Protesta e operatorëve turistikë/ Zhupa: E papranueshme që bashkia ende të mos ketë dhënë zgjidhje dhe të mos ulet në dialog!

Kryetarja e komisionit të kulturës, turizmit dhe diasporës, njëherazi deputete e PD për qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, reagoi lidhur me situatën e krijuar me operatorët turistikë detarë në Ksamil, duke kritikuar mungesën e dialogut dhe vonesat e bashkisë në gjetjen e një zgjidhjeje funksionale, edhe pse sezoni turistik ka nisur prej javësh.

Zhupa theksoi se siguria e qytetarëve dhe pushuesve duhet të jetë prioritet absolut në çdo aktivitet detar, por paralelisht edhe bizneset që jetojnë nga turizmi duhet të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt dhe funksionale. Sipas saj, turizmi nuk zhvillohet me presion dhe mungesë komunikimi, por me bashkëpunim, rregulla të qarta dhe respekt për operatorët që mbajnë gjallë ekonominë lokale të Ksamilit.

Reagimi i Ina Zhupës

Protesta e dytë e operatorëve turistik detar në Sarandë. Është e papranueshme që bashkia ende të mos ketë dhënë zgjidhje dhe të mos ulet në dialog me operatorët turistikë detarë të Ksamilit. Vendbazimet e propozuara larg zonave turistike dhe në pika problematike për lundrimin nuk janë zgjidhje reale për punën e tyre.

Siguria e qytetarëve dhe pushuesve duhet të jetë gjithmonë prioritet absolut në çdo aktivitet detar. Por, njëkohësisht, edhe bizneset që jetojnë nga turizmi duhet të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt, të kontrolluar dhe në kushte funksionale.

Në fushata elektorale i takojnë menjëherë dhe u kërkojnë mbështetje, ndërsa sapo kalojnë zgjedhjet, përballë qytetarëve dhe bizneseve nxjerrin vetëm policinë. Turizmi nuk zhvillohet me arrogancë dhe mungesë komunikimi, por me bashkëpunim, rregulla të qarta dhe respekt për njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë lokale.

Bashkia duhet të ulet urgjentisht në tryezë me operatorët dhe të gjejë një zgjidhje funksionale, sepse sezoni ka nisur dhe vonesat po dëmtojnë drejtpërdrejt ekonominë lokale dhe imazhin turistik të Ksamili.

Share it :