4 milionë lekë gjobë nëse mbron korrupsionin, 5 milionë lekë gjobë nëse proteston kundër korrupsionit
Nga Belind Këlliçi/
Këtu ka mbërritur Shqipëria me Edi Ramën. Në këto standarde, në këtë nivel padrejtësie. SPAK ka kërkuar dënim me 4 milionë lekë për ish-deputeten Klotilda Bushka, e cila u kap duke penguar drejtësinë, duke intimiduar dëshmitarët, pra duke mbrojtur korrupsionin e Erion Veliajt.
Ndërsa nëse proteston kundër korrupsionit, gjobitesh me 5 milionë lekë.
Pothuajse çdo ditë del një akt, ose një masë lehtësuese për njerëzit e Edi Ramës që janë kapur me akuza të rënda dhe janë pjesë e sistemit korruptiv që ai ka ngritur.
Ndërkohë që ashpërsohen ndëshkimet dhe rriten gjobat e masat represive si dhe dhuna policore ndaj atyre që janë ngritur kundër korrupsionit.
Sipas drejtësisë tonë është më e gabuar të kërkosh integritet dhe transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi, se sa të jesh pjesë e mekanizmit që ka ngritur Kryeministri më i korruptuar në Europë.
Pikërisht kjo është arsyeja që në Shqipëri ka revoltë, që kërkohet ndryshim.
Korrupsioni nuk mund të imponohet si normë, si kulturë. Ky fenomen që po e shkatërron vendin, do të ikë bashkë me Edi Ramën dhe regjimin e tij.




