SPAK nën akuzë për mosveprim, Gjokutaj: GJKKO i kthen dosjen me mbi 20 detyra për çështjen “Gjoka”

SPAK nën akuzë për mosveprim, Gjokutaj: GJKKO i kthen dosjen me mbi 20 detyra për çështjen “Gjoka”

Gjykata ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e një çështjeje dhe ka vënë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) para përgjegjësisë, duke i ngarkuar mbi 20 detyra hetimore. Vendimi i paprecedentë ekspozon një hetim të cunguar nga ana e SPAK dhe kërkon zbardhjen e plotë të çështjes që përfshin gjyqtaren Irena Gjoka.

Në një prononcim për mediat, avokati Genc Gjokutaj shpjegoi se prokuroria nuk mori pjesë në seancë, por u mjaftua me një kërkesë me shkrim për pushimin e çështjes. Ai e cilësoi këtë një “ngërç procedural”, pasi hetimi nisi pa një emër personi të regjistruar, por u kërkua të mbyllej bazuar në dispozitën për të pandehurit. “Pa e marrë dot të pandehur, e kuptoni se çfarë ngërçi procedural është kjo?” deklaroi ai

Avokati akuzoi SPAK për mosveprim të thellë, duke pretenduar se i gjithë hetimi ishte tejet sipërfaqësor. “SPAK ka kryer vetëm pyetjen e Irena Gjokës, dhe edhe atë nuk e ka firmosur oficeri i policisë gjyqësore,” tha Gjukuta. Ai shtoi se dosja që iu paraqit gjykatës përmbante vetëm “dy fletë”, një fakt që sipas tij tregon për një mungesë totale të vullnetit për të hetuar.

Përballë kësaj situate, vendimi i gjykatës vlerësohet si një përgjigje ligjore që detyron SPAK të veprojë. Caktimi i mbi 20 detyrave hetimore, një numër i konsideruar i jashtëzakonshëm, shihet si një udhërrëfyes i detajuar për të gjitha veprimet që SPAK ka neglizhuar. “Kjo çështje është një nga më të rëndësishmet, sa i përket jo vetëm hetimit, por edhe integritetit të GJKKO-së dhe mënyrës se si gjykohet dhe hetohet,” theksoi avokati.

Situata shihet përtej një mungese profesionalizmi, duke u cilësuar si një “llogore tjetër e gjyqësorit dhe e qeverisjes së gjyqësorit”. U përmend gjithashtu heshtja e institucioneve si KLGJ dhe ILD, duke sugjeruar se SPAK ndoqi të njëjtën rrugë mbrojtjeje për gjyqtaren. Tani, presioni është tërësisht mbi SPAK për të zbatuar detyrat e gjykatës dhe për të dëshmuar se është i aftë të hetojë pa anshmëri.

Share it :