Tashmë në diktaturë, edhe me ligj!

Tashmë në diktaturë, edhe me ligj!

Nga Gentian Kaprata
Polity & Ideology

Studiuesja amerikane Kim Lane Scheppele e ka quajtur “legalizëm autokratik” një nga mënyrat më të sofistikuara me të cilat pushteti çmonton demokracinë nga brenda, duke përdorur vetë ligjin. Diktatura moderne nuk ka më nevojë të nxjerrë tanket në rrugë, të mbyllë parlamentin apo të shpallë fundin e demokracisë. Edi Rama ende nuk ka nxjerrë tanket kundër protestuesve, ka nxjerrë kamionët me ujë e piper, gazin lotsjellës dhe policinë e militarizuar. Ndërkohë, Parlamenti vazhdon të votojë, ministrat të buzëqeshin dhe kryeministri të premtojë Europën. Tani, mbi dhunën policore, kërkon të vendosë edhe vulën e ligjit. Diktatura moderne ka zbuluar një mënyrë më elegante sundimi: ta bëjë nënshtrimin të ligjshëm.

Në Shqipëri, kjo histori nuk filloi dje, me paketën e re të Ramës. Ka më shumë se një dekadë që shkruhet, ligj pas ligji, reformë pas reforme. Përpara se të vinte radha e fjalës dhe protestës, pushteti kishte filluar të pushtonte hapësirat ku qytetari ndërton pavarësinë e tij: pronën, ekonominë dhe përfaqësimin politik.

Në vitin 2014, reforma administrativo-territoriale, legjislacioni i planifikimit të territorit dhe ligje të tjera pasuese zhvendosën gjithnjë e më shumë vendimmarrjen nga komunitetet drejt qeverisë. Autonomia vendore u dobësua, ndërsa ushtrimi i të drejtave mbi pronën u kushtëzua gjithnjë e më shumë nga vendimmarrja politike. Qytetari mund të ishte pronar i tokës së tij, por për të vendosur mbi zhvillimin e saj duhej të priste miratimin e pushtetit. Titulli i pronësisë mbetej në xhep; fuqia për ta përdorur pronën udhëtonte drejt qeverisë.

Pastaj erdhi Korporata Shqiptare e Investimeve, ligjet pasuese, koncesionet dhe partneritetet publike-private e thelluan këtë marrëdhënie. Qeveria nuk mjaftohej më me përcaktimin e rregullave të lojës ekonomike. Ajo hynte vetë në lojë, zgjidhte partnerët, shpërndante mundësitë dhe përcaktonte fituesit. Kapitali pranë pushtetit gjente dyer të hapura, ndërsa konkurrenca e lirë humbiste terren përballë privilegjit politik.

Kjo është fytyra ekonomike e autokracisë: një korporatizëm që të kujton mekanizmat historikë fashistë të ndërthurjes së pushtetit politik me interesat ekonomike. Prona ekziston, por autonomia e pronarit dobësohet; tregu ekziston, por qeveria përcakton gjithnjë e më shumë kush përfiton prej tij. Dhe një njeri që varet nga pushteti për bukën e fëmijëve e ka shumë më të vështirë t’i thotë atij jo. Varësia ekonomike bëhet kështu instrument i nënshtrimit politik.

Por pushteti nuk u mjaftua me këtë. Ai filloi të ngushtonte edhe demokracinë përfaqësuese, duke kufizuar hapësirat dhe të drejtat e opozitës në Parlament. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një konflikt ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. Deputetët opozitarë përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar; të drejtat e tyre për debat, kontroll dhe kundërshtim janë njëkohësisht mjete përmes të cilave këta qytetarë ushtrojnë sovranitetin e tyre. Kur shumica ua kufizon këto të drejta, dobëson përfaqësimin politik të një pjese të shoqërisë. Pas pavarësisë ekonomike, qytetarit po i ngushtohej edhe mundësia për ta kundërshtuar pushtetin përmes përfaqësuesve të tij.

