Shkumbini po paguan çmimin e Korridorit VIII

Shkumbini po paguan çmimin e Korridorit VIII

Dikur, Shkumbini rridhte i lirë në shtratin e tij natyror. Përgjatë luginës, lumi ishte pjesë e jetës së banorëve: burim uji, mbështetje për bujqësinë dhe të ardhurat e tyre, por edhe një vend ku, gjatë verës, kërkonin freski ata që nuk mund të shkonin në bregdet.

Sot, në segmente të gjata të luginës, zhurma e lumit është zëvendësuar nga ajo e ekskavatorëve dhe kamionëve. Në shtratin e tij dallohen gropa dhe grumbuj inertesh, ndërsa dherat e nxjerra nga gërmimet, në disa zona, arrijnë deri pranë rrjedhës së ujit.

Prej rreth dy vitesh, ndërtimi i Korridorit VIII po ndryshon peizazhin përgjatë aksit Elbasan–Librazhd dhe më tej drejt Qafë Thanës. Në Labinot Fushë dhe në segmente të tjera të luginës, makineritë e rënda janë bërë pjesë e përditshme e peizazhit.

Për ndërtimin e rrugës, Shkumbini dhe degët e basenit të tij janë kthyer në burim materialesh inerte, ndërsa ndërhyrjet në shtratin e lumit kanë ngritur shqetësime për erozionin, rrjedhën e ujit dhe sigurinë e infrastrukturës.

Korridori VIII është një projekt strategjik për Shqipërinë dhe rajonin. Ai lidh Portin e Durrësit me Tiranën, Rrogozhinën dhe Elbasanin, për të vijuar drejt Qafë Thanës dhe Korçës. Pjesë e rrjetit evropian të transportit TEN-T, korridori synon të forcojë lidhjet mes porteve, tregjeve dhe vendeve të rajonit.

Ndërsa institucionet argumentojnë se ndërhyrjet janë parashikuar në projektet përkatëse dhe mbështeten në studime hidrologjike e hidraulike, ekspertët, organizatat mjedisore dhe banorët ngrenë shqetësime për erozionin e brigjeve, ndryshimet në rrjedhën e lumit, dëmtimin e ekosistemit dhe rreziqet e mundshme për rrugët dhe urat.

Korridori VIII dhe çmimi mjedisor i inerteve

Të dhënat e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) tregojnë se nga Rrogozhina deri në Qafë Thanë janë dhënë gjashtë leje për shfrytëzimin e materialeve inerte nga baseni i Shkumbinit. Vetëm për segmentin Elbasan–Qafë Thanë, tri kompani kanë pasur të autorizuar gjithsej 1 007 681 metra kub materiale inerte.

Sipas informacionit që AMBU i ka vënë në dispozicion “Shteg.org”, kompania ALBBUILDING, për Fazën I të projektit, ka pasur të autorizuar marrjen e 619 637 metrave kub dhe ka deklaruar se ka shfrytëzuar 526 000 metra kub. Leja për këtë fazë kishte përfunduar më 4 gusht, përpara se agjencia t’i përgjigjej Shteg.org.

Për Fazën II, kompania 4 A-M ka pasur të autorizuar 316 483 metra kub dhe ka deklaruar marrjen e 304 358 metrave kub. Ndërsa për Fazën IV, kompania A.N.K. ka pasur të autorizuar 71 561 metra kub dhe ka deklaruar se ka marrë 34 530 metra kub.

Në total, tri kompanitë kanë deklaruar shfrytëzimin e 864 888 metrave kub materiale inerte nga sasia e përgjithshme prej 1 007 681 metrash kub të autorizuar.

Lejet përcaktojnë zonat ku mund të ushtrohet aktiviteti, sasitë e materialeve që mund të merren dhe kushtet që subjektet duhet të respektojnë për mbrojtjen e mjedisit ujor.

