Deputeti i PD u plagos në protestë, Berisha nga spitali: U qëllua me urdhër politik të Ramës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Spitalin e Traumës për të parë nga afër deputetin demokrat Kliti Hoti, i cili mbeti i plagosur me plumb gome gjatë protestës para Kryeministrisë, raporton A2CNN.
Berisha ka publikuar në rrjetet sociale një foto të plagës së marrë nga Hoti në shpatull, ndërsa deklaron se deputeti u qëllua me urdhër politik të Edi Ramës.
“Deputeti i Partisë Demokratike Kliti Hoti qëllohet me urdhër politik per ta vra të Edi Ramës! Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë sulm kriminal me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës Dr. Kliti Hoti dhe garanton padrinon Edi Rama se do të marrë përgjigjen e merituar! Demokratë e demokrate të gjithë në kembë! O sot o kurrë!”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.
Hoti u godit me plumb gome gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë. Ai mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua me ambulancë drejt spitalit.




