Precedenti i Ukrainës, si institucionet shqiptare i dhanë tendera TIMAK në shkelje dhe mungesë licensash

Precedenti i Ukrainës, si institucionet shqiptare i dhanë tendera TIMAK në shkelje dhe mungesë licensash

Miliona euro ka përfituar kjo shoqëri për zjarrfikëse, ambulanca dhe makina për pastrimin e qyteteve, që nga viti 2018.

Sipas deklaratave të Arjeta Pucës të gjitha këto mjete janë të modifikuara nga shoqëria Timak edhe pse këto modifikime duhet të çertifikohen nga disa institucione shtetërore të cilat deri më sot kanë rrefuzuar të na përgjigjen.

Timak i Arjetës ka qënë kompania e përzgjedhur e bashkive dhe për grantet e Qeverisë Japoneze.

Sot do të ndalemi në vetëm 2 prej rasteve, për të ilustruar këtë skëmë dhe për tju treguar se si bëhen tenderat në vendin tonë, dhe kemi përgjedhur të trajtojmë pikërisht ato ambulancat me logo TIMAK.

Pikërisht ato ambulancat e loguara që keni parë gjatë protestave pak ditë më parë, ku shqiptarët dhunoheshin barbarisht. Ambulanca që jo në pak raste u denoncuan nga qytetarët se përdoreshin për të furnizuar Policinë me gaz lotsjellës e jo për ti dhënë ndihmën e shpejtë qytetarëve që dergjeshin në rrugë, por kjo i mbetet organeve ligjzbatuese ta verifikojnë.

Sot do bëjmë kronologjinë e fakteve, konkluzionin nxirreni ju dhe veprën penale ta vlerësojë SPAK, nëse ndonjë ditë do të shqetësohet për milionat e zhvatura nga kjo aferë.

Viti 2020 ishte një vit shumë i vështirë për shqiptarët, pasi pandemia e gjeti sistemin tonë shëndetësor totalisht të papërgatitur.

Teksa 13 mijë shqiptarë humbën jetën pa infektimit nga virusi vdekjeprurës, dhe mijra të tjerë endeshin spitaleve apo kuroheshin në banesa me medikamente të blera në rrugë informale, shteti shqiptar në vend të sigurimit të barnave për ta, nuk nguronte që të mendonte edhe për Arjeta Pucën, dhe klientë të tjerë si ajo. Ku pandemia dhe fatkeqësia e shqiptarëve, por përdorej për ca pazare më shumë.

Me fonde të lëvruara nga Qeveria Japoneze në ndihmë të shqiptarëve për të patur ambulanca, Spitali i Krujës i Drejtuar nga Yllka Kukalaj hap tenderin për blerjen e një autoambulance.

Plug sot do i analizojë të dy këto tendera të shapllur në diferencë të pakë ditëve nga njëri tjetri.

Në datën 25.06.2020 Spitali Krujë hap tenderin, për blerjen e një autoambulance me fond limit 8.979.200 lekë pa tvsh.

Sipas të dhënave rezulton se ofertuesi i vetëm në këtë tender është shoqëria TIMAK.

Por të shohim më në detaj, kriteret e përcaktuara nga Spitali Krujë, sidomos specifikimet teknike pasi TIMAK shpk deklaron se prodhon Mjete made in Albania por ndërkohë nuk është kështu. Kjo kompani përshtat mjete për të qënë ambulance.

Në faqet 32-33 të Dokumentave Standarte të tenderit përcaktohen kriteret ekonomike dhe teknike që duhet të plotësohen për pranimin e ofertës

“1. Prodhuesi i ambulances duhet te jete i pajisur dhe të paraqesë me Çertifikatat e mëposhtme:

I: ISO 45001:2018

II: EN 1789:2007

2. Operatori ekonomik duhet te provojë që është i autorizuar nga prodhuesit ose nga distributorët e autorizuar nga prodhuesit, për këtë objekt prokurimi. Në rast se do të paraqitet kjo e fundit, duhet të vërtetohet lidhja midis Distributorit te Autorizuar dhe Prodhuesit. Autorizimi duhet të permbajë te dhena te plota te prodhuesit si: telefon, email, ëebsite. Kjo eshtë e nevojshme per Autoritetin Kontraktor ne rast verifikimi nga ana e tij.

3. Operatori ekonomik duhet të paraqesë katalogë teknikë/ broshura ose çdo lloj dokumentacioni tjetër teknik, te përkthyer dhe noterizuar, që vërteton plotësimin e specifikimeve teknike të automjetit, kabines, pajisjeve dhe aparaturave mjekësore të kabinës së pacientit për autoambulancen e kërkuar në DST, ku të markohen (për lehtësi identifikimi) specifikimet teknike te kërkuara në DST.

