Monollogu qe sduhet humbur/ Paulin Vilajeti: Trupi i fëmijës është i shenjtë, ndërsa shkopi i gomës nuk është dialog

Monollogu qe sduhet humbur/ Paulin Vilajeti: Trupi i fëmijës është i shenjtë, ndërsa shkopi i gomës nuk është dialog

Nga Paulin Vilajeti

Mirëmbrëma

Unë jam pastor.Jam pastor që në ’92.Ditët e fundit pashë dy vende që u prekën.

Dy tempuj.

Njëri prej guri. Tjetri prej mishi.Para disa ditësh, në oborrin e kishës hynë njerëz me uniformë dhe me armë.
Dhe po ato ditë, pashë trupa fëmijësh përtokë. Nuk do të them kush i dërgoi, as pse i dërgoi.

Do të them vetëm kaq:Ka vende ku njeriu hyn me kokën ulur. Çizmet dhe armët duhet ta njohin këtë zakon. Tempujt nuk janë vende të zakonshme.

Janë vende të shenjta. Nuk janë fushë beteje.

Por dëgjomëni mirë: Edhe trupi i një fëmije është tempull i shenjtë.

Dhe Jezusi tha: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë.” E nuk tha: “Rrihni fëmijët tek këmbët e Mia.”

Nëse tempulli prej guri është i shenjtë dhe nuk guxon të hysh aty me shkop dhe me çizme,
sa më i shenjtë është tempulli prej mishi që Zoti e ndërtoi me duart e Tij?

Kush e solli dhunën deri këtu, e solli në vendin e gabuar. Dy herë të gabuar:

Një herë kur hyri me armë në oborrin e kishës.

Një herë kur ngriti dorën mbi trupin e një fëmije.

Jam pastor që në ’92 dhe kam parë regjime, burgje, uniforma dhe përplasje.

Dhe sot dua t’ju pyes:

A dimë ende të dëgjojmë?

Jo të detyrojmë tjetrin të heshtë, por të dëgjojmë vërtet?

A dimë të themi “e kam gabim”? Ose të paktën “ndoshta e kam gabim”?

Sepse shkopi i gomës nuk është dialog.

Është një përgjigje që nuk e ka dëgjuar kurrë pyetjen.

Paqja nuk ka nevojë për leje.
Paqja nuk i merr leje urrejtjes.
E lëshon urrejtjen dhe e ke paqen.

Dhe nëse beson se mund të hysh pa problem me armë në tempullin prej guri, dhe me dhunë në tempullin prej mishi që është fëmija, atëherë unë pyes: A ka mbetur diçka e shenjtë për këtë vend?

Nuk ka rëndësi nëse je me uniformë apo pa uniformë. I ri apo i vjetër. Pa diçka të shenjtë që e respektojmë të gjithë, asnjë pushtet qoftë edhe i dalë nga vota nuk ka legjitimitet shpirtëror.

Unë shoh fëmijë përtokë. Shoh edhe policë përtokë. Dhe të dy janë bijtë e mi. Njëri me uniformë, tjetri me parullë. Prandaj e mbaj derën e kishës hapur për të dy. Jo për të bërtitur, por për të folur me zë të ulët.

Sepse të dy kanë nevojë për diçka të shenjtë ku të besojnë.

Çfarë është e shenjtë?

I shenjtë është tempulli ku njeriu shkon të falet.
I shenjtë është trupi i fëmijës, ku Zoti vetë ka vendosur të banojë.
E shenjtë është jeta. Jetën nuk ta jep shteti, as nuk ta merr shteti. Jetën ta jep Zoti.

Dhe kush ka kurajë të thotë se ka të drejtë ta rrezikojë atë jetë?

Sepse kur njeriu ngre sytë lart, në çastin kur s’ka më ku të fshihet… nuk thotë “o shef”. Nuk thotë “o parti”. Thotë vetëm një fjalë: “O Zot”.

Dhe më besoni, kam parë shumë të fortë që në fund kanë thënë me lot në sy: “O ZOT!”

Share it :