Leja e A.N.K.-së, e miratuar me vendimin nr. 24, datë 19 dhjetor 2024, për Fazën IV të projektit, përcakton një sipërfaqe shfrytëzimi prej 490 000 metrash katrorë dhe një volum të autorizuar prej 71 561 metrash kub. Sipas dokumentit, aktiviteti nuk duhet të dëmtojë shtratin apo brigjet e lumit, të ndryshojë rrjedhën e tij natyrore ose të cenojë rrjedhën ekologjike. Në rast dëmtimi, subjekti detyrohet të kompensojë dëmin dhe të rikthejë mjedisin ujor në gjendjen e mëparshme.

Kushte të ngjashme parashikohen edhe në lejen e kompanisë 4 A-M, të miratuar me vendimin nr. 10, datë 11 prill 2024, për Fazën II të projektit “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë”. Sipas dokumentit, aktiviteti zhvillohet në shtratin e lumit Gostimë, në Bashkinë Elbasan, në një sipërfaqe prej 175 824,9 metrash katrorë dhe me një volum të autorizuar prej 316 483 metrash kub.

AMBU thotë se subjektet e pajisura me leje duhet të respektojnë koordinatat e miratuara dhe të raportojnë sasitë e materialeve të marra. Agjencia deklaron se kryen monitorime periodike për të verifikuar zbatimin e kushteve dhe se, gjatë monitorimit të tri subjekteve të licencuara, nuk ka evidentuar raste të mosrespektimit të lejeve.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) konfirmon se ka në proces zbatimi 7 kontrata për ndërtimin e segmentit rrugor “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë” dhe se subjektet janë pajisur me lejet përkatëse për shfrytëzimin e inerteve nga Shkumbini.

Projektet e zbatimit për disa segmente parashikojnë devijimin ose zgjerimin e shtratit të lumit. Institucioni thotë se këto ndërhyrje janë projektuar mbi bazën e studimeve hidrologjike dhe hidraulike, duke marrë në konsideratë prurjet, regjimin e rrjedhës dhe kapacitetin e nevojshëm të lumit pas punimeve.

Megjithatë, dokumentet e inspektimeve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit (ARM), të siguruara nga Shteg.org, ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si ushtrohet kontrolli ndaj subjekteve që shfrytëzojnë inertet e Shkumbinit për ndërtimin e rrugës.

Për ambientalistët, problemi nuk qëndron domosdoshmërisht te pajisja e kompanive me lejet përkatëse, por te zbatimi i kushteve të tyre dhe kontratave, si dhe te ajo që ndodh realisht në shtratin e Shkumbinit.

Lejet në letër, ndërhyrjet në terren

Për ambientalistin Beqir Kila, dallimi mes pajisjes me leje dhe zbatimit të saj është thelbësor.

“Leja autorizon një veprimtari të caktuar, por nuk e bën automatikisht të ligjshme çdo mënyrë zbatimi të saj. Kontrolli duhet të përfshijë si ekzistencën e lejes, ashtu edhe respektimin real të kushteve të saj”, thotë Kila.

Sipas tij, monitorimi duhet të verifikojë nëse kompanitë shfrytëzojnë vetëm zonat dhe sasitë e autorizuara, nëse respektojnë kushtet mjedisore e teknike dhe nëse ndërhyrjet në shtratin e lumit kryhen sipas projekteve të miratuara.

Kila paralajmëron se ndërhyrjet e shpeshta dhe intensive mund ta bëjnë më të vështirë rikthimin e lumit në gjendjen e tij natyrore. Shfrytëzimi i pakontrolluar i inerteve, sipas tij, mund të ndikojë në erozion dhe të rrisë rreziqet e lidhura me përmbytjet.

Inxhinieri Dashamir Gega e sheh ndryshimin e rrjedhës natyrore si një nga shqetësimet kryesore përgjatë segmentit ku po ndërtohet rruga.

“Në rrjedhën e lumit Shkumbin, veçanërisht nga Labinoti Fushë deri në Bushtricë, është duke u punuar për ndërtimin e Korridorit VIII. Për pasojë rrjedha natyrore e krijuar prej shumë vitesh është duke u dëmtuar”, thotë ai.

