Diktature/ Policia kërcënon studentët para protestës: Do iu identifikojmë
Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike tha në një deklaratë për median të shtunën se policia ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese gjatë protestës, pas zbulimit të thirrjeve të shumta për dhunë gjatë tubimit të sotëm.
Nushi bëri thirrje për distancim nga njerëzit e maskuar, të cilët siç tha do identifikohen dhe vihen para përgjegjësisë ligjore, pavarësisht maskave që mbajnë apo përpjekjeve për të fshehur identitetin.
“Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.




