Dialogu i Ramës, mes ftesës dhe përbetimit për ndëshkime

Për më shumë se pesë muaj, Tirana është kthyer në skenën e një përplasjeje që nuk po prodhon kompromis.

Në njërën anë janë protestuesit, të cilët kërkojnë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Në anën tjetër është Rama, i cili e mbështet qëndrimin e tij te mandati i marrë në zgjedhje dhe refuzon të tërhiqet.

Protesta ka ndryshuar gjatë këtyre muajve. Ka kaluar nga tubimet e përsëritura në përplasje me policinë, arrestime, dëmtime institucionesh dhe denoncime për dhunë. Por, pavarësisht përshkallëzimit, dy palët kanë mbetur në të njëjtat pozicione.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen. Kryeministri përgjigjet me votat.

Rama e sheh mandatin elektoral si bazën e legjitimitetit për të vijuar qeverisjen. Protestuesit pretendojnë se legjitimiteti demokratik nuk matet vetëm ditën e zgjedhjeve dhe se një qeveri duhet të dëgjojë qytetarët edhe pasi kutitë e votimit janë mbyllur.

Pikërisht në këtë moment, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, tërhoqi vëmendjen te mungesa e dialogut dhe te nevoja që qytetarët të kenë mundësi të dëgjohen dhe të ndikojnë në vendimmarrje. Sipas tij, demokracia nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet.

Dialogu është kthyer në fjalën më të përdorur të repertorit të kryeministrit, i cili prej ditësh publikon ftesa për t’u ulur në tryezë me të rinjtë protestues, por mes 2 dialogëve, kontrasti vërehet përtej përdorimeve të së njëjtës fjalë.

Ftesat e përditshme për dialog shoqërohen me një paketë të re masash shtrënguese për shkeljet gjatë protestave, paralajmërime për ndëshkimin e pjesëmarrësve në akte të dhunshme dhe “mbylljen e njërit sy” përpara denoncimeve për dhunë policore.

Protestuesit e shohin paketën e re të masave si një tjetër përpjekje për të kufizuar protestën. Qeveria e argumenton atë me nevojën për të mbrojtur institucionet, pronën dhe qytetarët nga dhuna.

Pas 151 ditësh, asnjëra palë nuk duket se ka lëvizur nga pozicioni fillestar.

Rama këmbëngul te votat që e mbajnë në pushtet, ndërsa në rrugët e Tiranës vazhdon një protestë që kërkon të dëgjohet edhe jashtë kutive të votimit.

Dy kuptime të ndryshme të dialogut

Credits: LSA – Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran

“Ajo që kam parë gjatë muajve të fundit është mungesa e dialogut, ku zëri dhe mendimi i njerëzve nuk është marrë parasysh”, deklaroi ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, duke tërhequr vëmendjen te nevoja për të krijuar hapësira ku qytetarët të dëgjohen dhe të përfshihen në vendimmarrje.

Por ndërsa diplomati fliste për një dialog që duhet të shkojë përtej zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama prej ditësh ka zgjedhur ta shfaqë gatishmërinë e tij për të dëgjuar protestuesit përmes videove të publikuara në rrjetet sociale.

Megjithatë, thirrjet për dialog kanë një histori më të gjatë sesa videot e ditëve të fundit. Për muaj me radhë, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa ky i fundit ka kundërshtuar jo vetëm kërkesën e tyre, por edhe mënyrën se si është paraqitur protesta në hapësirën publike.

Mungesën e dëgjimit dhe shpërfilljen e kërkesave, protestuesit i rendisin ndër arsyet kryesore të përshkallëzimit të tubimeve gjatë 16 ditëve të fundit.

Por qëndrimi i kryeministrit ndaj protestës kishte marrë formë shumë përpara se ajo të përshkallëzohej në përplasje me policinë.

Edhe atëherë, kur përpara Kryeministrisë protestuesit sillnin fëmijë që vizatonin në asfalt dhe armët e tyre të vetme ishin memet satirike e tullumbacet e fryra, Rama fliste për interesa të huaja dhe “duar të zeza” që qëndronin pas tubimeve. Fotografitë e protestuesve publikoheshin në rrjetet e tij sociale, të shoqëruara me akuza për veprimet apo të kaluarën e tyre, ndërsa flamingoja rozë, simboli i revoltës, përfundoi e printuar në bluzën e kryeministrit dhe në fotografinë e profilit të tij në Facebook.

Sot, të njëjtët protestues refuzojnë ftesat e Ramës për dialog, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e tij.

Por ndërsa kryeministri vijon të publikojë ftesa për t’u ulur në tryezë, ambasadori i OSBE-së e vendosi theksin te një mungesë që, sipas tij, është krijuar gjatë muajve të fundit: ajo e kanaleve përmes të cilave qytetarët mund të dëgjohen.

“Prandaj nuk ndalem, nuk ndalemi, nuk do të më ndalin dhe nuk do na ndalë dot askush. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve”, deklaroi Rama në përfundim të fjalës së tij të mbajtur më 28 tetor, pas prezantimit të paketës së re të masave fiskale.

Kryeministri i është referuar vazhdimisht shumicës së fituar në zgjedhjet e vitit të kaluar për të argumentuar refuzimin e dorëheqjes. Për të, votat dhe mandatet e fituara përbëjnë bazën e legjitimitetit për të vijuar qeverisjen, pavarësisht protestave që kërkojnë largimin e tij.

