Grabitet me armë një bankë pranë stadiumit Dinamo
Një person i armatosur ka grabitur degën e një banke private pranë stadiumit Dinamo. Ngjarja e rëndë është konfirmuar edhe nga policia e shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas policisë autori, i cili ende nuk është i identifikuar, ka qenë i maskuar dhe i veshur me të zeza. Nën kërcënimin e armës ai ka arritur të marrë një shumë parash. Fatmirësisht ngjarja ka kaluar pa viktima.
Pas grabitjes autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një motor skuter.
Njoftimi i plotë i policisë
Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit.