4. Operatori ekonomik duhet të paraqesë një deklarate që merr përsipër dhe garanton mbulimin e periudhës se garancise sipas përcaktimeve në specifikimet teknike në DST (duke përfshirë 5 vjet garancinë për automjetin, 2 vjet garancinë për autoambulancën (kabinën e pacientit) dhe 2 vjet garancinë për pajisjet dhe aparaturat mjekësore).

5. Operatori Ekonomik duhet te kete vendin e vet per servisim per te cilin duhet te deklaroje adresen dhe te jete i pajisur me Licence per autoriparimin e mjeteve me motor dhe rimorkiove.”

Pra për të fituar këtë tender, TIMAK duhet të plotësonte disa kushte teknikë që nga certifikimi EN 1789:2007, te autorizimi i prodhuesit e deri te pasja e një servisi të licensuar për riparimin e mjeteve.

2.2 Kapaciteti ekonomik dhe financiar:

3. Operatori ekonomik duhet të paraqesë dëshmi për furnizimet e mëparshme të ngjashme të kryera gjatë 3 (tre) viteve të fundit nga data e zhvillimit të procedurës, në vlerën jo më pak se 40% e vlerës së fondit limit.

Këto furnizime të mëparshme, të ngjashme, duhet të vërtetohen me dokumentacionin si më poshtë:

a) Kur furnizimet e ngjashme janë realizuar me ente publike, operatori ekonomik duhet të paraqesë vërtetimin e lëshuar nga institucioni shtetëror ose faturat tatimore ku të shënohen datat, shumat dhe sasitë e mallrave të furnizuara.

b) Kur furnizimet e ngjashme janë realizuar me subjekte private, operatori ekonomik duhet të paraqesë faturën përkatëse tatimore të shitjes ku të shënohen datat, shumat dhe sasitë e mallrave të furnizuara.

Dokumentacionin shoqëritë që do të aplikonin në këtë tender duhet ta dorëzonin deri në datën 20 korrik 2020. Kjo është një datë shumë e rëndësishme pasi në të njëjtën përiudhë TIMAK ka konkuruar edhe ne një tjetër institucion po per prodhimin e ambulancave që do e analizojmë në vijim.

Siç e thamë dhe më lartë, në këtë procedrë prokurimi e cila në openspendin është me flamur të kuq, mori pjesë vetëm shoqëria TIMAK dhe sigurisht Yllka Kukalaj, jo vetëm që nuk e anulloi për mungesë konkurrene por shpall fituese shoqërinë TIMAK.

Nuk duam të spekulojmë dhe po besojmë se për siptalin e Drejtoreshë Yllkës, TIMAK i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura.

Prandaj për të hedhur më shumë dritë emisioni PLUG vendosi të analizojë një tjetër procedurë e zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqëndruara për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e 36 ambulancave.

Kjo procedurë është hapur vetëm pak ditë pas Spitalit të Krujës, çka na ndihmon të analizojmë dhe dokumentacionin që ka mundur të depozitojë TIMAK për plotësimin e kritereve teknike dhe financiare.

Në datën 06.07.2020 Operatori i Blerjeve të Përqëndruara shpall tenderin me vlerë 194 milion ose 1.9 milion euro pa tvsh.

Sipas të dhënave të dokumentit standart të tenderit shoqëria fituese duhet te plotësojë.

2.3 Kapaciteti teknik:

1. Operatori ekonomik duhet të paraqesë dëshmi për furnizimet e mëparshme të ngjashme të kryera gjatë 3 (tre) viteve të fundit nga data e zhvillimit të procedurës, në vlerën jo më pak se 40% të vlerës së fondit limit.

2. Operatori ekonomik duhet të provojë që është i autorizuar nga prodhuesit ose nga distributorët e autorizuar nga prodhuesit, për këtë objekt prokurimi. Në rast se do të paraqitet kjo e fundit, duhet të vërtetohet lidhja midis Distributorit tëAutorizuar dhe Prodhuesit. Autorizimi duhet të përmbajë të dhëna të plota të prodhuesit si: telefon, e-mail, ëebsite kjo e nevojshme për Autoritetin Kontraktor në rast verifikimi nga ana e tij.

