Rikthimi i ONM-së në GJK, Kalaja: Rama dhe njerëzit e tij nuk duan rikthimin e gjyqtarëve të shkarkuar
Juristja Adriana Kalaja, e ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka ngritur shqetësime për përfshirjen e një organizate ndërkombëtare monitoruese në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, duke e lidhur këtë zhvillim me çështjen e rikthimit në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vettingu.
Sipas Kalasë, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj duke marrë rolin e Kuvendit dhe duke prodhuar një normë që, sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut që lidhen me Dhomën e Këshillimit.
Kalaja akuzoi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe gjyqtaren Marsida Xhaferllari se kanë qenë iniciatore të këtij procesi, duke pretenduar se është ushtruar ndikim i paligjshëm për kalimin e draftit. Ajo e cilësoi këtë veprim si një ‘puç kushtetues’.
Sipas saj, synimi është që përfaqësuesit e ONM-së të jenë të pranishëm edhe në gjykime të rëndësishme dhe jo vetëm në çështjet që lidhen me Strasburgun.
‘Gjykata Kushtetuese, përveçse ka marrë rolin e Kuvendit, ka prodhuar një normë që nuk i takon të prodhojë. Gjykata Kushtetuese interpreton normën dhe zbatimin e saj. Pra, ka marrë rolin e Kuvendit, ka prodhuar një normë dhe, mbi të gjitha, kjo normë që ka prodhuar bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me të gjitha vendimet e Gjykatës së Strasburgut që lidhen me Dhomën e Këshillimit të Gjykatës.
Atëherë, bashkëjetuesja e Theo Jacobs-it, ju e dini që unë nuk kam asnjë lloj kompleksi, e ka iniciuar këtë proces së bashku me Sokol Çomën, i cili mban përgjegjësi për situatën ku ndodhet. Mbi të gjitha, edhe ne si Parti Demokratike duhet të jemi pak më racionalë, në mënyrë që ta çojmë deri në fund atë që kemi marrë përsipër të bëjmë në interes të vendit. Janë kryetarja Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari ato që kanë qenë iniciatoret dhe që, duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe duke shpërdoruar detyrën, kanë bërë të mundur kalimin e këtij drafti, duke krijuar, në këndvështrimin tim, një puç kushtetues.
Për ata gjyqtarë dhe prokurorë që i fitojnë, i kanë fituar dhe do t’i fitojnë çështjet në Strasburg – sepse procesi atje po vazhdon – kjo është si puna e fotokopjes. Nuk mund të mbahen qëndrime të ndryshme; ato do të vijojnë në mënyrë sistematike. Dhe, për të mos lejuar përsëritjen e precedentit të Antoneta Sevdarit, e cila u rikthye në detyrë me vendim të Gjykatës së Strasburgut, Edi Rama dhe gjithë shpura që i shërben atij në Gjykatën Kushtetuese nuk mund ta pranojnë rikthimin në vendin e punës të atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë shkarkuar me lista.
Kjo është e para dhe ka shumë rëndësi. Përveç kësaj, po futet në Gjykatën Kushtetuese një organizatë, që për mua është një shoqatë, një OJF si monitoruese, me kompetenca të plota, ashtu siç i kishte edhe në KPA. Gjykata Kushtetuese është përpjekur të mashtrojë publikun duke thënë se kjo organizatë nuk ka të drejtë vendimmarrjeje. As në KPA nuk kishte të drejtë vendimmarrjeje, por vendimet i merrte Theo Jacobs dhe të tjerë si ai.
Ajo për të cilën kam bindjen përtej çdo dyshimi të arsyeshëm është se ky mekanizëm në Gjykatën Kushtetuese po krijohet që ata që e hartuan reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj me shokë, të kenë një dorë në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër, synohet që përfaqësuesit e ONM-së të jenë të pranishëm edhe në gjyqe të rëndësishme. Pra, ata nuk kanë interes vetëm për çështjet që shqyrtohen në Strasburg’, tha Adriana Kalaja në SYRI TV.




