Jep dorëheqjen deri nesër/ Shqiptarët ngujohen në shesh dhe i japin ultimatum Ramës
Tirana është shndërruar sot në qendrën e një proteste mbarëkombëtare, në ditën e 21-të të mobilizimit kundër qeverisë.
Mijëra qytetarë nga çdo cep i Shqipërisë, por edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, kanë mbushur kryeqytetin në atë që po konsiderohet si një nga tubimet më të mëdha të viteve të fundit.
Protesta nisi me grumbullimin në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalimet.
MARSHIMI FINAL/ RRETHIMI I KRYEMINISTRISË
Pas fjalimeve, protestuesit kanë vendosur të zhvillojnë marshimin rreth Kryeministrisë, duke e simbolizuar rrethimin e institucionit kryesor.
Ata theksuan se kryeministri tashmë është i rrethuar dhe se nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të plotësojë kërkesën e tyre dhe të japë dorëheqjen.
Kryeministria është rrethuar. Në këtë moment i themi kryeministrit je i rrethuar. Jep dorëheqjen.”
“Shumë shqiptarë kanë zbritur në shesh për ta gdhirë sonte këtu. Ata që kanë dëshirë janë të lirë”, tha aktivisti Arben Kola.
Qytetarët po ashtu kërkuan qeveri teknike.
Pjesëmarrja e lartë nga brenda dhe jashtë vendit e ka kthyer protestën e 21-të në një nga më të mëdhatë deri tani.
DIASPORA “PUSHTON” SHQIPËRINË ME AUTOKOLONA FLAMUJSH
Një valë e madhe emigrantësh është nisur prej ditësh nga vende të ndryshme të Europës, përfshirë Anglinë, Francën, Gjermaninë dhe Austrinë, duke udhëtuar me automjete private drejt Shqipërisë.
Karvane makinash të mbushura me flamuj kuqezi kanë hyrë në vend nga pika kufitare si Murriqani dhe të tjera, duke u bashkuar me protestuesit në Tiranë.
Autokolonat kanë parakaluar në rrugët e kryeqytetit, duke krijuar një atmosferë simbolike dhe masive.
Prania e diasporës është shndërruar në një simbol të fortë të kësaj proteste, me pjesëmarrës që theksojnë se nuk është vetëm një revoltë brenda vendit, por një zë i bashkuar shqiptar në të gjitha trevat.
FJALIMET – THIRRJE, EMOCIONE DHE MESAZHE TË FORTA
Në podiumin përpara Kryeministrisë, protestues dhe aktivistë kanë mbajtur fjalime të forta politike dhe emocionale.
Një aktiviste deklaroi se mërgata ëndërron rikthimin në atdhe dhe se kushtet për ndryshim po “përgatiten nga vetë qytetarët”.
Ndërkohë, një qytetar nga diaspora u bëri thirrje bashkatdhetarëve të kthehen dhe të marrin fatin e vendit në dorë, duke theksuar sakrificat e emigracionit dhe padrejtësitë që, sipas tij, i kanë detyruar të largohen.
Një tjetër emigrant që i është bashkuar protestës theksoi se kryeministri Edi Rama ka 24 orë për të dhënë dorëheqjen.
Në fjalën e tij, emigranti theksoi se kryeministri më pas duhet të fshihet si “mi halesh”.
“Vij nga diaspora me mbështetur protestën e rinisë. Edi Rama ka vetëm 24 orë, pastaj të fshihet si mi halesh. Shqipëria e rinisë, Rama e qelisë.”, tha ai.
MOMENTI VIRAL – VOGËLUSHI QË PREKU RRJETIN
Një video e një djali të vogël është bërë virale në rrjetet sociale, duke prekur mijëra qytetarë.
Ai shprehet me emocione për situatën në vend dhe thotë se, edhe pse është i vogël, e kupton realitetin dhe shpreson për një Shqipëri më të mirë.
Mesazhi i tij për bashkim dhe solidaritet është shpërndarë gjerësisht, duke u kthyer në një nga momentet më të ndjera të protestës.
BULEVARDI “DËSHMORËT E KOMBIT” I MBUSHUR CEP MË CEP
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur nga një lumë protestuesish. Flamujt kuqezi, pankartat dhe brohoritjet kanë dominuar skenën.
Një nga momentet më kulmore të kësaj proteste u shënua pranë Piramidës së Tiranës, ku një grup të rinjsh shpalosën dhe valëvitën flamurin kombëtar.
Mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të protestuesve, flamuri kuqezi u hap në shkallët e Piramidës, duke krijuar një nga imazhet më simbolike të manifestimit të sotëm në kryeqytet.
PANKARTAT / MES HUMORIT, MEMEVE DHE MESAZHEVE TË FORTA
Protestuesit kanë përdorur kreativitetin në pankarta, duke përfshirë slogane virale dhe mesazhe politike.
Shprehje si “Shteti nuk shitet” dhe “Edi Rama ka skaduar” janë ndër më të përhapurat, duke reflektuar tonin e fortë dhe simbolik të protestës.
ISH-DEPUTETJA E PS NË PROTESTË
Mes protestuesve është parë edhe deputetja Marjana Koçeku, e cila pak ditë më parë u shkëput nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Ajo është shfaqur pranë qytetarëve që kërkojnë ndryshim, duke theksuar publikisht distancimin e saj nga partia dhe bindjen për pavarësi politike.




