Dosja “Balluku”/ Pse u justifikua Klodian Braho me argumentat e deputetëve të PS
Një dosje me peshë për korrupsion dhe pastrim parash nga Belinda Balluku, me rreth 60 milion euro dëme dhe disa vila të fshehura ka kaluar në gjykatë nëpërmjet një momenti justifikimi nga prokurorë kokëulur të SPAK, që detyrohen t’u citojnë gazetarëve shënimet e deputetëve të Partisë Socialiste.
Shkak është disfata që pësoi SPAK në betejën e deritanishme me Ballukun, së pari kur u rrëzua në parlament kërkesa për arrestimin e Ballukut me votat e deputetëve socialistë dhe së dyti kur SPAK e la mënjanë teatrin e “heronjve të fëmijëve tanë” dhe nuk kërkoi për herë të dytë në parlament arrestimin e saj
Kjo fazë e dytë është akoma më e rëndë për imazhin e SPAK, por edhe më e vërtetë, pasi i jep fund një përralle që tregonte Edi Rama se u kishte dhënë prokurorëve të posaçëm nga një shpatë në dorë dhe me këtë shpatë, ata do pritnin kokat e të korruptuarve.
Sado qesharake të dukej kjo anekdotë, ajo ende ngacmonte dëshirat dhe shpresat e shumë njerëzve kur në media rodhën detajet e reja nga arredimi i vilave të reja të Belinda Ballukut në Green Coast dhe White Rocks, apo kur dolën fotot e kutive të mbushura me euro që mbanin pastruesit e saj në celularë, apo kur dolën manovrat me tenderat e Albcontrol. Në radhët e kundërshtarëve të PS u rritën pritshmëritë për një arrestim të parakohshëm të Belinda Ballukut, pasi me provat e reja që kishte gjetur, SPAK mund të dërgonte një kërkesë të dytë për izolimin e saj në paraburgim.
Provat e reja u pasuan me akuza të reja. Nuk flitej më thjesht për shkelje të barazisë në tendera, por për korrupsion dhe pastrim të parave të përfituara në mënyrë kriminale.
Sa më shumë detaje të dosjeve publikoheshin në media, aq më shumë përflitej një kërkesë e dytë drejtuar socialistëve në kuvend për arrestimin e Ballukut.
Vetëm se kjo nuk ndodhi. Hetimet kanë përfunduar dhe dosja është dërguar në gjykatë.
Për t’u justifikuar para gazetarëve që i kishte mbledhur në një takim pa kamera, drejtuesi i prokurorisë së posaçme Klodian Braho ka cituar disa pjesë të raportit që hartuan deputetët e Ramës në muajin mars, kur votuan kundër arrestimit të Ballukut.
Aty, socialistët arsyetonin se edhe sikur SPAK të vinte me gjetje të reja, kjo nuk do të ndryshonte asgjë në qëndrimin e tyre.
“Vetëm zgjerimi i hetimit ose shtimi i episodeve të dyshuara nuk mund te konsiderohet automatikisht si rrethanë e re procedurale që justifikon rëndimin e masës së sigurimit” ishte citimi që Klodian Braho u solli gazetarëve nga raporti i socialistëve.
Me pak fjalë SPAK e kishte pasur të qartë ; edhe sikur të kishte sjellë një kërkesë të dytë për arrestimin e Ballukut, me vilat e reja që i ishin gjetur zv.kryeministres, sërish përgjigjia që do të merrnin në kuvend do të ishte refuzimi për arrestimin e saj
“Pavarësisht shtimit të akuzave për të pandehurën Belinda Balluku, në mungesë të të dhënave apo prova të reja, përtej pretendimeve të paraqitura në Kuvend dhe të cilat nuk u vlerësuan të mjaftueshme nga Kuvendi, që të krijonin dyshime se e pandehura mund të prishte provat, mundet të largohej apo mund të kryente të njëjtën vepër penale, Prokuroria e Posaçme nuk ka patur argumente ligjore dhe prova me vlerë provuese të mjaftueshme, që të paraqiste në Kuvend një kërkesë të re për dhënien e autorizimit për të pandehurën Belinda Balluku”u justifikua Braho.
