Berisha: Regjimi ka marrë karakter talebanesk! AMA do hyjë në histori si institucioni xhandar i fjalës së lirë!
Partia Demokratike mblodhi sot pasdite në në sallën “Pjetër Arbnori”, selia e PD-së kryetarët dhe sekretarët e degëve të kësaj partie.
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij tha se, regjimi ka marrë karakter talebanesk. AMA do hyjë në histori si institucioni xhandar i fjalës së lirë, që përdoret për të gjobitur studiot televizive.
Berish: Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt dhe falënderim nga zemra për të gjithë ju për angazhimin, përkushtimin që keni treguar, si dhe për të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë që janë mbledhur nga të katër anët e vendit në mbështetje të revoltës studentore, një revoltë e një rëndësie historike.
Shqipëria sot është narkoshteti më i konsoliduar i planetit, çka do të thotë është dhe diktatura ndër më të këqijat, ose më e keqja, midis të gjithë diktaturave autoritare. Diktatura që pranojnë pluralizmin, por përdorin të gjitha mënyrat për ta shtypur pluralizmin.
Dy ditët e fundit, regjimi ka marrë karakter talebanesk. Në studiot televizive dënohen mediat, dënohen mediat për mendimin e lirë që shpreh i ftuari para drejtuesit, moderatorit të debatit. Pra, narkodiktatori koncepton moderatorët e debateve si policët e moralit, njëlloj si talebanët e Afganistanit apo fanatikët e Ajatullahve.
Vendosin gjoba. E ashtuquajtura AMA, do hyjë në histori si institucioni më i turpshëm, të cilës Edi Rama i jep funksionet e xhandarit të mendimit dhe të fjalës së lirë, përdoret për të gjobitur studiot televizive, në rast se shkon aty dhe thua asgjë më shumë as më pak, se Edi Rama është më mirë të ikësh sesa të zvarritesh e të dalësh i zvarritur nga zyra.
Këto janë përpëlitje të një narkodiktature dhe të një narkodiktatori, të cilat, masa që asnjë tjetër si ai përveç talebanëve që janë të njohur për ministrinë e virtytit e të moralit e të tjera e të tjera nuk i ka adaptuar.
Tani protestues paqësorë, krejtësisht paqësorë në bulevard, i merrnin zvarrë dhe u prisnin fletën e gjobës duke shkelmuar njëherazi Kushtetutën e vendit.
Në Gjirokastër, kandidaten tonë, pedagogen e Universitetit të Gjirokastrës, Alma Buci, dekani i saj i pret ditën e punës në një kohë kur universitetet janë në grevë me urdhër të sindikatave. I janë përgjigjur urdhrit të sindikatave dhe dekani faqezi i thotë se dita e punës të pritet, thotë se ke shkuar në protestë në Tiranë.
Po kështu rektori i Gjirokastrës bën presione të jashtëzakonshme pa shkak se universitetet kanë shpallur grevë.
Nuk respektojnë as edhe një normë, as edhe një standard, kjo është narkodiktatura. Nuk ka ligj për narkodiktaturën, ka vetëm shpërthime të matjes së rrezikshme të saj.




