Skandali në shëndetësi/ Terapia hormonale në QSUT ‘ndez’ revoltë: Spitalet pa ilaçe, qeveria me eksperimente

Nga Boldnews

Në një kohë kur qytetarët denoncojnë çdo ditë mungesën e ilaçeve në spitale, radhët e gjata për ekzaminime, mungesën e shtretërve dhe kushtet e amortizuara në pavijonet publike, vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hapur një debat të fortë publik dhe politik.

Për shumë qytetarë dhe kritikë, çështja nuk lidhet vetëm me natyrën e trajtimit, por me prioritetet e sistemit shëndetësor shqiptar, i cili prej vitesh përballet me akuza për mungesë investimesh në shërbimet bazë për pacientët.

Çfarë parashikon udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Sipas dokumentit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, terapia hormonale do të ofrohet pranë shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT dhe synon trajtimin e personave transgjinorë përmes hormoneve specifike

 

Udhëzimi parashikon përdorimin e testosteronit për burrat transgjinorë dhe estrogjenit apo anti-androgjenëve për gratë transgjinore. Dokumenti përcakton se trajtimi mund të nisë zakonisht nga mosha 16-vjeçare dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç, pas vlerësimeve të specializuara dhe me miratimin e familjes.

Pacientët duhet të kalojnë analiza laboratorike, vlerësime psikosociale dhe të firmosin pëlqimin e informuar për efektet dhe pasojat afatgjata të trajtimit.

Në variantin fillestar të dokumentit thuhej se terapia do të mbulohej nga fondet publike përmes sigurimeve shëndetësore, çka ndezi edhe më shumë debatet për përdorimin e financave publike në sektorin e shëndetësisë.

Kontrasti me realitetin e spitaleve shteterore

Reagimet janë fokusuar kryesisht tek kontrasti mes këtij shërbimi të ri dhe problemeve kronike të spitaleve shqiptare.

Prej vitesh pacientët raportojnë mungesë ilaçesh jetike, mungesë serumesh, aparatura jashtë funksionit dhe detyrim për të blerë vetë materiale bazë mjekësore. Familjarë të pacientëve me sëmundje të rënda kanë denoncuar vazhdimisht vështirësi për të siguruar trajtimet minimale në sistemin publik.

Në këtë klimë, kritikët pyesin nëse terapia hormonale për personat transgjinorë është prioriteti real i një sistemi shëndetësor që akuzohet se nuk arrin të garantojë as shërbimet bazë për pacientët.

Sqarimi i zv.ministres Eugena Tomini

Pas reagimeve të shumta publike, zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, deklaroi se dokumenti është vetëm një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik.

Sipas saj, udhëzimi nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri dhe i referohet adultëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me konsentin individual të informuar.

Tomini theksoi gjithashtu se dokumenti nuk përcakton skema konkrete rimbursimi për medikamentet hormonale, pavarësisht formulimeve fillestare që flisnin për mbulim nga fondet publike.

Kjo deklaratë ka shtuar edhe më shumë paqartësitë mbi mënyrën se si do të financohet konkretisht terapia hormonale në sistemin publik.

Aulon Kalaja: Qeveria po financon ndërrimin e gjinisë

Aktivisti Aulon Kalaja

I pyetur nga BoldNews, aktivisti Aulon Kalaja e cilësoi vendimin si një nga “skandalet më të mëdha” dhe akuzoi qeverinë se po hap rrugën për financimin publik të ndërrimit të gjinisë.

“Këtu bëhet fjalë për fëmijët e shqiptarëve që ata që janë çuna do kthehen goca dhe ata që janë goca do kthehen çuna. Tani kemi një ligj, kemi një vendim. Sigurisht që nuk më vjen mirë për këtë që po ndodh në vendin tonë. Me sa duket qeveria shqiptare do të financojë ndërrimin e gjinisë. Ky ka qenë diskutimi që ne kemi bërë para gjashtë muajsh kur kemi kundërshtuar ligjin që kaloi me 77 vota të maxhorancës.”

Kalaja deklaroi se opozita duhet të organizojë protesta kundër këtij vendimi, ndërsa ngriti shqetësime për ndikimin që, sipas tij, kjo politikë mund të ketë mbi familjen shqiptare dhe edukimin e fëmijëve.

Në deklaratat e tij, ai e lidhi debatin me çështjet e identitetit gjinor, tekstet shkollore dhe krizën sociale që, sipas tij, po kalon familja shqiptare.

Në vendet e Bashkimit Europian hidhen para shumë të mëdhaja, kanë shkuar terapitë deri në 150 mijë euro për me ndodh kjo gjë. Tani ne futemi si vend eksperimental. Ky është një moment shumë i rrezikshëm dhe do t’i bëj thirrje Partisë Demokratike nga kjo studio që protesta e rradhës duhet të jetë te Ministria e Shëndetësisë, te kjo zëvendësministre apo çfarë janë këta enturazhi i tyre. Pra, goditja e familjes shqiptare në zemër, një. Realizimi prindi 1, prindi 2, histori të tilla, prindi 3, prindi 17 që këta duan t’i fusin, që i kanë futur nëpër tekstet shkollore. Tani i kemi të trajtuar me 15 mijë euro me sa mora vesh unë në Qendrën Spitalore Universitare. Dhe çfarë ka ndodhur? Tani ne historia botërore na ka mësuar që këta ia kanë marrë djalin Elon Musk. Çfarë do pyesin këta për kalamajtë e shqiptarëve? Pra unë mendoj që këtu duhet të bashkohemi vërtet majtas dhe djathtas, s’ka diskutim a jemi me PD-në a jemi me PS-në. Këtu a e mbron familjen shqiptare apo s’e mbron familjen shqiptare. Familja shqiptare është e ndarë, e sakatuar, gjysma jeton në emigrim, gjysma jeton në Shqipëri. Kjo që i ka ngelur Shqipërisë tani, do t’i marrin këta kalamajtë dhe do i çojnë për terapi… çfarë quajnë ata… trajtim hormonal.”

