Kur na vret shteti, dy duar për një kokë janë”/ Reagimi i motrës së protestuesit në rrezik jete

Motra e Briken Tuçit, 34-vjeçarit që mbeti i plagosur gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, ka bërë një apel të fortë lidhur me gjendjen shëndetësore të të vëllait, duke deklaruar se ai ndodhet në rrezik për jetën.

Në një prononcim për gazetarin Osman Stafa, Ortencia Tuçi tha se gjendja e 34-vjeçarit është tepër kritike. Sipas saj, ai ka pësuar hematoma në kokë, të cilat kanë shkaktuar përhapjen e hemorragjisë në tru.

Ajo bëri me dije se mjekët nuk kanë mundësi të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa pacienti mbahet nën efektin e qetësuesve të fortë, në pritje të ecurisë së gjendjes shëndetësore. Motra e të plagosurit tregoi se situata është përkeqësuar nga dita në ditë. Sipas informacioneve që familja ka marrë nga mjekët, hemorragjia, e cila fillimisht ishte e lokalizuar në një zonë të kufizuar, është përhapur më tej. Ortencia Tuçi hodhi poshtë çdo pretendim se vëllai i saj kishte qenë pjesë e ndonjë akti të dhunshëm gjatë protestës.

“Situata është shumë e rëndë. Ka pësuar hematoma në kokë, që ka krijuar një përhapje të hemorragjisë në tru. Nuk mund të lëvizet dhe as të operohet. Po mbahet me qetësues shumë të fortë, që të shohim gjendjen sipas kohës, të presim. Mjekët kanë thënë që nuk mund të ndërhyjnë dot. Dje kishte hemorragji në një pjesë të kufizuar të kokës, ndërsa sot hemorragjia ishte përhapur thuajse në të gjithë kokën. Vëllai reagonte në një mënyrë shumë bazike, që nuk mund të them se ishte vetëdije e plotë. Ka që dje që është në këtë gjendje. Vëllai dje doli në protestë dhe ka qenë shumë paqësisht.

Kemi edhe video për këtë. Ishte me duar në xhepa, me kurriz nga botet e ujit, ishte vetëm me kapuç për të treguar që unë nuk po bëj gjë. Ka nisur hedhja e ujit dhe, duke qenë me kurriz, ai nuk e ka parë. Në video duket që autoboti ia drejton ujin dhe shihet se si uji e hedh tutje dhe përplaset në tokë. Uroj që ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë dhe instancat që kanë drejtuar dje autobotin e ujit kundër një personi me duar në xhepa të marrin masa, të dalin dhe të tregojnë emrat, të jenë të denjë dhe të japin dorëheqjen. Ne jemi në një situatë ku na është dëmtuar familjari nga shteti dhe nuk bëjmë dot asgjë. Nuk duam lëmoshë apo fonde e mëshirë, duam që ata persona që e kanë bërë të mbajnë përgjegjësi. Nuk dua që im vëlla të jetë viktima e parë e protestës. Kur shteti na vret, dy duar janë për një kokë”, deklaroi Ortencia Tuçi.

Share it :