Trashëgimia “Balluku”/ Karakaçi, gati firmën për rrugën e florinjtë Kashar-Lekaj, 18 mln euro/km për Gjoka Konstruksion

Nga Boldnews.al

Tre vjet pas përfundimit të tenderit 475 milionë euro, Ministria e Infrastrukturës thotë se është pranë nënshkrimit të kontratës koncesionare për ndërtimin e aksit rrugor Kashar-Lekaj, me një konsorcium të drejtuar nga “Gjoka Konstruksion”, të Rrok Gjoka.

Ministri Enea Karakaçi deklaroi pak ditë më parë se qeveria dhe grupi i kompanive fituese janë shumë afër finalizimit të marrëveshjes. Ai nuk dha asnjë shpjegim se përse negociatat kishin zgjatur për më shumë se tre vite.

Aksi Kashar-Lekaj është pjesë e asaj që qeveria e Edi Ramës e konsideron si Korridori Adriatiko-Jonian ose “Korridori Blu”.

Në foto (nga e majta): Drejtori i Rrugëve, Ami Kozeli, kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi

Fillesa e kësaj rruge është aty ku përfundon një tjetër aks rrugor, Milot-Kashar, i cili aktualisht është në gjendje funksionale.

Tenderi për ndërtimin e aksit rrugor Kashar-Lekaj u zhvillua në vitin 2023 nga Ministria e Infrastrukturës, e cila në atë kohë drejtohej nga Belinda Balluku.

Të dhënat zyrtare tregojnë se aksi rrugor është gjithsej 26.6 kilometra i gjatë dhe vlera fituese është 474.8 milionë euro pa TVSH. Me disa llogari të thjeshta, kostoja për ndërtimin e kësaj rruge është rreth 18 milionë euro për kilometër, duke e renditur këtë rrugë në ato që me të drejtë konsiderohen si “të florinjta”.

Opozita e akuzoi Ballukun dhe qeverinë në atë kohë se po fryn ndjeshëm kostot e ndërtimit dhe se po e bëjnë për qëllime korruptive.

Në foto: Ish-Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke prezantuar projektin e rrugës “Kashar-Lekaj”

Pavarësisht dyshimeve, Balluku, për sa kohë ishte në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, nuk hoqi dorë nga ky projekt tejet i kushtueshëm.

Edhe pas largimit të saj nga detyra, trashëgiminë e Belinda Ballukut po e vijon pasardhësi i saj, Enea Karakaçi, më herët drejtor i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i vendosur në postin e ministrit me lobimin e drejtëpërdrejtë politik të ish-shefes së tij.

Ekspertë të ndërtimit gjithashtu kanë ngritur pikëpyetje publike mbi kostot shumë të larta të këtij investimi, duke pasur parasysh se terreni ku do të kryhen punime është kryesisht fushor dhe, ndërkohë, në një pjesë të këtij investimi, sidomos në aksin nga Kavaja në Rrogozhinë, ka një autostradë tërësisht funksionale.

Ministria e Infrastrukturë publikoi rezultatet e procedurës së koncesionit në Buletinin e Prokurimeve Publike të 3 Shkurtit 2023.

Sipas njoftimit të shpërndarë në atë kohë nga zyra e Ballukut, rezultoi se procedura konkuruese për “Dhënien me koncesion/partneritet publik privat për projektimit, ndërtimin dhe mirëmbajtjen, rehabilitim dhe transferimin e segmentit rrugor Kashar – Pezë – Lekaj”, u fitua nga një grup prej 7 kompanish.

Në foto: Rezultatet e konkurimit për koncesionin e ndërtimit të rrugës “Kashar-Lekaj”

Në krye të konsorciumit ishte “Gjoka Konstruksion”, e mbështetur nga “Junik”, “Cobial”, “Udha”, “Geoportal”, “A&E Engineering” dhe “Pepa Group”.

Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet dhe qeveria ka parashikuar që ajo të funksionojë me pagesë për qytetarët.

Vlera fituese është rreth 475 milionë euro. Të paktën dy prej kompanive, pjesë e konsorciumit fitues, rezultojnë që kanë probleme me drejtësinë, të evidentuara pas përfundimit të tenderit për koncesionin e rrugës “Kashar-Lekaj”.

Kompania “A&E Engineering”, e drejtuar nga Entela Çano, është pjesë e një hetimi që po zhvillon Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa procedura tenderuese të zhvilluara nga Bashkia e Kolonjës, e drejtuar nga ish-gaztori Erion Isai.

Ndërsa kompania tjetër, pjesë e grupit fitues të koncesionit, “Pepa Group”, u vendos së fundmi nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme, pasi pronari i saj, Jetmir Pepa, dyshohet si një pjesë e një grupi kriminal që ka pasur aktivitet në trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Share it :