Berisha: Fjalën e mori ortaku i shpifur i Lubisë, Ramës i duhen tre jetë për të vuajtur dënimet për krimet e kryera
Prononcimi i Kryetarit të PD, Sali Berisha jashtë Kuvendit.
Ky parlament krimi ka humbur çdo legjitimitet, çdo përgjegjësi dhe qëndron aty në sistemin e pengmarrjes dhe të krimit.
Tani fjalën e merr kreu i tyre, ai të cilin e quajnë rëndom Padrino i Shqipërisë.
Në fakt, e merr fjalën si njeriu më i diskredituar, më i damkosur në 35 vitet e fundit në këtë vend.
E merr fjalën si kreu më hajdut i ekzekutivit në historinë e vendit.
E merr fjalën si ortaku i shpifur i Lubi Ballukut që në fakt ka 60 përqind të vjedhjeve në aferat e saj.
E merr fjalën si njeriu që ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e tij privat dhe që Lindat e AKSHI-t, Linda Karçanaj dhe Linda e Surrelit, kanë arritur si bashku të zhdukin qindra, qindra milionë euro në llogaritë bankare të Padrinos.
E merr fjalën si njeriu, i cili me aferat e tij të djegësve, aeroportin e Vlorës, tunelin e Llogarasë, është i përshtatshëm, i ndëshkueshëm nga ligji shqiptar të paktën për 70 vite.
Në rast se shkojmë këtu 4 miliardët e Portit të Durrësit, do t’i duheshin tre jetë për të vuajtur dënimet për krimet e shëmtuara ndaj shqiptarëve.
E merr fjalën një njeri që ushtroi dhunën më barbare ndaj protestuesve dhe studentëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër vetëm një qeveri legjitime. Kërkojnë zgjedhje të ndershme, kërkojnë një qeveri që të përgatisë zgjedhjet.
Pra, a mund të qëndrohet në parlament kur ky njeri mban ligjëratën e mashtrimit?
-Po ju kur erdhët, e dinit që do fliste ai?
Sali Berisha: Unë e dija që do fliste, prandaj dolëm.
Thjesht ai nuk mund të dëgjohej.
-Po nëse del disa herë ai, do dilni jashtë ju?
Sali Berisha: Jo, ne do themi fjalën edhe brenda. Ne do t’ia themi në sy të gjitha ato. Po ai ikën, ai ia mbath.
Ia mbath ai, ikën ai, nuk rri.
Ndaj dhe dola tani të flas flakë për flakë me të, t’i them se çfarë malli është, çfarë burri është, se ai nuk është burrë fare.
Pra, flet njeriu, i cili nga viti në vit me vjedhjet e mëdha varfëron shqiptarët.




