Një tjetër shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë greke në kuadër të hetimeve për vrasjen dhe prerjen e kokës së 26 vjeçarit shqiptar, Bledar Terpollari, ndërsa një i tretë është ende në kërkim.
Policia greke thotë se dyshohet se shqiptari tjetër i përfshirë në krim ka ardhur në Shqipëri.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 maj të këtij viti ku bariu shqiptar u vra në një kasolle ku jetonte për shkak të pazareve të drogës.
Policia greke ka mbyllur dosjen hetimore për rastin dhe ia ka dorëzuar atë prokurorisë në Thesprotia. Shqiptarët e arrestuar dhe ai që është në kërkim janë përkatësisht 28 dhe 27 vjeç.
Policia greke thotë në komunikatën e saj se ka identifikuar të gjithë autorët e ngjarjes, por duke mos i publikuar emrat e tyre për shkak të sekretit hetimor.
Shqiptari i arrestuar rreth 10 ditë parë si dëshmitar i ngjarjes sipas medieve greke është Emiljano Nana, 28 vjeç nga Tepelena.
Ende nuk është i qartë roli i tij në krim, ndërsa ai ka deklaruar se u ka treguar autorëve vendin ku jetonte shqiptari, duke shtuar se këtë e kishte bërë nën kërcënimin e armëve.
Prokuroria greke nuk ka më dyshime se krimi është kryer për trafik droge.
Nuk është zbuluar ende se ku ndodhet koka e të riut nga Përmeti, ku sipas dëshmisë është transportuar në Shqipëri si kod për vrasjen.