Ndreca: Rama nuk mund t’i kërkojë llogari partisë për emërimet që vendos vetë

Ndreca: Rama nuk mund t’i kërkojë llogari partisë për emërimet që vendos vetë

Avokati Plarent Ndreca ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për qëndrimin ndaj socialistëve, duke deklaruar se nuk mund t’i kërkojë Partisë Socialiste përgjegjësi për drejtuesit e institucioneve dhe ministrat, kur emërimet bëhen pa u diskutuar dhe miratuar në forumet e partisë.

Sipas Ndrecës, është kontradiktore që Rama t’u kërkojë llogari anëtarëve të Kryesisë dhe Asamblesë së PS-së për punën e institucioneve, ndërkohë që ata nuk janë përfshirë në vendimmarrjen për përzgjedhjen e drejtuesve të tyre.

“Institucionet nuk po avokojnë dhe e bukura është se Rama u turret socialistëve pastaj, duke u thënë ‘më lini vetëm’, sipas raportimeve mediatike. Ndërkohë, kur u pyet PS-ja dhe kur i mori përgjegjësitë PS-ja për drejtorët që emërohen, ministrat që emërohen?

Ku u votua në Asamblenë e PS-së apo Kryesinë e PS-së kabineti qeveritar? Ku u diskutua? Që të kesh gjithë të drejtën t’u kërkosh edhe llogari anëtarëve të Kryesisë apo Asamblesë së PS-së, por kur ti i zgjedh të gjithë vetë dhe i kërkon llogari partisë…”, u shpreh Ndreca.

Ai gjithaashtu ka kritikuar mënyrën se si funksionojnë institucionet shtetërore dhe raportet e tyre me strukturat e Partisë Socialiste, duke deklaruar se mes tyre ka një shkëputje që po krijon pakënaqësi te qytetarët dhe vetë socialistët.

Vetë socialistët janë ata hallexhinjtë që kanë kërkesa vetë nga institucionet e PS-së, por ka një shkëputje mes strukturës së PS-së dhe institucioneve shtetërore që nuk kanë ndjeshmëri politike. Dua të them se përgjegjësia që buron nga vota i nxit njerëzit për të garantuar zbatimin e detyrave që ka secili institucion dhe kjo ndjeshmëri mungon, jo tërësisht, por ka shkëputje dhe kjo krijon pakënaqësi. Kush është ura lidhëse mes shtetit dhe qytetarit? Institucioni. Kur shkëputen, qytetarët e shohin shtetin si armik”, tha ai.

Share it :