3. Operatori ekonomik duhet të paraqesë një deklaratë që garanton dhe merr përsipër se autoambulanca dhe pajisjet mjekësore që do të ofertojë janë të prodhuara dhe përmbushin kërkesat, certifikimet dhe standartet e cilësisë të përcaktuara në specifikimet teknike në DST, si dhe faktin se të gjitha certifikatat për standartet e cilësisë duhet të shoqërojnë mallin në momentin e marrjes në dorëzim.

4. Operatori ekonomik duhet të paraqesë një deklaratë ku të përshkruajë dhe të specifikojë sa më poshtë:

* kompaninë prodhuese, modelin A dhe vendin e prodhimit të automabulancës, si dhe modelin dhe vitin e prodhimit të automjetit.

5. Operatori ekonomik duhet të paraqesë katalogë teknikë/ broshura ose çdo lloj dokumentacioni tjetër teknik, të autoambulancës model A, ku të përfshihen specifikimet teknike të automjetit dhe kabinës së pacientit, të përkthyer dhe noterizuar. Në katalogë/ broshura duhet të markohen (për lehtësi identifikimi) specifikimet teknike të kërkuara në Shtojcën 10 të DT.

6. Operatori ekonomik duhet të paraqesë katalogë teknikë/ broshura ose çdo lloj dokumentacioni tjetër teknik, të pajisjeve dhe aparaturave mjekësore të kabinës së pacientit të autoambulancës model A, që vërteton plotësimin e specifikimeve teknike, të përkthyer dhe noterizuar. Në katalogë/ broshura duhet të markohen (për lehtësi identifikimi) specifikimet teknike të kërkuara në Shtojcën 10 të DT.

Pra janë pak a shumë të njëtat kritere dhe për tendering në Spitalin e Krujës, e disa prej specifikimeve teknike, të ngjshme me ato për të cilat Ukraina në luftë skualifikoi TIMAK.

Sipas DST(dokumentit standar të tenderit), Autoambulancat dhe pajisjet të plotësojnë standartin SSH EN 1789.

Në këtë tender marrin pjesë 3 operatorë, ALBANIA MOTOR COMPANY SHPK, CLASSIC SHPK dhe bashkimi i operatorëve TIMAK SHPK dhe START CO SHPK.

Ky tender në openspendin Albania është klasifikuar me Flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët përveç fituesit.

Plug investigoi dhe më tej për të parë detajet e skualifikimit për operatorin TIMAK.

Sipas të dhënave të bëra publike në Njoftimin e Fituesit TIMAK është skulifikuar pasi nuk plotësonte shumicën e kritereve financiare dhe teknike të vendosura.

9. Anëtari i BOE “TIMAK” SHPK nuk arriti të provojë se ka realizuar furnizime të mëparshme të ngjashme të kryera gjatë 3 (tre) viteve të fundit nga data e zhvillimit të procedurës. Ky anëtar i BOE –së referuar pjesëmarrjes në këtë bashkim operatorësh duhet të paraqiste dokumentacion provues për realizimin e furnizimeve të ngjashme në vlerën prej jo më pak se 47,129,040 lekë pa TVSH. Nga verifikimi i dokumentacionit të paraqitur si pjesë e ofertës të dorëzuar në SPE për këtë procedurë prokurimi rezulton të ketë paraqitur furnizime të ngjashme në vlerën prej 26,488,648 lekë pa TVSH. Furnizimet e deklaruara me vërtetimin me nr. 49560/1 prot.,datë 31.12.2019 me faturat tatimore me nr. 40 datë 02.05.2019; me nr.41 datë 02.05.2019 i lëshuar nga Bashkia Tiranë, nuk vlerësohet si furnizim i ngjashëm me objektin e prokurimit.

Pra si punë të ngjashme Timak ka depozituar fatura të lëshuara për Bashkinë Tiranë.

TIMAK ishte shpallur fituese në një tender me zero konkurrence, i zhvilluar me negocim të drejtëpërdrejtë nga Bashkia Tiranë.

Sipas buletinit nr.49 të dhjetorit 2019 përftojmë të dhëna shumë interesante sesi bëhen tenderat ne Bashkinë e Tiranës kur duhet të blejnë zjarrëfikëse nga TIMAK.

BASHKIA TIRANË

FORMULARI I NJOFTIMIT TË FITUESIT

Tiranë, më 29/ 11/ 2019

Drejtuar: Operatorit ekonomik “TIMAK” shpk Adresa: Njësia Administrative Vaqarr, ndërtesa Kështjella Konti, kthesa e Arbanës, Vaqarr, Tiranë

* * *

Procedura e prokurimit: Me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës Numri i referencës së procedurës: REF-45144-11-27-2019

Përshkrim i shkurtër i kontratës: “Blerje automjete zjarrëfikëse për drejtorinë e MZSH-së”

Fondi limit: 20.833.333 (njëzetë milion e tetëqind e tridhjetë e tre mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa tvsh Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin:

Afati për dorëzimin e automjeteve është 1 (një) ditë.