Gega kërkon që ndërhyrjet të mbështeten në studime të plota gjeologjike dhe hidrogjeologjike. Sipas tij, marrja e materialeve duhet të vlerësohet në raport me prurjet e lumit dhe kushtet e terrenit.

“Nuk duhet të merren inerte, por edhe kur merren, duhet të jetë në ekuilibër me sasinë e prurjes së lumit”, thotë ai. “Duke qenë se për një periudhë të gjatë nuk ka pasur reshje, ndërkohë që vijon të merren inerte në shtratin e lumit Shkumbin, ky ekuilibër është prishur.”

Ai paralajmëron gjithashtu për pasoja të mundshme në infrastrukturë.

“Mendoj që në një të ardhme të afërt urat do të kenë probleme”, thotë Gega, duke përmendur urat e Murrashit dhe Dragostunjës dhe duke shprehur shqetësim të veçantë për zonën nga Librazhdi në Xhyrë.

Shqetësimet e specialistëve përputhen me ato të organizatave mjedisore që kanë ndjekur punimet në terren. Gëzim Shuli, drejtues i një organizate mjedisore në Librazhd dhe pjesë e shoqërisë civile, thotë se ka parë makineri që nxjerrin inerte drejtpërdrejt nga shtrati i Shkumbinit.

“Kemi parë makineri që punojnë brenda në shtratin e lumit që nxjerrin inerte nga shtrati i Shkumbinit. Po shohim një degradim gjithmonë e më të madh të shtratit të lumit”, thotë Shuli.

Ai thekson se organizatat nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por kërkojnë që punimet të kryhen sipas standardeve dhe studimeve të nevojshme. Sipas tij, organizatat kanë dokumentuar me video makineri në shtratin e lumit dhe depozitime dherash e materialesh pranë rrjedhës.

Shuli paralajmëron se ndërhyrjet mund të ndikojnë në turbullimin e ujit, nivelin e oksigjenit dhe jetën e peshqve e të gjallesave të tjera ujore.

Por, në përgjigjen që Shteg.org mori nga AMBU, thuhet se në monitorimet periodike të tri subjekteve me leje nuk janë evidentuar raste të mosrespektimit të kushteve të lejeve, ndërsa kontrollet e agjencive rajonale në terren kanë evidentuar një panoramë të ndryshme nga ajo që raportojnë institucionet përgjegjëse për administrimin e burimeve ujore.

Inspektimet që evidentuan shkelje

Raportet e Agjencisë Rajonale të Mjedisit përshkruajnë problematika në zonat ku po zhvillohen punimet për Korridorin VIII. Në rastet e dokumentuara, inspektorët kanë konstatuar makineri në shtratin e lumit, erozion të brigjeve, depozitime materialesh dhe, në dy raste, mungesë të lejes së shfrytëzimit të inerteve gjatë kontrollit.

Një nga kompanitë e inspektuara është A.N.K., e kontrolluar dy herë për zbatimin e kushteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe të lejes për shfrytëzimin e materialeve inerte.

Gjatë kontrolleve në zonën e Qendër Librazhdit, inspektorët kanë konstatuar tre ekskavatorë që punonin në shtratin e lumit. Në raportet e tyre janë evidentuar gjithashtu shenja erozioni në brigje dhe depozitime të mëdha dherash e materialesh inerte që arrinin deri te rrjedha ujore. Sipas dokumentacionit, këto depozitime pengonin rrjedhën natyrore dhe ndryshonin mbulesën bimore të zonës.

Inspektorët kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se ndërhyrjet kishin devijuar nga gjurma e projektit.

Për këto konstatime, A.N.K. është gjobitur me një milion lekë të reja dhe është urdhëruar të largojë dherat e depozituara në shtratin dhe brigjet e lumit.

Kompania i kundërshton gjetjet dhe ka ankimuar gjobën. Ajo pretendon se nuk ka kryer punime pa autorizim dhe se nuk ka depozituar materiale jashtë koordinatave të miratuara. Sipas A.N.K.-së, ndërhyrja ishte një veprim emergjent, i mbështetur në një urdhër të ARRSH-së, të datës 24 shkurt, për devijimin e menjëhershëm të shtratit të lumit, pasi rrjedha, sipas kompanisë, po godiste hekurudhën.

