Sjellja politike e Macronit me Edi Ramën, e dyshimtë, si paraardhësi i tij me Muammar Gadafin

Sjellja politike e Macronit me Edi Ramën, e dyshimtë, si paraardhësi i tij me Muammar Gadafin

Nga Ndriçim Kulla/

Takimi i 9 nëntorit 2026 në Pallatin Élysée, ku presidenti francez Emmanuel Macron priti kryeministrin shqiptar Edi Rama, është një prej atyre ngjarjeve që meriton një vështrim përtej protokollit diplomatik, sidomos kur vendoset në kontekstin e zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri, të akuzave për korrupsion që kanë përfshirë nivele të larta të qeverisjes, ku përfshijnë direkt kryeministrin Edi Rama, dhe të protestave studentore që prej javësh kërkojnë përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e kryeministrit.

Natyrisht, askush nuk mund të kundërshtojë të drejtën e Francës për të zhvilluar marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe as të drejtën e presidentit Macron për të pritur një kryeministër të një vendi partner. Diplomacia nuk funksionon mbi bazën e simpative politike të brendshme të vendeve që përfaqësojnë palët, por mbi bazën e interesave shtetërore, bashkëpunimit dhe objektivave strategjike. Megjithatë, diplomacia nuk është një hapësirë e shkëputur nga etika politike dhe përgjegjësia morale, sepse një takim i nivelit më të lartë nuk është vetëm një akt komunikimi mes dy shtetesh, por edhe një mesazh publik që mund të interpretohet si vlerësim, mbështetje apo legjitimim politik, veçanërisht kur njëri prej drejtuesve përballet në vendin e tij me një krizë të thellë besimi.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi që duhet të shqyrtojmë. Në Tiranë, ndërkohë që studentët dhe qytetarët vazhdojnë protestat, ndërsa kërkesat për përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e qeverisë janë bërë pjesë e debatit shumë të nxehtë publik, kryeministri shqiptar shfaqet në Paris në një takim të drejtpërdrejtë me presidentin francez, në Pallatin Élysée, dhe përgatitet të flasë në një forum ndërkombëtar për qeverisjen efektive, paqen dhe perspektivën evropiane të brezave të rinj. Kontrasti është i dukshëm dhe nuk mund të mos ngrejë pyetjen se çfarë mesazhi merr shoqëria shqiptare kur një kryeministër që refuzon të japë përgjigje politike ndaj kërkesave të protestuesve vazhdon të shfaqet në skenën ndërkombëtare me mbështetjen ceremoniale të liderëve evropianë.

Nuk është problem shqetësues fare nëse Macron duhet të takohet apo jo me Ramën, por nëse marrëdhëniet ndërkombëtare mund të kufizohen vetëm te protokolli, duke lënë jashtë vëmendjes realitetin politik dhe institucional të vendit që përfaqëson bashkëbiseduesi. Franca ka qenë historikisht një prej vendeve që ka pretenduar të përfaqësojë një traditë të veçantë republikane, ku institucionet, shteti ligjor, liritë qytetare dhe dinjiteti i qytetarit kanë qenë pjesë e identitetit të saj politik. Pikërisht për këtë arsye, nga Parisi pritet më shumë se një marrëdhënie e zakonshme miqësore mes dy drejtuesve politikë; pritet një ndjeshmëri më e madhe ndaj mënyrës se si ushtrohet pushteti dhe ndaj standardeve që duhet të mbrojnë institucionet demokratike.

Por marrëdhënia Macron-Rama ka edhe një dimension tjetër, atë ekonomik, i cili nuk duhet lënë jashtë kësaj analize. Në prill të vitit 2024, gjatë vizitës zyrtare të Ramës në Paris, kryeministri shqiptar foli publikisht për ardhjen e ekselencës franceze në Shqipëri, për investime të mëdha dhe për projekte të përbashkëta, veçanërisht në sektorin e energjisë fotovoltaike. Në këtë kontekst, emri i kompanisë franceze Voltalia dhe projekti i parkut fotovoltaik të Karavastasë kanë një rëndësi të veçantë, sepse këtu marrëdhënia politike mes dy vendeve lidhet drejtpërdrejt me një interes ekonomik konkret dhe me përdorimin e burimeve publike shqiptare.

Për këtë projekt ekziston tashmë një debat publik që nuk mund të mbyllet me deklarata të përgjithshme për investimet e huaja. Voltalia fitoi një tender ndërkombëtar në vitin 2020, me një ofertë prej 24,89 eurosh për megavat/orë, ndërsa më pas, sipas dokumenteve dhe materialeve të publikuara nga emisioni investigativ PLUG, marrëveshjet e shitjes së energjisë u ndryshuan në mënyrë të tillë që lindin pikëpyetje serioze për kushtet ekonomike të përfituara nga kompania dhe barrën që mund të ketë marrë përsipër shteti shqiptar. Investigimi ka ngritur pretendimin se ndryshimet kontraktore mund të prodhojnë një përfitim shtesë për kompaninë që tejkalon 111 milionë euro gjatë periudhës së llogaritur. A nuk është ky fakt një dyshim i thellë për korrupsion?!