Altin Goxhaj: Shërbimi shëndetësor po implikohet në një eksperiment

Avokati Altin Goxhaj

Edhe avokati Altin Goxhaj reagoi ashpër kundër udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

I pyetur nga Boldnews, sipas tij, vendimi është pasojë e ligjit për barazinë gjinore dhe, në deklaratat e tij, ai përdori akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore dhe organizatave që mbështesin politikat LGBT.

“Ky ishte hapi i pritshëm që vjen direkt pas miratimit të ligjit dexhenderizues që i miratua 1 vit më parë që siç e thamë në atë kohë ka pikërisht këtë qëllim: kastrimin e djemve dhe shkatërrimin fizik dhe mendor të fëmijëve sipas axhendave lgbq antifamilje të shoqërisë së hapur sorosiane.

Ky akt ka 2 anë: nga një anë kriminalizon shërbimin shëndetësor duke e implikuar në një krim kundër fëmijëve që një ditë do të gjykohet siç u gjykuan krimet dhe eksperimentet në kampet e përqëndrimit në Nuremberg. Edhe atëherer mjekët dhe infermierët deshën të mbrohen duke pretenduar se ashtu ishin ligjet dhe urdhërat naziste, por kjo nuk i shpëtoi nga ndëshkimi. As mjekët dhe infermierët, psikologët dhe zyrtarët shëndetësore që do të implikohen në këto krime nuk do të shpëtojnë duke pretenduar se fajin e kishin ligjet dhe urdhërat sorosiste.”tha Goxhaj për Boldnews.

Goxhaj argumentoi se financimi i këtij shërbimi do të pakësojë edhe më shumë burimet për trajtimin e pacientëve të tjerë dhe e krahasoi situatën me mungesën e investimeve në shërbimet psikiatrike dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.

Nga ana tjetër, ky shërbim i ri do të pakësojë edhe më burimet për mbulimin e kurimit dhe rehabilitimin e të fëmijëve të sëmurë. Ndërkohë që 3 dekada më parë kur mbyllën spitalet psikiatrike dhe i nxorrën në rrugë të sëmurët pa asnjë mbështetje për ta dhe për familjet e tyre, në vend që të shpenzojnë për mbështetjen dhe trajtimin e tyre, shtojnë viktima të reja duke synuar fëmijët dhe brezin e ri. Është kriminale të braktisësh fëmijët dhe të moshuarit e sëmurë me sëmundje kronike që disa njerëz të kënaqin nevojat e tyre të shpikura në kundërshtim me ligjet e Zotit dhe natyrës me paratë e taksapaguesve.

Është njësoj sikur të bënin një ligj që gocat dhe gratë që duan të bëjnë buzët, gjoksin apo të pasmet të mbulohen financiarisht sa herë u teket nga taksat tona.

E vetmja anë e mirë e kësaj historie të tmerrshme ishte që disa njerëz të diskutueshëm, i dhanë vetes emrin për të cilin revoltohen: PACIENTË QË KANË NEVOJË PËR TRAJTIM MJEKËSOR, PSIKOLOGJIK DHE PSIKIATRIK!”

Reagimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi publikisht, duke shprehur “shqetësim të thellë” për pjesën e udhëzimit që përmend mundësinë e nisjes së terapisë hormonale nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, nga mosha 14 vjeç.

Në deklaratën e saj, KMSH thekson se të miturit nuk duhet të përballen me procese që kanë pasoja afatgjata në zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik.

Komuniteti Mysliman kërkoi që çështje të tilla të trajtohen me “kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare”.

Reagimi i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë

Një reagim publik pati edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, e cila deklaroi se familja tradicionale po cenohet nga ato që i cilëson si zhvillime të “ideologjisë gjinore”.

Organizata theksoi se identiteti njerëzor si mashkull dhe femër është i dhënë nga Zoti dhe nuk mund të ndryshohet nga vullneti individual.

Në deklaratë u shpreh mbështetje edhe për pastorin Akil Pano, përballë asaj që VUSH e cilësoi si “gjuhë të rënduar publike” dhe tentativa për stigmatizim.

Një debat që prek politikën, fenë dhe krizën e sistemit shëndetësor

Debati mbi terapinë hormonale në QSUT tashmë ka dalë përtej diskutimit mjekësor dhe është kthyer në një përplasje politike, sociale dhe morale.

Ndërsa polemikat vijojnë, pyetja që mbetet në qendër të debatit publik është nëse sistemi shëndetësor shqiptar ka kapacitetin të ofrojë shërbime të reja të specializuara, në një kohë kur shumë qytetarë ende luftojnë për të siguruar trajtimet më bazike në spitale.

Share it :