Florenc Drizari
“Kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike”
Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, krerët e misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, të akredituar në vendin tonë, i bënë thirrje klasës politike shqiptare që të respektojë rregullat për zhvillimin e një procesi elektoral brenda standardeve të kërkuara. Një mesazh të qartë për respektimin e kodit elektoral dhe ruajtjen e pavarësisë institucionale ekspertët e misionit të OSBE-së dhanë edhe për anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të tjerë në nivelet e dyta dhe të tretë të procesit.
Koordinatori special dhe njëkohësisht drejtuesi i misionit vëzhgues zgjedhor afatshkurtër të OSBE-së, Roberto Battelli, si dhe João Soares e Luca Volonte, drejtuesit e delegacioneve parlamentare të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës, të cilët do të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, u shprehën dje me anë të një deklarate se kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrin përsipër pa vonesë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për një proces të qetë zgjedhor. Institucionet administrative zgjedhore duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga fushata elektorale, duke garantuar se vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga partitë politike dhe do të zbatohet nga autoritetet”, -thuhet në deklaratën për mediat.
RAPORTI, TË HËNËN
Një ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit pritet që vëzhguesit ndërkombëtarë të prezantojnë raportin paraprak paszgjedhor. Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit është një përpjekje e përbashkët që përfshin OSBE-në, Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (OSCE PA) dhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).
Deklarata do të mbahet nga Roberto Battelli, koordinatori i veçantë që drejton misionin afatshkurtër të vëzhgimit të OSBE-së, duke vijuar me Luca Volontè, Kreun e delegacionit PACE, João Soares, Kreun e delegacionit të OSCE PA, dhe Conny McCormack, Kreun e misionit afatgjatë të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it.
Kjo përpjekje e përbashkët përbëhet nga më shumë se 380 vëzhgues nga 43 shtete, duke përfshirë 48 vëzhgues dhe ekspertë afatgjatë nga OSBE/ODIHR-i dhe 240 vëzhgues afatshkurtër të deleguar ose të financuar nga shtetet pjesëmarrëse me kërkesë të OSBE/ODIHR-it, si dhe 48 parlamentarë dhe staf nga OSCE PA, dhe 24 nga PACE.
Arvizu përfundon mandatin në Shqipëri, ambasadori i ri i SHBA, Donald Lu
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka mbërritur kërkesa për akreditimin e ambasadorit të ri të SHBA-së.
Ambasadori Alexander Arvizu ndodhet në prag të mbylljes së mandatit të tij diplomatik trevjeçar në Shqipëri, ndërsa konfirmohet se kryediplomati i ri në vendin tonë do të jetë Donald Lu. Mësohet se Arvizu, i cili e ka nisur karrierën diplomatike në Shqipëri në vitin 2010, do të largohet nga Shqipëria në fund të muajit korrik ose në fillim të gushtit.
Ambasadori i ri i SHBA-së pritet të jetë Donald Lu, i cili aktualisht shërben si ambasador në Nju Delhi, Indi.
Lu u bashkua me Shërbimin e Jashtëm Shtetet e Bashkuara në vitin 1990 dhe ka mbajtur poste në Pakistan, Indi, Gjeorgjia, Kirgistani, Azerbajxhani dhe Uashingtonit.
Më parë ai është emëruar Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Nju Delhi, ku ka shërbyer si i ngarkuar me punë dhe Zëvendës Shefi i Misionit për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Azerbajxhan nga 4 korrik 2009 deri në korrik 2010, kur zyra e ambasadorit në Azerbajxhan nuk kishte qenë e plotësuar ende.