Një element që e bën këtë çështje edhe më të rëndësishme është kronologjia e kontakteve politike. Sipas materialeve të publikuara nga PLUG, gjatë vizitës së Ramës në Paris më 22 mars 2021, në bisedimet me Macron është diskutuar edhe për Voltalian dhe investimet franceze në sektorin energjetik shqiptar. Më pas, sipas të njëjtit investigim, marrëveshjet që lidhnin prodhimin dhe shitjen e energjisë morën një drejtim tjetër nga ai i parashikuar fillimisht. Kjo kronologji nuk provon se Macron ka kërkuar ndryshimin e kontratës dhe as se ekziston një marrëveshje korruptive mes dy drejtuesve, por ngre një pyetje legjitime, të cilën institucionet shqiptare kanë detyrimin ta sqarojnë: çfarë u diskutua konkretisht në takimet politike për këtë investim dhe a ka pasur ndonjë ndikim të tyre në ndryshimin e kushteve ekonomike të marrëveshjes?

Ky është një dyshim që nuk mund të trajtohet si armiqësi ndaj investimeve franceze. Përkundrazi, investimet e huaja janë të mirëpritura kur zhvillohen mbi bazën e konkurrencës së ndershme, transparencës dhe interesit publik. Por asnjë flamur i huaj, asnjë kompani prestigjioze dhe asnjë miqësi mes drejtuesve politikë nuk mund të përbëjë një mburojë ndaj kontrollit publik. Nëse kushtet e një marrëveshjeje ndryshojnë dhe nëse këto ndryshime sjellin kosto të konsiderueshme për qytetarët shqiptarë, atëherë përgjegjësia për të dhënë shpjegime nuk është një çështje politike e opozitës, por një detyrim ndaj taksapaguesve.

Në këtë pikë duhet kujtuar edhe një precedent i rëndë i historisë politike franceze, jo për të barazuar dy marrëdhënie që nuk kanë të njëjtën natyrë, por për të kuptuar se sa e rrezikshme mund të bëhet ndërthurja e diplomacisë me interesat ekonomike dhe marrëdhëniet personale të pushtetit. Rasti i ish-presidentit Nicolas Sarkozy dhe marrëdhënia e tij me Muammar Gaddafin përfundoi në një proces të rëndë gjyqësor, ku gjykata franceze në shtator 2025 e shpalli Sarkozy fajtor për konspiracion kriminal në çështjen e financimit të dyshuar libian të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Sarkozy ka kundërshtuar akuzat dhe është ankuar ndaj vendimit. Ky precedent nuk është provë për asgjë që lidhet me Macronin apo Ramën, por kujtesa e tij duhet të shërbejë si paralajmërim se marrëdhëniet e ngushta mes drejtuesve të shteteve, pa transparencën e duhur, kur përzihen me interesa financiare dhe ekonomike, kërkojnë transparencë të jashtëzakonshme.

Dhe këtu lind një problem, ndoshta më i rëndësishmi: a është miqësia personale mes dy drejtuesve të shteteve gjithmonë në shërbim të marrëdhënieve mes dy popujve, apo mund të krijojë edhe një hapësirë ku interesat e ngushta të pushtetit të fillojnë të zëvendësojnë interesin publik? Rama e ka paraqitur disa herë marrëdhënien e tij me Macronin si një marrëdhënie të veçantë besimi dhe afërsie politike. Por Shqipëria nuk mund të matë suksesin e diplomacisë së saj me numrin e fotografive të kryeministrit shqiptar, sidomos në situatë shumë kritike si kjo në të cilën ndodhet Shqipëria, në krah të presidentëve të fuqishëm, por me përfitimet konkrete që këto marrëdhënie sjellin për vendin, me cilësinë e investimeve, me transparencën e marrëveshjeve dhe me forcimin e institucioneve.

Në këtë kuptim, pritja e Ramës në Paris në një moment kur në Shqipëri zhvillohen protesta dhe kur çështjet e korrupsionit dhe të përgjegjësisë së qeverisë janë në qendër të debatit publik, me akuza të drejtpërdrejta për Ramën kryeministër, merr një domethënie që shkon përtej një takimi protokollar. Nuk kemi të drejtë të pretendojmë drejtpërdrejt se Macron e organizoi këtë takim për të shpërqendruar vëmendjen nga zhvillimet shqiptare, por dyshimi mbetet. Pra, kemi të drejtë të mendojmë me dyshim nëse një pritje e tillë, në këtë moment të caktuar, nuk krijon një efekt të dukshëm politik për kryeministrin shqiptar, duke i ofruar atij një skenë ndërkombëtare ku imazhi i liderit të respektuar dhe i partnerit evropian vendoset përpara pamjes së një vendi ku qytetarët kërkojnë përgjegjësi nga pushteti.

Kjo është edhe arsyeja pse duhet të flasim për etikën politike. Demokracia nuk mund të jetë një standard që kërkohet vetëm nga qytetarët dhe institucionet e vendeve të vogla, ndërsa për liderët e vendeve të mëdha gjithçka justifikohet me interesin diplomatik. Nëse Evropa kërkon nga Shqipëria respektimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e institucioneve, atëherë këto standarde duhet të jenë pjesë edhe e mënyrës se si vetë liderët evropianë ndërtojnë marrëdhëniet e tyre politike. Përndryshe, qytetarëve u kërkohet të besojnë në një Evropë të parimeve, ndërsa në praktikë u shfaqet një Evropë e interesave, ku fotografitë ceremoniale mund të marrin më shumë vëmendje se pyetjet për drejtësinë dhe përgjegjësinë publike.

Share it :