Megjithatë, shqiptarëve u kishin mbetur ende fjala dhe protesta. Mund të kritikonin, të denonconin, të organizoheshin dhe të dilnin në shesh. Ishin hapësirat ku qytetari mund t’i thoshte qeverisë se nuk e donte më, pavarësisht varësisë ekonomike dhe dobësimit të përfaqësimit parlamentar.

Dhe tani Rama kërkon të kontrollojë edhe mendimin, shprehjen e tij publike dhe kundërshtimin kolektiv.

Paketa e re, me gjoba deri në 500 mijë lekë, rrezikon ta vendosë lirinë kushtetuese të protestës nën vullnetin e policisë. Mjafton që dhuna e disa individëve të shërbejë si arsye për shpërndarjen e tubimit dhe qytetarët paqësorë mund të detyrohen të largohen nën kërcënimin e gjobës. Dhuna duhet ndëshkuar, por përgjegjësia duhet të mbetet individuale. Nenet 47 dhe 17 të Kushtetutës mbrojnë tubimin paqësor dhe kërkojnë proporcionalitet në kufizimin e lirive. Kur urdhri policor mund ta përfundojë protestën dhe ndëshkimi ekonomik të imponojë largimin, kush po mbrohet nga kush? Qytetari nga dhuna, apo pushteti nga qytetari?

Pastaj vijnë kufizimet e paralajmëruara pranë institucioneve, deri në 72 orë. Protesta mund të zhvillohet, por mundësisht larg atyre kundër të cilëve protestohet. Një kryeministër që kërkon të përcaktojë sa afër zyrës së tij mund të shkojë zemërimi qytetar, kërkon të administrojë edhe kundërshtimin ndaj vetes. Demokracia përfundon në një shfaqje ku qytetarit i lejohet të bërtasë, me kusht që pushteti të mos shqetësohet.

Regjistrat elektronikë të personave të dyshuar për dhunë dhe ndërhyrjet e paralajmëruara mbi postimet në rrjetet sociale plotësojnë tablonë. Prezumimi i pafajësisë, mbrojtja e të dhënave personale dhe liria e shprehjes janë garanci kushtetuese, jo dhurata qeveritare. Kur pushteti kërkon kompetenca më të gjera mbi fjalën publike dhe regjistrimin e qytetarëve ende të pagjykuar, frika mund të bëjë punën e censurës. Sepse censura më e suksesshme është ajo që nuk ka më nevojë për censor: qytetari mëson vetë çfarë të mos thotë.

Kjo është përmbysja që përshkruan Scheppele: ligji, i krijuar për ta mbrojtur individin nga arbitrariteti i pushtetit, përdoret për ta mbrojtur pushtetin nga liria e individit. Ligjet miratohen, institucionet firmosin, ndërsa hapësira e lirisë ngushtohet. Diktatura nuk e shkel më domosdoshmërisht ligjin. Ajo e shkruan vetë ligjin që i duhet.

Ironia është e hidhur. Shqiptarët e rrëzuan diktaturën komuniste për të fituar lirinë politike dhe ekonomike. Tridhjetë e pesë vjet më vonë, po shohin se si ato liri mund të gërryhen pa u shpallur kurrë fundi i demokracisë. Madje, duke u premtuar çdo ditë më shumë demokraci, më shumë shtet ligjor dhe më shumë Europë.

Diktatura nuk ka nevojë t’i mbyllë të gjitha dyert menjëherë. Mjafton të marrë çelësat një nga një. Fillimisht të pronës, pastaj të ekonomisë, më tej të Parlamentit. Tani ka zgjatur dorën drejt fjalës dhe sheshit, hapësirave të fundit të demokracisë së drejtpërdrejtë.

Dhe, si për ironi të fatit, kërkon që çelësin e fundit t’ia japë vetë Parlamenti.

Tashmë në diktaturë, edhe me ligj!

Share it :