Data e zhvillimit të procedurës së prokurimit: 29/11/2019, ora 09:00

Kriteret e përzgjedhjes së fituesit: çmimi më i ulët

Njoftojmë se, ka qënë pjesëmarrës në procedurë ofertuesi ekonomik me vlerën përkatëse të ofruar si më poshtë:

1. Operatori ekonomik “TIMAK” shpk NUIS L62030020B

Pra e thënë më qartë në datën 27 nëntor, vetëm 1 ditë pas tërmetit të datës 26, Bashkia Tiranë kërkonë të blejë një zjarrfikëse. Sigurisht nuk shpall tender se e kishte me urgjencë dhe e bënë me negocim pa shpallje paraprake. Dy ditë më pas, në datën 29 shpall fitues TIMAK se vetëm ai mesa duket qënka njoftuar nga Bashkia Tiranë.

Por rikthehemi tenderit të ambulancave. Sipas këtij dokumenti kuptojmë se TIMAK nuk kishte kryer asnjëherë furnizime të ngjashme, pra AMBULANCA.

Kur nuk ka patur furnizime të ngjashmë si e ka shpallur fitues këtë subjekt Drejtoresha e Spitalit Krujë Yllka Kukalaj? Duket se emergjenca për Kukalajn, që sot është emëruar në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, ka qenë edhe më e madhe se Ukraina në luftë.

Por vazhdojmë të analizojmë dhe më tej arsyet e skualifikimit.

Anëtari i BOE “TIMAK” SHPK rezulton të ketë paraqitur si pjesë e ofertës së tij dokumentit të emërtuar: “Fatura”, me numër të faturës 00047, me datë të faturës 14.07.2020; faturuar: UNCHR bo Libya. Në lidhje me këtë dokument KVO në mbështetje të pikës 4 të nenit 30 të ligjit nr.9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar; të pikës 2 të nenit 66, të VKM nr.914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ka kryer verifikime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Tiranë e cila me shkresën me nr.19145/1 prot.,datë 18.08.2020 (protokolluar me tonën me nr.1585/2 datë 20.08.2020) ka konfirmuar se…. dokumentit të emërtuar: “Fatura”, me numër të faturës 00047, me datë të faturës 14.07.2020, nuk është faturë tatimore e parashikuar dhe e përpiluar në formën e caktuar, të miratuar nga Ministri i Financave sic parashikohet në ligjin nr.92/14 datë24.07.2014 për TVSH-në neni 101.Gjithashtu nuk është faturë tatimore komjuterike e shitjes e autorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve…”. Sa më sipër, dokumentit i emërtuar: “Fatura”, me numër të faturës 00047, me datë të faturës 14.07.2020; faturuar: UNCHR bo Libya, nuk konsiderohet i vlefshëm pasi nuk është faturë tatimore konform legjislacionit në fuqi.

Pra TIMAK ka paraqitur një faturë të datës 14 korrik 2020, për shërbime të kryera për UNCHR në Libi. Për këtë faturë, Operatori i Blerjeve të Përqëndruara i është drejtuar, Drejtorisë së Përgjithshmë të Tatimeve, e cila konfirmon se ajo nuk është faturë e lëshuar konform ligjit si dhe nuk është faturë kompjuterike e miratuar nga ata.

Kjo nuk është thjeshtë një shkresë arsye për skualifikim por do duhet që Tatimet jo vetëm të kryeni kontroll të thelluar në subjektin TIMAK, por dhe ta referonin në prokurori pasi kemi të bëjmë më një vepër penale.

10. Anëtari i BOE “TIMAK” SHPK rezulton të ketë deklaruar se është prodhues i ambulancës si dhe “vend i prodhimit te autoambulances do te jete Shqiperia (Made in Albania), por si pjesë të ofertës së tij në SPE nuk rezulton të ketë paraqitur dokumentacion që vërteton plotesimin e kriterit “Specifikimet Teknike, paragrafi I, pika 11: Furnizimi dhe montimi i pajisjeve dhe atrecatures ne Autoambulanca, sipas kerkesave te dhena nga AK, duhet te kryhet nga prodhuesi i autoambulances ose nje operator i autorizuar prej tij dhe i certifikuar sipas legjislacionit ne fuqi.” Pra,ofertuesi nuk arriti të provojë se është nga kompania prodhuese “FIAT”, ne mënyrë qe furnizimi, montimi i pajisjeve dhe atrecatures se autoambulancës te behet ne Shqipëri nga Anëtari i BOE “TIMAK” SHPK.