Ndërsa raporti i inspektimit dokumenton problematika dhe ka sjellë një masë administrative, kompania kundërshton interpretimin e autoriteteve. Ankimi i saj e vendos çështjen e zbatimit të lejes dhe të natyrës së ndërhyrjes në qendër të debatit.

Një tjetër rast i dokumentuar nga ARM-ja lidhet me kompaninë GECI, në zonën pranë Muriqanit, në Bashkinë Elbasan. Gjatë inspektimit, autoritetet kanë konstatuar kamionë dhe ekskavatorë që nxirrnin materiale inerte nga Shkumbini për punimet e Korridorit VIII, loti 2, Paper–Elbasan.

Sipas dokumentacionit të inspektimit, kompania nuk paraqiti lejen për shfrytëzimin e materialeve inerte të lëshuar nga organet përgjegjëse për administrimin e burimeve ujore. Për këtë arsye, GECI është gjobitur me një milion lekë të reja dhe aktiviteti është pezulluar deri në pajisjen me lejen përkatëse.

Problematika janë konstatuar edhe në zonën ku operon kompania INFINERT. Gjatë kontrollit, inspektorët kanë gjetur ekskavatorë në shtratin e Shkumbinit, përballë kantierit të kompanisë. Makineritë ishin të fikura në momentin e inspektimit, por në afërsi të tyre kishte disa gropa dhe rruga hyrëse kishte gjurmë kamionësh.

ARM-ja nuk vendosi gjobë ndaj INFINERT-it, por e paralajmëroi kompaninë dhe i kërkoi të largonte ekskavatorët nga shtrati i lumit, si dhe të mos kryente nxjerrje inertesh apo veprimtari në shtratin dhe brigjet e tij pa lejen përkatëse.

Këto inspektime vijnë në një kohë kur Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) ka deklaruar për Shteg se, nga monitorimet periodike të tre subjekteve me leje, nuk ka evidentuar raste të mosrespektimit të kushteve të autorizimeve.

Banorët mes lumit, rrugës dhe urave

Në Spathar të Librazhdit, shqetësimi për Shkumbinin nuk lidhet vetëm me ndryshimin e peizazhit. Banorët thonë se lumi është afruar me rrugën dhe urën dhe kanë frikë se reshjet e dimrit mund ta përkeqësojnë situatën.

“Që kur kanë nisur punimet në shtratin e lumit, shihet sa është afruar te rruga, madje rrezikon edhe urën. Para nisjes së punimeve ne nuk kemi pasur probleme të kësaj natyre. Me nisjen e dimrit, nëse është lagështirë, pritet të ketë përmbytje”, thotë Ylli Faqolli, banor i Spatharit.

Lutfi Hoxha, një tjetër banor, shqetësohet për pasojat që mund të ketë situata mbi infrastrukturën e fshatit.

“Marrja e inerteve në Shkumbin po dëmton infrastrukturën. Kërkojmë të merren masa se na rrezikohet rruga dhe ura”, thotë ai.

Beqir Luzi thotë se banorët kanë njoftuar Bashkinë Librazhd dhe kërkojnë masa mbrojtëse për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

“Punimet në rrjedhën e lumit Shkumbin na rrezikojnë. Kemi vënë në dijeni Bashkinë Librazhd. Nëse nuk bëhen prita, ne kemi marrë fund. Edhe urën do e marrë lumi. Do izolohemi”, thotë ai.

Shqetësimi për urat nuk kufizohet te Spathari. Në Labinot Fushë, Ura e Polisit paraqitet e degraduar, ndërsa mbetjet e një ure të vjetër janë shpërndarë në shtratin e lumit. Një vit më parë, dëmtimi i Urës së Xhyrës i la banorët e zonës të izoluar për disa ditë.

