Berisha paralajmëron Ramën: Fjalën e fundit e ka gjithmonë sovrani! 28 Nëntori po vjen…

Berisha paralajmëron Ramën: Fjalën e fundit e ka gjithmonë sovrani! 28 Nëntori po vjen…

Nga Durrësi, ku PD zhvilloi foltoren e ‘Ripërtëritjes‘, kryetari Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, ndërsa u shpreh se 28 Nëntori po vjen. Në këtë ditë është thirrur një protestë mbarëkombëtare, ku pritet që numri i protestuesve të jetë i madh.

Në fjalën e tij, Berisha ka përshëndetur studentët dhe të rinjtë për protestat e tyre të vazhdueshme.

‘Studentët janë të gatshëm dhe do jenë të gatshëm, takohu me kë të duash prapa skenave, por ata do i kesh në shesh të pamposhtur.

Data 28 Nëntor po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre.’, theksoi Berisha.

Berisha: Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt ju demokrateve dhe demokratëve të qarkut të Durrësit në këtë sallë, banorëve, qytetarëve të këtij qarku në Durrës, në të gjitha zonat e tij, në Shqipëri dhe kudo që janë sonte.

Nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për secilin prej jush dhe për të gjithë ata që në kushte të një narkodiktature, i qëndruan besnikë idealeve të tyre të lirisë, i qëndruan besnikë dinjitetit të tyre, qëndruan të pamposhtur dhe vijmë sot në një kohë kritike, por krejt tjetër.

Të dashur deputete dhe deputetë të qarkut të Durrësit, drejtues të degëve të PD të këtij qarku, të nderuar aleatë, dhe njëherë një përshëndetje të përzemërt nga unë dhe mirënjohje për punën që keni bërë.

Të dashur miq, jeta, veprimtaria politike në një diktaturë janë të vështira dhe duhet ta përsëris se midis të gjitha diktaturave, narkodiktatura, diktatura e bazuar në drogën apo ndryshe diktatura e bandave, vlerësohet më e keqja, më e rrezikshmja.

Vlerësohet e tillë nga ata që kanë studiuar të gjitha llojet e diktaturave.

Dhe në fakt, kur e kam lexuar për herë të parë, nuk është se e kam pranuar menjëherë këtë gjë sepse mendoja se diktaturë si ajo që kaluam ne, toka nuk ka pasur.

Diktaturë e cila mohonte me zero tolerancë pluralitetin.

Por diktatura e sotme është sipas Hantingtonit, më e keqja e të gjitha formave sepse ai thotë se këto lloj diktaturash nuk kanë asnjë ligj, nuk respektojnë asnjë normë, nuk pyesin për asgjë.

Dhe në qoftë se kthehemi bashkë me ata që kanë memorie, u kërkoj ndjesë të rinjve që janë fatlumë që nuk i njohin ato vite, por në qoftë se kthehemi pas jo në vitet e zeza, por në vitet ’90, krahasojmë disa zhvillime.

Edhe atëherë studentët u ngritën kundër regjimit.

Regjimi ishte i dyzuar, të përdorë forcën apo të kërkojë marrëveshje me ta.

Regjimi, për të shmangur një skenar të Bukureshtit, vendosi të negociojë me ta.

Por një gjë, ishin studentët ato dy ditë me datën 10 dhe 11 dhjetor të vitit 1990, që zgjodhën përfaqësuesit e tyre.

U mblodhën në ato salla dhe votonin njëri-tjetrin, zgjidhnin njëri-tjetrin dhe nuk ua zgjodhi njëri.

Imagjinoni këtë të sotmin.

Pasi theu kafka, theu gjymtyrë, u dha plumbin e gomës në lule të ballit, pasi përdori të gjitha mjetet kundër tyre, i zgjodhi si hijenë një grusht studentësh dhe u shfaq aty ku diktatori i fundit komunist u shfaq me studentët.

Por dallimi ishte se ai kishte zbatuar ligjin. Studentët kishin zgjedhur përfaqëesuesit e vet.

Kurse ky ua zgjidhte studentëve përfaqësuesit.

Më është kujtuar Hangtingtoni shumë herë, pra ky jashtë çdo morali, jashtë çdo standardi, imagjinoni në vitin ’90 atëherë kishte marrë fund, me datën 11 dhjetor e gjithë Tirana ishte në Qytetin Studenti, por prapë kishte një njeri në Byro Politike dhe plenum që thoshte t’u fusim tanket se pushtetin e morëm me gjak dhe pa gjak nuk e lëshojmë.

Kush ishte ky?

Ky ishte daja i Edi Ramës, ishte Spiro Koleka.

A nuk veproi ky këto ditë, këto kohë në mënyrën më të egër ndaj studentëve?

Unë në emër tuaj dua t’u jap një përshëndetje të përzemërt studenteve, studentëve, pedagogëve të Universitetit të Durrësit, të universiteteve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për lëvizjen e tyre, për revoltën e tyre të paparë.

Dhe ta garantoj diktatorin se ti këto kohërat që të kanë mbetur po sillesh njëlloj si shumica e tiranëve në kohërat e fundit të tyre.

Por lexo historinë.

Në të gjitha këto raste, fjalën e fundit, shtytjen e fundit, të shtënën e fundit e ka pasur sovrani.

Dhe të garantoj se do e ketë edhe për ty.

I them Edi Ramës, mos mendo mor i mjerë se do mund të rrish në atë karrige duke thyer kocka studentësh dhe të rinjsh.

Jo, jo, nuk ke njohur ti akoma kufijtë e trimërisë së tyre.

Nuk i ke njohur akoma.

Në qoftë se ata udhëhiqen nga vetëpërmbajtja, e cila është trimëri, është guxim, i bindur edhe njëherë se fjalën e fundit në të gjitha këto lloj betejash midis tiranit dhe sovranit, e ka thënë sovrani.

Se firmën e fundit midis tiranit dhe sovranit, e ka vendosur sovrani.

Ndaj dhe je krejtësisht i pashpresë.

Studentët janë të gatshëm dhe do jenë të gatshëm, takohu me kë të duash prapa skenave, por ata do i kesh në shesh të pamposhtur.

Data 28 Nëntor po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre.

Share it :