Timak nuk ka dorëzuar asnje dokumentacion që të vërtetojë se produkti është MADE IN ALBANIA dhe nuk paraqiti autorizim nga shoqëria FIAT.

11. Anëtari i BOE “TIMAK” SHPK, në përmbushje të kriterit “2.3 Kapaciteti teknik, pika 5”, ka paraqitur katalogun teknik në të cilin nuk rezulton të jenë markuar te dhenat teknike duke mos përcaktuar qartë se me cfare tipi automjeti ka ofertuar, pasi ka paraqitur disa modele ne teërësi (30, 33, 35) duke mos deklaruar qartë llojin e mjetit me të cilin ka ofertuar…

Pra është e qartë se TIMAK nuk plotësonte asnjë kriter ekonomik apo tekniknë tenderin e shpallur në datën 6 korrik. Po si është e mundur që këto kritere i plotësoi për tenderin e hapur nga Yllka Kukalaj në Spitalin e Krujës.

Sipas afateve të përcaktuara në tender, këto 36 ambulanca shoqëria fituese do duhet ti dorëzonte brenda 60 ditëve dhe ashtu ka ndodhur pasi i ka dorëzuar në dhjetor të vitit 2020. Por ajo që na habit është aryeja përse në rrjetet zyrtare të TIMAK publikohen si ambulanca MADE IN ALBANIA të prodhuara nga ajo.

Emisioni Plug bëri dhe një tjetër verifim në QKB për objektin e aktivitetit e aktivitetit të shoqërisë TIMAK ku rezultoi se deri në vitin 2023 ajo as nuk e kishte vendosur si objekt të saj modifikimin apo prodhimin e AMBULNCAVE.

Ajo që na ra në sy ishte fakti që në momentin e themelimit Arjeta Puca kishtë vendosur si objekt të aktivitetit edhe prodhimin e armëve, por mesa duket nuk e ka zhvilluar atë biznes derisa njohu Ron YEFFET.

Një tjetër fakt interesant që përftohet nga bilancet e kompanisë TIMAK për vitin 2020 është se fondi I pagave për 1 vit ka qënë 3.4 milion lekë ose 280.000 lekë në muaj. Kjo shoqëri në atë vit deklaron se ka patur instalime dhe pajisje në vlerën 1 milion lekë ose më pak se 10.000 euro. Prandaj pyetja që na lind në sot është si ka mundësi që prodhoi në kohë rekord 36 ambulanca për Ministrinë e Shëndetësisë dhe 1 për Spitalin e Krujës.

Emisioni PLUG, në datën 10.10.2026, i ka drejtuar kërkesa për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Ppërgjithshme të Trasportit Rrugor pikërisht për të kërkuar informacion nëse i kanë certifikuar këto Autoambulanca, por deri më sot dhe pse ka kaluar mbi një muaj këto institucione rrefuzojnë të përgjigjen.

Prandaj në fund po i drejtohemi dhe njëherë Erma Nufit, se SYRI TV dhe emisioni PLUG ka investiguar dhe do investigojë çdo aferë të kësaj qeverie duke zbatuar jo vetëm kodin e etikës gazetareske por dhe ligjin “Për të drejtën e informimit”. Dhe në këtë rast, nuk është Emisioni Plug që abuzon me misionin, por jeni ju që refuzoni ti përgjigjeni kërkesave për transparencë.

Pra Shqipëria nuk mund të jetë as në stadin e një shteti prej vitesh në luftë, e në nevojë ulëritëse për mjete e armë! E patë qartë se si për të njëjtat mjete, me të njëjtat kushte, Ukraina as nuk e klasifikon për të marrë pjesë në tendera, ndërsa shtetarët e Edi Ramës e sdhpallin fitues!

Dhe si? Për të prodhuar 36 + 1 ambulanca një kompani pa punonjës, pa eksperiencë e për më tepër pa lincencë për ta bërë këtë punë. Por gjithësesi milionat vijojë… Një përgjim i ri doli sot në dritë, për ta kuptuar edhe ata shikues dyshues, se problem nuk është vërtetësia e provave, por fakti se këto prova nuk duhet të dalin në dritë!

Natën e Mirë!
Plug

Share it :