Kuvendi i PD miraton rezolutën e Këshillit Kombëtar: Zgjedhjet e 11 majit 2025, farsë!

Kuvendi i PD miraton rezolutën e Këshillit Kombëtar: Zgjedhjet e 11 majit 2025, farsë!

Kuvendi i PD miratoi rezolutën e Këshillit Kombëtar për qëndrimin e partisë ndaj zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, lexoi dokumentin përpara delegatëve, duke theksuar se ai pasqyron qëndrimin zyrtar të partisë dhe refuzimin e farsës zgjedhore.

Ajo nënvizoi se miratimi i rezolutës konsolidon pozicionin politik të PD-së dhe evidenton shqetësimet për standardet demokratike dhe funksionimin e institucioneve në vend. Ky vendim i Kuvendit shënon një mesazh të qartë politik për publikun dhe opinionin ndërkombëtar.

Fjala e plotë

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, mbledhur sot, më datë 30 maj 2026, pasi mori në shqyrtim situatën politike dhe shoqërore në Shqipëri, konstaton se: Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik. Në vend është instaluar një regjim autokratik dhe kleptokratik, në të cilin të gjitha pushtetet përqendrohen në një dorë. Shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin, zgjedhjet me farsën zgjedhore. Regjimi qëndron në pushtet përmes zgjedhjeve farsë.

Raportet ndërkombëtare kanë provuar përfundimisht shuarjen e kufijve midis partisë dhe shtetit, patronazhimin që ushtron presion të skajshëm politik ndaj votuesit, përdorimin e krimit të organizuar për mbledhjen e votave, si dhe ekzistencën e një administrate shumë të fryrë politike. Shqipëria po zbrazet çdo ditë e më shumë. Vendi po kalon një situatë depresive ekonomike dhe shoqërore, të mungesës së shpresës dhe besimit për të ardhmen.

Pamundësia për të jetuar me punë të ndershme dhe mungesa e perspektivës, shtrenjtimi i skajshëm i jetesës, papunësia dhe rënia e prodhimit vendas, mungesa e shanseve të barabarta, mungesa e një sistemi arsimor dhe shëndetësor dinjitoz, mungesa e shërbimeve bazike, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në zona rurale, po prodhojnë çdo vit emigracion masiv të rinisë dhe pjesës më të kualifikuar të forcës prodhuese.

Shqipëria është një narkoshtet. Ajo është kthyer në epiqendrën e krimit të organizuar dhe larjen e parave të pista. Krimi i organizuar kontrollon funksionet kryesore të shtetit. Korrupsioni është i kudo-ndodhur. Agjencitë shtetërore të rendit dhe të sigurisë janë kompromentuar rëndë. Sistemi gjyqësor është në kolaps, prona është e pambrojtur dhe aspak e sigurt.

Ekonomia, e furnizuar nga narkoeurot dhe burimet kombëtare, është përqendruar në duart e personave të lidhur drejtpërdrejt me qeverinë dhe krimin, përmes PPP-ve, megakorrupsionit dhe prokurimeve publike me fitues të paracaktuar. Biznesi për të mbijetuar duhet të gjunjëzohet; kush nuk e bën, shantazhohet. Paratë e krimit të organizuar pastrohen haptazi, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, në dëm të qytetarëve, me të cilët blihen vota për të mbajtur narkoshtetin në pushtet. Kjo ka bllokuar rotacionin normal politik në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Mazhoranca socialiste dhe drejtuesi i saj, Edi Rama, pasi nuk ia dolën të zhbëjnë apo të blejnë opozitën dhe Partinë Demokratike, po ndërmarrin çdo hap për të tkurrur rolin kushtetues të saj në kontrollin e pushtetit. Në Kuvend, hapësira legjislative dhe mbikëqyrëse që i takon opozitës është tkurrur në maksimum. Opozita është përjashtuar tërësisht nga procesi i integrimit të vendit dhe nga ai mbikëqyrës institucional. Ndërkaq, mediat, në shumicë të kontrolluara, tentojnë çdo ditë të shuajnë zërin e saj.

Mazhoranca socialiste dhe drejtuesi i saj, Edi Rama, i ka ofruar mbrojtje maksimale megakorrupsionit, përmes mbrojtjes me imunitet parlamentar dhe moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë standarde unikale për një vend që synon të bëhet pjesë e Europës, në shkelje flagrante të ligjit dhe moralit politik dhe shoqëror europian.

Në këtë kontekst të vështirë, Partia Demokratike ia ka dalë të ekspozojë tërësisht realitetin e hidhur shqiptar. Raporti i ODIHR që shkërmoqi partinë-shtet, dy misione vëzhgimi nga institucionet ndërkombëtare dhe tetë rezoluta ndërkombëtare që rendisin të gjitha gjetjet dhe shqetësimet, si dhe tre kushtet e reja të imponuara nga BE në procesin e integrimit europian, tregojnë qartë se realiteti shqiptar i fasadës demokratike dhe opinioneve të komisionuara tashmë është para syve të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Për këtë arsye, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike deklaron se misioni i saj madhor ka qenë dhe mbetet Shqipëria europiane dhe Shqipëria si e gjithë Europa. Për këtë, ndalimi i menjëhershëm i shpopullimit të Shqipërisë, si kërcënimi më serioz që përballet vendi, përmes shkëputjes së Shqipërisë nga shtetkapja, është prioritet kryesor.

Share it :