Në të njëjtën kohë, Tarran u kujtoi qytetarëve, veçanërisht të rinjve, një tjetër dimension të pjesëmarrjes demokratike.

“Demokracia nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet, por është një mundësi e përditshme për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në vendimmarrje”, u shpreh ambasadori.

Dy deklaratat nuk i përgjigjen drejtpërdrejt njëra-tjetrës, por vendosin në qendër dy aspekte të ndryshme të demokracisë. Ndërsa Rama e përdor shumicën elektorale si argument për të refuzuar kërkesat e protestuesve, Tarran kujton se demokracia nuk mund të kufizohet në një ditë votimi.

151 ditë protestuesish nuk i mjaftojnë kryeministrit të dorëhiqet, por 80 mandatet e tij nuk mund të bëjnë të pavlefshme kërkesat e qytetarëve që prej pesë muajsh nuk largohen nga rruga.

“Do të paguani”

Credits: Marviks Shantoja – Të rinj duke protestuar në Tiranë

“Kush thyen, paguan”. Me këtë parim, kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re të masave ligjore pas përplasjeve të tetorit, duke paralajmëruar ashpërsimin e përgjegjësisë për ata që ushtrojnë dhunë gjatë tubimeve.

Në paketën e prezantuar më 25 tetor, Rama propozoi ndër të tjera gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që vijojnë të qëndrojnë në një tubim të dhunshëm pas paralajmërimit të policisë, kufizimin e përkohshëm të protestave në zona të caktuara dhe krijimin e një regjistri elektronik për persona të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike. Qeveria i argumenton këto masa me nevojën për të mbrojtur institucionet, pronën dhe qytetarët nga aktet e dhunës.

Por ndërsa qeveria njofton sanksionet e reja, pamjet e efektivëve që godasin qytetarë, denoncimet për keqtrajtimin e të miturve dhe rastet e raportuara të dhunës ndaj gazetarëve ende kërkojnë përgjigje nga institucionet.

Veçanërisht të rënda janë pretendimet për të mitur të goditur gjatë ndërhyrjeve policore, prindër që nuk janë njoftuar në kohë për ndalimin e fëmijëve të tyre dhe keqtrajtime të dyshuara brenda automjeteve të policisë.

Ndërsa qeveria premton krijimin e një regjistri elektronik, e ndërsa vetë Rama në një dalje për mediat i përmendi një më një personat sipas tij me rekorde kriminale, mbetet e paqartë se sa prej rasteve të denoncuara kundër efektivëve janë hetuar dhe çfarë masash janë marrë ndaj tyre.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK lidhur me dhunën e ushtruar, edhe paketën e re të masave e shohin si vijim të një qasjeje që synon të dekurajojë pjesëmarrjen në protesta, teksa paralajmërojnë se kjo paketë mund të përbëjë objektin e një kallëzimi në radhë.

“Edhe kjo paketë, në gjykimin tonë, është në vazhdën e të gjithë përpjekjeve për të imponuar heshtjen dhe për të dekurajuar, për të delegjitimuar dhe për të përçudnuar protestën dhe protestuesit. Nuk ka lidhje logjike me rregullat demokratike të lojës dhe edhe ky mund të jetë një aksion i ardhshëm i yni për ta kontestuar në rrugë institucionale”, deklaroi Olsi Nika gjatë një konference për mediat.

Shqetësimet për ndërhyrjet policore prekin edhe gazetarët që kanë ndjekur protestat në terren.

Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë raportoi 41 raste të pretenduara sulmesh të qëllimshme nga policia ndaj punonjësve të medias që prej 13 tetorit, duke deklaruar se incidentet kanë prekur rreth 60 gazetarë dhe operatorë.

Sipas përfaqësuesit të organizatës, Isa Myzyraj, ndaj 6 punonjësve të medias nuk janë kursyer as plumbat e gomës.

Në këtë situatë, paketa e re e qeverisë nuk mund të shqyrtohet e shkëputur nga mënyra se si është përdorur forca gjatë protestave. Ndërsa kryeministri paralajmëron ndëshkimin e protestuesve, në fjalimet e tij të gjata nuk i dedikohet vend denoncimeve për shkopinj dhe plumba gome që kanë rënë mbi qytetarët, e aq më pak përgjegjësisë së zinxhirit drejtues për ndërhyrjet e kontestuara.

Pas më shumë se pesë muajsh protestash, përballja mes qytetarëve dhe kryeministrit duket se ka prodhuar më shumë masa ndëshkuese sesa përgjigje politike. Kërkesa për dorëheqje mbetet e pandryshuar, ndërsa ftesat për dialog vazhdojnë të përplasen me mosbesimin e protestuesve.

Rama vijon të mbështetet te shumica elektorale për të argumentuar qëndrimin e tij, por 151 ditët e protestës kanë nxjerrë në pah një pakënaqësi që rezultati i zgjedhjeve nuk e shuan dot. Ndërkohë, denoncimet për dhunën policore dhe masat e reja të propozuara ndaj protestuesve e kanë zhvendosur debatin edhe te mënyra se si shteti e trajton kundërshtimin qytetar.

Dhe ndërsa kryeministri këmbëngul se askush nuk do ta ndalë, protestuesit vazhdojnë të përsërisin se nuk do të largohen. Mes këtyre dy qëndrimeve Tirana ka hyrë në muajin e gjashtë të një proteste për të cilën ende nuk duket një rrugëdalje politike.

/Shteg.org

 

Share it :