Veliaj i drejtohet Taulant Ballës, kërkon komision hetimor për Ramën dhe ministrin Gogu: Më kërcënuan për të dhënë dorëheqjen

Veliaj i drejtohet Taulant Ballës, kërkon komision hetimor për Ramën dhe ministrin Gogu: Më kërcënuan për të dhënë dorëheqjen

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar zyrtarisht kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për atë që i cilëson si ndërhyrje dhe kërcënime të ushtruara ndaj tij nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Në një deklaratë publike të datës 11 nëntor, Veliaj pretendon se transferimi i tij nga paraburgimi në Durrës drejt Fierit dhe kushtet e qëndrimit në paraburgim mund të jenë përdorur si mjete presioni politik, me qëllim që ai të pranonte organizimin e protestave në Tiranë dhe të jepte dorëheqjen nga mandati i kryetarit të bashkisë.

Veliaj shprehet se është i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të përballet drejtpërdrejt me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe të paraqesë çdo provë që disponon. Ai kërkon gjithashtu që të njëjtit standard llogaridhënieje t’i nënshtrohet edhe kryeministri Edi Rama.

Kryebashkiaku thekson se kërkesën ia ka drejtuar vetë shumicës socialiste, duke argumentuar se kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk duhet të varet nga përkatësia politike e personave që duhet të japin llogari.

Ndërkohë, Veliaj bën me dije se ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ai thotë se ka kërkuar edhe ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.

Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, deklaron Veliaj

DEKLARATË E KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË, ERION VELIAJ

Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.

Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.

Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.

Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.

Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë

Share it :
Dëshmia rrëqethëse e qytetares në protestë: Në Onkologjik nuk ka ilaçe! Çfarë dialogu kërkon kryeministri Një dëshmi prekëse është bërë publike gjatë protestës para Kryeministrisë, ku një qytetare ka rrëfyer për News24, për gazetarin Osman Stafa, vështirësitë e saj dhe të bashkëshortit për t’u përballur me sëmundjen e rëndë, por edhe mungesën e medikamenteve në Spitalin Onkologjik. Gruaja, e cila prej tre vitesh është paciente në Onkologjik dhe vetë ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks, tregon se bashkëshorti i saj vuan nga kanceri në mushkëri dhe nuk ka mundur të vijojë kimioterapinë për shkak të mungesës së ilaçit Docetaxel. Sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti duhej të merrte seancën e tretë të kimioterapisë, e cila kryhet çdo 15 ditë, por që prej datës 28 shtator trajtimi është ndërprerë. Ajo rrëfen se janë drejtuar pranë institucioneve shëndetësore, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete. Më tej, ajo ngre shqetësimin edhe për mungesën e mundësisë për të kryer një ekzaminim PET Scan, të cilin bashkëshorti duhet ta kishte bërë disa muaj më parë. Sipas saj, përgjigjja që kanë marrë është se ekzaminimi mund të ofrohet në vitin 2027, ndërsa në privat kushton rreth 1600 euro. Qytetarja tregon se si ajo, ashtu edhe bashkëshorti kanë punuar për dekada me radhë, përkatësisht 32 dhe 42 vite, ndërsa sot, në përballjen me sëmundjen, ndihen të braktisur nga institucionet. “Kam ardhur sot në protestën para Kryeministrisë, edhe pse nuk jam shumë në gjendje të protestoj. Jam paciente e Onkologjikut prej 3 vitesh, bashkë me burrin. Unë jam operuar në gjoks, ndërsa burri vuan nga kanceri në mushkëri. Burri ka qenë duke bërë kimioterapi, por që nga data 28 shtator nuk e ka marrë më trajtimin, sepse nuk ka ilaç. Shkuam te Drejtoria e Shëndetësisë dhe na thanë të prisnim. Kemi lënë numrat e telefonit, por nuk na ka marrë askush. Nuk dimë se si t’ia bëjmë. Burri duhet të merrte seancën e tretë të kimioterapisë. Seancat duhet t’i bëjë një herë në 15 ditë, por që nga data 28 shtator nuk e ka bërë më. Docetaxeli mungon dhe nuk mund ta bëj as jashtë vendit, sepse ka edhe efekte anësore. Në Spitalin Onkologjik nuk ka ilaçe dhe ne nuk kemi asnjë përgjigje. Shkojmë te Ministria e Shëndetësisë dhe na thonë të presim. Nuk dimë ku të ankohemi. Unë kam 32 vite punë, burri 42 vite punë. Kemi punuar për këtë shtet dhe, kur vjen fundi, nuk ka ilaçe. PET Scan-in duhet ta kishte bërë para 6-7 muajsh. Na thonë se do të vijë në vitin 2027. Po ku ta bëj? Më thonë ta bëj në privat, por kushton 1600 euro. Ku t’i gjej unë këto para? Kush do të na përgjigjet ne? Shteti na ka lënë në këtë gjendje, ose të vdesim, ose të bëjnë çfarë të duan. Shteti ka rënë në tokë. Këtë nuk ia falim! Kryeministri thotë: ‘Hajde në dialog’. Të vijë të bëjë dialog me mua! Nuk ke ilaçe për të shëruar njerëzit, çfarë dialogu kërkon?! I bëj thirrje të gjithë rinisë që të mos e ndalë këtë protestë, sepse vendi është i yni, nuk është i këtyre kriminelëve”, ka deklaruar qytetarja.