Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish ndaj SPAK lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi ngre pyetjen se përse Prokuroria e Posaçme nuk ka sjellë ende në Kuvend një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim arrestimin e saj, pasi akzuat ndaj kësaj të fundit janë shtuar.
“Dikush t’i kujtojë se ende nuk ka sjellë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut, edhe pse vetë ka njoftuar sekuestrimin e një vile të dytë të fshehur dhe akuzat e reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie”, shkruan Bardhi.
Bardhi ka kërkuar edhe më herët që SPAK t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të re për autorizimin e arrestimit të Ballukut, duke argumentuar se shtimi i akuzave duhet të shoqërohet, sipas tij, me një kërkesë për masë më të rëndë sigurie.




