PO SI NUK DOLI NJË POLIC…?!

PO SI NUK DOLI NJË POLIC…?!

Nga Luciano Boçi/

Para viteve ‘90 qenia “POLIC” ishte ekuivalente e besnikërisë ndaj Partisë së Punës dhe diktaturës.

Ata që bëheshin policë ishin aq “të pastër” në biografi sa dhe uji vetë “turpërohej”.
Indoktrinimi i tyre kishte kapur majat.

E megjithatë në ‘90 e ndryshimeve, disa e hoqën kapelen në emër të mirës qytetare.
Po sot?

Gjërat formalisht kanë ndryshuar e të jesh polic nuk është thjesht të veshësh një këmishë me grada, të mbash një armë në brez apo të marshosh me hap rreshtor.

Në thelb të saj, detyra e efektivit është mbrojtja e jetës dhe e dinjitetit.

Madje qënia aty të jep një status krenarie e “burrnie”.

Po ku është kjo e fundit, ku ka humbur?!

Është një pyetje që tingëllon si habi, po aq edhe si një klithmë dëshpërimi përballë një realiteti që na zhvesh përditë nga iluzionet e policisë së shtetit.

Në një shoqëri ku “burrnia” shitet ende si monedhë e vlefshme nëpër fjalime, kafene e debate pafund, momenti i së vërtetës e kthen shpesh këtë fjalë në një mit të zbrazët për të qënit POLIC.

Me shumë se kurrë këtë zbarzëti e ndeshim këto ditë.

Sepse kur vjen puna te përballja me të padrejtën, kur qytetari i pambrojtur kërkon një mburojë apo thjesht një fije njerëzillëku, uniforma e shtetit shpesh kthehet në një guaskë heshtjeje ose, akoma më keq, në një mjet bindjeje të verbër dhe ingranazh dhune ndaj qytetarëve.

Pamjet e përsëritura të ndërhyrjeve të ashpra, çnjerëzore, apo të heshtjes fajtore na vizatojnë një peizazh të trishtë, ku forca e policit tregohet ndaj të dobtit e të riut e të rejave dhe sytë e policisë mbyllen përballë të fortit e bandit me karrike e pa karrike.

Ku shkoi pra guximi individual?

Ku humbi ndërgjegjja njerëzore poshtë atij jeleku antiplumb?

Po burrnia pra ku është?!

Të kërkosh “një polic burrë” në këtë kontekst nuk është aspak një qasje biologjike apo thjesht gjinore.

Nuk po flasim për mungesën e muskujve në radhët e forcave të rendit, por për mungesën e theksuar të asaj që shoqëria jonë historikisht e ka quajtur integritet.

Është thellësisht paradoksale dhe domethënëse të shohësh sesi shpesh, në situata tensioni, përplasjesh apo dhimbjeje njerëzore, janë pikërisht gratë police, apo vetë qytetaret e thjeshta, ato që tregojnë një nivel më të lartë empatie, logjike dhe guximi.
Ndërkohë, djemtë e burrat me uniformë fshihen pas klisheve të tipit “jam me shërbim”, “kam urdhër nga lart”, ose thjesht bëhen një trup i vetëm me instinktin kafshëror të turmës.

Një shoqëri e tërë pret që ata që paguhen nga taksat për të mbrojtur ligjin, të kenë të paktën refeksin për të mbrojtur të drejtën, sepse ligji dhe e drejta, fatkeqësisht, nuk janë gjithmonë e njëjta gjë.

Të thyesh rreshtin për të mbrojtur një të pafajshëm, të refuzosh të zbatosh një urdhër që shkel dinjitetin njerëzor, apo thjesht të zgjasësh dorën për të ndihmuar dikë kur rrethana kërkon brutalitet, kërkon një lloj trimërie e burrërie që nuk mësohet dot në asnjë akademi sigurie.
Kërkon karakter.

Në fund të ditës, zhgënjimi më i madh nuk vjen thjesht nga institucioni i ftohtë, por nga njeriu që fshihet brenda tij.
Fakti që ne ende habitemi dhe pyesim njëri-tjetrin “Si nuk doli një burrë i vetëm polic të hidhte kapelen apo skafandrën e të mbronte qytetarin?!” , tregon se thellë-thellë ne ende refuzojmë të dorëzohemi në dëshirën tonë.

Shpresojmë akoma që pas mburojave prej xhami dhe skafandrave të zeza, të ketë njerëz me vullnet të lirë, që dinë të peshojnë të drejtën para forcës.
Por derisa ai moment të kthehet në rregull dhe jo në përjashtim, kjo pyetje e hidhur do të mbetet një akuzë e hapur për një sistem që duket se po prodhon me shumicë zbatues urdhrash, policë të indoktrinuar me shumë se para ‘90, pateonazhistë me uniformë, por asnjë hero të përditshmërisë.

Hiqni pra kapelet e skafandrat nëse vërtet keni “burrni” policë e drejtues policie dhe bashkohuni me studentët.

Ata luftojnë dhe për ju!

Atdheu e kërkon dhe ai nuk shitet për 500 euro ose më shumë pagë të qelbur!!!

Share it :