Policë të pushtetit, jo të shtetit! Mund t’i marrim zvarrë, por…”/ Protestuesi: Rama, dil në shesh! Kjo Kryeministri është bosh, se je kokrra e frikacakut

Policë të pushtetit, jo të shtetit! Mund t’i marrim zvarrë, por…”/ Protestuesi: Rama, dil në shesh! Kjo Kryeministri është bosh, se je kokrra e frikacakut

Një prej protestuesve ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse për hetimin e dhunës së pretenduar policore gjatë protestave studentore.

Nga protesta përpara Kryeministrisë, në ditën e 13-të të revoltës, ai deklaroi se efektivët nuk po veprojnë si policë të shtetit, por si mbrojtës të pushtetit, ndërsa kërkoi dorëheqjen e drejtuesve të policisë, përfshirë Skënder Hitën dhe drejtuesin që ai e përmendi me mbiemrin Demo.

Demo.

“Nuk janë policë shteti, por pushteti. Janë shkelës të ligjit, nga Hita te Demo, që duhet të japin dorëheqjen”, u shpreh protestuesi.
Ai kritikoi edhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke pretenduar se nuk janë marrë masa ndaj efektivëve të përfshirë në incidentet e dhunshme gjatë demonstratave. Sipas tij, institucionet që kanë detyrimin të kontrollojnë veprimtarinë e policisë duhet të ndërhyjnë për të garantuar përgjegjësinë ligjore të çdo efektivi që ka shkelur ligjin. Protestuesi i bëri thirrje gjithashtu Presidentit Bajram Begaj që të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës politike, duke kërkuar shpërndarjen e Kuvendit.

Në vijim, ai akuzoi klasën politike për korrupsion dhe pasurim në kurriz të qytetarëve, duke pretenduar se politikanët kanë ndërtuar vila luksoze, ndërsa një pjesë e shqiptarëve përballen me vështirësi ekonomike.

“Mediat e botës po përqendrohen te Rama, që me paratë e korrupsionit ka ndërtuar vila luksoze, ndërsa qytetarët po vdesin për bukë”, deklaroi ai.

Protestuesi kërkoi që pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga politikanët t’u kthehen qytetarëve, ndërsa kritikoi edhe nivelin e përfaqësimit politik në vend.

“Pasuria e politikanëve t’u shkojë shqiptarëve, sepse na kanë vjedhur. Njerëz me tri klasë shkollë, si Zegjineja, të na përfaqësojnë? Nuk e pranojmë dot”, u shpreh ai.

Një pjesë të deklaratës protestuesi ia kushtoi plagosjes së të rinjve gjatë protestave, duke theksuar se përgjegjësit për përdorimin e paligjshëm të forcës duhet të përballen me drejtësinë.

“Nuk do të ndalemi derisa të shkojnë para drejtësisë ata policë që kanë bërë dhunë. Mendoni se ne shqiptarët nuk kemi aq këllqe sa t’i marrim zvarrë këta? Mundemi, por po besojmë ende që ka ligj dhe që ligji do të veprojë”, deklaroi protestuesi.

Në fund, ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke e ftuar të dalë përpara protestuesve dhe duke kritikuar nismën e tij për dialog, të simbolizuar nga karriget e vendosura përpara Kryeministrisë.

“Rama, eja në shesh! Të presim me mirësinë më të madhe. Po të presim në shesh, se shqiptarëve ua ke sjellë në majë të hundës. Shqipëria është e shqiptarëve”, u shpreh ai.

Protestuesi e akuzoi kryeministrin se po shmang përballjen me qytetarët dhe ironizoi vendosjen e karrigeve për dialog.

“Kjo Kryeministri është bosh, sepse je kokrra e frikacakut. Na nxjerr pesë karrige para Kryeministrisë. Ik, o vëlla, bëhu mobilier, ose do ta bëjmë shtëpinë në Surrel burg dhe i pari i burgosur do të jesh ti”, deklaroi ai.

Protestuesi foli edhe në lidhje me opozitën dhe aksionet që duhen ndërmarrë.

“Opozita, deputetët në Kuvend jo vetëm të ngrenë zërin por t’u shkojnë ministrave, duam drejtësi të zbatohet ligji e Kushtetuta. Vendet e punës të jenë për shqiptarët jo për nënpunësit e partive politike. Është bërë çdo institucion me vjedhje, Balluku, AKSHI, si të jetojmë e të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Luanët dhe shqiponjat nuk do ta lënë Ramën të bëjë çfarë t’i dojë qejfi”, tha ai.

Share it :