Shqipëria nis sot, këtu.

Shqipëria nis sot, këtu.

Monolog nga Marjana Koçeku/ Piranjat

Unë jam Marjana Koçeku, dhe shumica prej jush më njihni si neomalësorja.

Jam lindur në Dukagjin, afër liqenit të Komanit, në një vend pa shumë zhurma e pa shumë njerëz. E vetmja zhurmë që dëgjoja ishte motorri i varkës së babës, që pas zhurmës vonohej edhe 30 minuta me ardhë

Kur u sëmura e vogël, nana më zbriti në spital duke ecur për disa orë, me djepin tim në shpinë.

Babai ishte varkëtar. 8 vjeç, më mësoi t’i jepja varkës e të rrregulloja motorrin e saj. Këto ishin, e janë ende, ligjet e mbijetesës për shumë shqiptarë.

Familja jonë u mor me ekonomi drusore, bimë medicinale e peshkim, derisa kaluam në turizëm. Ngritëm një bujtinë pa ndihmën e askujt. Si shumica e shqiptarëve të ndershëm: me krahët tanë e me zemrën tonë. Pa rrugë, pa infrastrukturë, shpesh pa dritë e pa internet.

Pastaj u futa në politikë.

Nuk isha naive. E dija se çfarë ishte. Por kisha shpresën se sistemi mund të ndryshohet nga brenda; se do të kishte hapësirë për një ligj më shumë që ndihmon komunitetin, ambientin, Shqipërinë.

Zhgënjimi erdhi shpejt. Partia ishte një rreshtore ushtarake. Vota ishte fasadë. Studentët e të rinjtë nuk u panë si e ardhme, por si njerëz që duhet të binden e të mbyllin gojën. Nëse jo, duhet të binden me anë të shkopave të gomës.

Prandaj ika.

Më saktë, nuk ika. Ndryshova.

Ika sepse unë beosj se mirëqenia nuk janë numrat e statistikat. Mirëqenia është uji i pijshëm, ajri i mirë, hapësira publike, jeta pranë natyrës, të qenit në komunitet. Jo resortet, që për mua janë hapësira sterile, fantazma në formë kuadrati.

Vërtet punohet në turizëm… por punëtorët importohen.

Kemi qenë të varfër, por kishim jetë komunitare. Të parët e mi prisnin dru në pyll, por lisat e rinj nuk i prisnin. I linin të rriteshin. Natyrën nuk e trajtonin si armik; ishin pjesë e saj.

Unë vij nga një vend pa rrugë, pa drita, pa shkolla. Dhe sot, ndërsa po flasim, ende nuk ka rrugë.

Ka 3 hidrocentrale, por nana sot nuk po më sheh, se s’kemi drita.

Sa për spitalin… jemi mësuar të mos sëmuremi.

Dhe Drini nis i Bardhë… por sa kalon Vaun e Dejës, kthehet në Drinin e Vdekur.

Kjo nuk ndodhi vetvetiu. Nuk e kemi bërë ne.

Ky model na është imponuar.

Prandaj thashë një fjalë që kjo qeveri e kjo parti nuk e njeh.

Thashë: JO!

Njësoj si ata djem e vajza, në rrugën e Durrësit.

Sepse një Shqipëri tjetër është e mundur.

Dhe fillon sot. Dhe fillon këtu.

Share it :