‘Afera nisi në podcast-in e Ramës’/ Berisha: Roni Yeffet u bë brenda natës pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përfshirje në një skemë që, sipas tij, ka favorizuar biznesmenin Roni Yeffet përmes fondeve dhe pronave publike.
Në një konferencë për mediat, në prani edhe të deputetit të PD-së Klevis Balliu, Berisha pretendoi se Yeffet ka përfituar rreth 45 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe prona shtetërore.
Duke iu referuar nisjes së kësaj historie, Berisha e lidhi atë me një podcast të Edi Ramës, ku sipas tij Arjeta Puca prezantoi aktivitetin e saj në fushën e prodhimit të mjeteve ushtarake.
Berisha: Ajo çka është për interesin direkt të qytetarëve se në një skemë mafioze të ndërtuar nga Edi Rama, të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama me ligje, me vendime, Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro.
I janë dhënë gjer sot dhjetëra milionë euro pronë shtetërore, përfshi këtu edhe pronat ku ishte e vendosur prej vitesh Neës24.
Përveç këtyre, ky grup mafiozësh shkon dhe plaçkit prona private të qytetarëve shqiptarë në Zall Herr, prona të fituara me të gjithë dokumentacionin, dhe ua marrin familjeve pronat duke u thënë se janë të shtetit.
Historia është shumë interesante, e turpshme.
Fillon në mënyrë identike si historia e sterilizimeve me një gërshërë të thyer dhe pinca të ndryshkura.
Kësaj here fillon me një podcast, ku një zonjë, që do ta quajmë tani e tutje Miss Autoblindi ose Arjeta Puca, dëshmon në studion e podcast-it të Edi Ramës se ajo bën mrekullira, se ajo prodhon makineri ushtarake të klasit ndërkombëtar, midis tyre edhe autoblinda.
Fill pas shfaqjes televizive të Ramës, njëlloj si në sterilizimet me pincat e ndryshkura dhe gërshërët e thyera, Miss Autoblindi na del në Kashar me një autoblind, makineri për ushtrinë dhe zotohet se ajo do të armatosë ushtrinë shqiptare.
Pas kësaj, Edi Rama miraton ligje dhe vendime për të ndërtuar këtë skemë piramidale të tmerrshme, por kësaj here kryekëput në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Kompania e famëziut Ardi Veliu, që u krijua për këtë qëllim, shpejt bashkohet me Roni Yeffet duke i dhënë atij 80 përqind të aksioneve, aksione të cila të bazuara në fonde publike dhe pronë shtetërore.
Imagjinoni ju, Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-kombinatin e traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit.
Bëhet pronar i tokave që plaçkisin në privat.
Që të gjitha shartimet që kanë bërë njëri me tjetrin me kompani të ndryshme nga më absurdet, duke shitur kompani me 1 euro, kompani me kapital 1.5 euro. I gjithë rrjeti i kompanive është në kundërshtim flagrant me standardet e përcaktuara për kompani të kësaj fushe.
Kompani me 1 euro, e cila sipas ligjit duhet të ketë 20 milionë euro kapital.
Dhe Piro Vengu deklaronte se kontratat i shqyrton komiteti i mbrojtjes, i cili kryesohet nga Padrinoja.
E vërteta është se vendi ka një komitet mbrojtje, i kryesuar nga kryeministri dhe i përbërë nga disa ministra, por e vërteta është se ministrat i kontrollonte Roni Yeffet dhe Edio Rama.
Prandaj kompanitë e rrjetit janë që të gjitha pa asnjë kriter, me një kriter të vetëm, të vjedhim, të vjedhim, të vjedhim.