I zhgënjyer nga justifikimet e Brahos, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi thotë se citimi që Braho i bën shënimeve të deputetëve të Partisë Socialiste është dorëzim.
“Dorëzim i drejtësisë tek korrupsioni dhe ndarje e pushtetit të korruptuar me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun” shkruan Bardhi në një status në rrjetet sociale.
Sipas tij, mjafton fakti se Ervis Berberi është në burg kurse bashkëpuntorja e tij e ngushtë, Belinda Balluku mbetet në liri, për të rrëzuar të gjitha justifikimet e SPAK në këtë çështje.
“Nëse provat janë siguruar kryesisht përmes kontrollit personal të të pandehurit Evis Berberi, përse nuk iu nënshtrua të njëjtës masë procedurale edhe Belinda Balluku? Nëse të dhënat e hetimit janë siguruar përmes kontrollit të banesës së Evis Berberit, përse nuk u kërkua zbatimi i të njëjtit standard edhe për banesën e Belinda Ballukut?” pyet kreu i grupit parlamentar të PD.
Në realitet, SPAK ka dërguar në gjykatë një dosje relativisht të rëndë. Aty janë analizuar procedura të shumta tenderash, ka plot mesazhe dhe komunikime për dëme që llogariten në rreth 60 milion euro. Aty janë edhe dy vilat e sekuestruar, por edhe akuzat për pabarazi në tendera, korrupsion dhe pastrim të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Ajo që kërcet është standarti i dyfishtë. Për shumë më pak prova dhe akuza, politikanët e tjerë janë vënë në pranga ende pa nisur gjyqi.
SPAK vendosi standardet e një shteti policesk me paraburgimin. Struktura drejtohej deri para një viti nga Altin Dumani dhe kishte nxitjen e Edi Ramës për më shumë agresivitet. Ishte koha kur u arrestuan pa nisur ende gjyqi Sali Berisha, Ilir Meta apo u kërkua arrestimi i Arben Ahmetajt. Deklaratat e Edi Ramës për arrestimin e tyre janë publike. Edhe për politikanë të tjerë, ai e mbështeti në heshtje punën e SPAK.
Rasti i Belinda Ballukut ishte i pari që vuri në sprovë realisht fuqinë e prokurorëve të posaçëm dhe të zyrtarëve të huaj përballë pushtetit të Ramës. Hetimet u nxitën nga mesazhe të forta të ambasadorëve të vendeve perëndimore që shtynë përpara veprimet e prokurorëve në hetimin e Belinda Ballukut, por kjo zgjati deri në ditën kur Rama e hodhi në kosh reformën në drejtësi. Me votimin e 12 marsit 2026 në parlament, ai i veshi Belinda Ballukut një mburojë që ishte përgatitur me votat e deputetëve socialistë dhe që askush nuk e kishte gëzuar para saj
Që nga ai moment, prokurorët e SPAK, më shumë se “heronjtë e fëmijëve tanë” u dukën si disa njerëz të gjendur rastësisht në betejën e ambasadave të huaja kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare. Megjithatë morën frymë të lehtësuar.
Në ditën kur Rama mbrojti Ballukun, mori fund edhe teatri i luftëtarëve të paepur të korrupsionit qeveritar. Si të gjitha institucionet e tjera, edhe prokurorët e posaçëm pranuan limitet e tyre. Prandaj nuk ishte nevoja të dërgonin një kërkesë të dytë për arrestimin e Ballukut. Teatri ka mbaruar. Nuk është më çudi që prokurori të lexojë atë që kanë shkruar deputetët e Ramës për t’u orientuar./Lapsi.al




