çeka shprehet: “Unë quhem Lumturi Ceka, jam 50 vjeç, kam një biznes timin me qira që është byrektore. Dyqani im ndodhet tek stacioni i autobusëve të Saukut. Rruga e realizuar në këtë zonë ka dalë e shkëlqyer. Kam tre muaj tek ky dyqan dhe mund të them se gjatë kohës që rruga ka qenë në proces rikonstruksioni, fitimet e mia ranë. Dhe më parë jam marrë po me të njëjtin biznes, por jo këtu në një lagje tjetër. Kam ardhur në këtë zonë për më mirë, pasi është në qendër të Tiranës. Më përpara bëja 1 mijë lekë xhiro në ditë kur rruga ishte parregulluar, tani që ajo u rregullua bëj dyfish-trefish më shumë, as që diskutohet. Vetëm të jesh budalla mos ta pranosh arritjen që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë në këtë zonë dhe jo vetëm. Jam shumë e kënaqur nga kjo nismë, pasi dhe njerëzit kur kalojnë në rrugë duken më të bukur. I duhej kjo rrugë Tiranës. Unë sapo kisha këtu një grup vizitorësh, që morën diçka dhe vura re që u mahnitën nga pamja e qytetit tonë, duke parë rrugët, gjithçka. Mënyra se si ata rrinin e vështronin çdo gjë me kuriozitet ishte impresionuese. Ne kënaqemi me bukuritë tona, pasi unë kam dalë edhe jashtë shtetit që kam parë, por si bukuritë tona s’ka asnjë vend. Ne jemi jo sipas standardeve evropiane, por më mirë, tani ngelet vetëm që njerëzit të ndërgjegjësohen që të mos hedhin mbeturina rrugëve. Sa për rrugën, nuk kemi ç’të themi, na mbushet syri dhe zemra me gëzim kur e shohim”.

 

Rruga e Dibrës

 

Pas bisedës shumë të këndshme më zonjën Lumturie, këmbët më çojnë drejt një rruge tjetër të rikonstruktuar. Ndalem tek Rruga e Dibrës këtë herë, për të biseduar pak me zonjën Rudina Bregu. Ajo flet e çliruar lidhur me eksperiencën e saj tek kjo rrugë: “Unë jam Rudina Begu, shitëse pranë një dyqani kozmetike tek Rruga e Dibrës. Rindërtimi i rrugës ka ndikuar shumë pozitivisht në punën time. E them këtë gjë lidhur me faktin që nëse produktet e mia kozmetike para jo më shumë se një jave nuk shiteshin për shkak fillimit të punimeve tek kjo rrugë, tani mund të them me siguri që ndryshimi është i dukshëm. Në fillim puna ishte goxha dobët, sepse përveç makinave që s’kalonin dot edhe njerëzit gjithashtu e kishin të vështirë. Normalisht bërja e rrugës nga e para ka ndikuar për mirë në biznesin tim, lëvizjet janë më të shumta, ndaj edhe klientët e dyqanit janë më të shumtë në numër. Sa i përket fitimit, është shpejt të flas, por di të them vetëm një gjë, që lëvizja e njerëzve ka ndryshuar. Më parë jam marrë po me të njëjtin biznes, jo tek kjo rrugë, por tek “Hoxha Tasim”. Edhe atje në momentin e rikonstruksionit të rrugës gjendja ishte e dobët, më pas u vunë re ndryshime për mirë. Rruga ndikon tek të gjithë ne, në çdo gjë tek të gjitha bizneset. Për sa i përket nismës së bashkisë, vetëm të jesh qorr mos të kesh sy të shohësh këtë nismë, për të mos e vlerësuar. Për mua nuk ka rëndësi kush e ka ndërmarrë këtë projekt dhe i çfarë krahu është ai, rëndësi ka që rrugët janë të zhvilluara për të gjithë, për çdo qytetar. Nuk ka rëndësi ngjyra, por fakti që rruga është rindërtuar sipas standardeve evropiane”.

 

Rruga “Islam Alla”

Me këmbët e lodhura nga vapa dhe ecja, drejtohem drejt rrugës më të frekuentuar nga makinat dhe këmbësorët. Ndalova tek rruga “Islam Alla”. Një rrugë tepër e rëndësishme, pasi lidh Rrugën e Kavajës me “Myslym Shyrin”. I disponueshëm këtë herë u tregua një zotëri, i cili u përkiste të 60-ave. I pyetur për rrugët e rindërtuara në Tiranë, F. M. shprehet se rruga është ajo që na bashkon të gjithë, ndaj komoditeti në të lehtëson jetën e çdokujt. Mbi të gjitha zotëria mjaft fisnik pohon se personat përgjegjës për këtë vepër madhore meritojnë respektin dhe meritat e të gjithë qytetarëve. “Një vepër që ka vlerë, duke lehtësuar jetën e të gjithëve ne, bravo Bashkia e Tiranës, që u kujtua dhe për ne”. Orët kalojnë dhe njerëzit ende vazhdojnë të qarkullojnë rrugëve të Tiranës, duke u shtyrë me njëri-tjetrin. Asfalti i nxehur bëhet i ftohtë, sikur do edhe ai të pushojë pak, nga gjithë ata vizitorë që kaluan mbi të. Qepenat ulen, këmbësorët rrallohen, për t’ia lënë vendin një dite tjetër të re. Tani rrugët do të marrin frymë lirisht!

 

 

 

Vazhdojnë përurimet, Basha u dorëzon hipotekat 45 familjeve

45 familje që kanë ndërtuar shtëpitë përpara vitit 1991, kanë marrë hipotekat e pronës së tyre. Kryebashkiaku Lulzim Basha premtoi se brenda 30 shtatorit do të përfundojë edhe procesi i legalizimit të banesave. Kryetari i bashkisë, ndërsa u ka shpërndarë hipotekat familjeve, i ka garantuar se bashkia nuk do të qëndrojë asnjëherë indiferente ndaj problemeve të tyre. Kreu i Bashkisë së Tiranës ka përuruar gjithashtu edhe përfundimin e ndërtimit të rrugës “Odhise Grillo” në njësinë bashkiake numër 3 dhe rrugën që lidh “5 Majin” me “Selaudin Zorbën” në njësinë bashkiake numër 4. Këto rrugë janë ndërtuar brenda të gjitha standardeve të kërkuara, duke u ofruar qytetarëve në këto zona më shumë komoditet në lëvizje.

 

Share it :