Këto raste nuk provojnë, në vetvete, se dëmtimet e infrastrukturës janë shkaktuar nga nxjerrja e inerteve. Por, në një luginë ku punimet rrugore dhe ndërhyrjet në shtratin e lumit zhvillohen paralelisht, shqetësimet e banorëve për sigurinë e urave dhe rrugëve kërkojnë vlerësim nga institucionet përgjegjëse.

Bashkia Librazhd thotë se ka marrë ankesa të shumta për mënyrën e zbatimit të projektit gjatë viteve 2024–2026. Sipas saj, ankesat u janë përcjellë ARRSH-së, kontraktorëve dhe mbikëqyrësve të punimeve. Bashkia thotë gjithashtu se ka ngritur një grup pune për të kontrolluar punimet dhe gërmimet në fondin pyjor e kullosor dhe në shtratin e lumit.

Megjithatë, institucioni thekson se nuk është autoriteti që jep lejet për ndërhyrjet në Shkumbin, pasi këto kompetenca u përkasin institucioneve qendrore.

Bashkia Elbasan paraqet një panoramë tjetër. Ajo thotë se nuk ka kryer inspektime për ndërhyrjet në shtratin e lumit dhe se gjatë dy viteve të fundit nuk ka marrë ankesa për ndërhyrje të parregullta. Për problematikat e mundshme, bashkia i referohet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe institucioneve të tjera kompetente.

Përgjatë të njëjtit lumë, institucionet lokale japin dy tablo të ndryshme. Njëra flet për ankesa të shumta dhe ngritje grupesh pune; tjetra thotë se nuk ka pasur ankesa dhe nuk ka kryer inspektime.

Pasojat mjedisore

Në shkurt të vitit 2026, një rrëshqitje në zonën e Dragostunjës bllokoi për disa ditë qarkullimin në aksin Librazhd–Pogradec, një nga lidhjet kryesore drejt juglindjes së vendit.

Pas ngjarjes, banorë, organizata mjedisore dhe specialistë ngritën shqetësime për ndërhyrjet në shpatet anësore dhe përgjatë Shkumbinit. Inxhinieri Dashamir Gega i lidh rrëshqitjet me ndërhyrjet në shpatet pranë lumit.

“Banorët e dinë që u ndërhy te shpatet anësore të lumit Shkumbin, ndaj dhe ndodhën rrëshqitjet”, thotë ai.

Pas ngjarjes, 26 organizata mjedisore publikuan një deklaratë të përbashkët, ku u kërkuan institucioneve të marrin masa lidhur me ndërhyrjet në shtratin e lumit.

Prokuroria e Elbasanit konfirmon se ka nisur kryesisht një procedim penal lidhur me dëmtimet që sollën bllokimin e qarkullimit në aksin Librazhd–Pogradec. Sipas prokurorisë, procedimi është regjistruar për të paktën katër vepra penale: “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit dhe tokës”.

Hetimi ndodhet ende në fazën paraprake dhe prokuroria nuk bën publike hollësi të tjera, por specialistët dhe banorët kanë ngritur pretendime se në disa segmente shtrati i lumit është ulur me rreth një deri në dy metra, duke e lidhur këtë ndryshim me marrjen e inerteve.

Korridori VIII shtrihet rreth 154 kilometra në territorin shqiptar dhe mbështetet përmes granteve dhe kredive nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve. Projekti përfshin jo vetëm modernizimin e infrastrukturës rrugore, por edhe modernizimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë. Ai konsiderohet strategjik për lidhjet e Shqipërisë me rajonin, Bashkimin Evropian dhe rrjetet e transportit të NATO-s. Përfundimi i investimit pritet në vitin 2027, por deri atëherë, për banorët që jetojnë përgjatë Shkumbinit, shqetësimi mbetet se çfarë do të ndodhë me lumin që për shekuj ka formësuar vetë shtratin e tij dhe që tani po përballet me një transformim të shpejtë nga dora e njeriut.

Korridori VIII mund të sjellë një rrugë evropiane përmes Shqipërisë, por, ndërsa rruga po ndërtohet, lumi mund të jetë duke paguar çmimin e kalimit të saj.

/Entela Mema – Shteg.org

Share it :