Nesho: Reforma në drejtësi në Shqipëri ishte një propozim nga Sorosi në mbështetje të Ramës

Nesho: Reforma në drejtësi në Shqipëri ishte një propozim nga Sorosi në mbështetje të Ramës

Reforma në drejtësi, e prezantuar si një projekt madhor me mbështetje perëndimore për të luftuar korrupsionin, argumentrohet se nuk ishte gjë tjetër veçse një strategji e mirëmenduar për të konsoliduar pushtetin politik përmes kontrollit të sistemit gjyqësor.

I ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto’, diplomati Agim Nesho tha se ky rast nuk është unik për Shqipërinë, por pjesë e një manuali të zbatuar më herët në vende të tjera për të arritur qëllime të ngjashme.

Sipas Neshos, liderë të ndryshëm kanë përdorur historikisht reformat si një mjet për të kapur drejtësinë

Shembuj konkretë vijnë nga Venezuela, ku Hugo Chavez ishte ndër të parët që përdori një reformë gjyqësore për të forcuar pushtetin e tij. Një model i ngjashëm u ndoq edhe në Gjeorgji, ku ish-presidenti Mikheil Saakashvili, i mbështetur nga fondacioni Soros, kreu një reformë drastike duke larguar një klasë të tërë gjyqtarësh dhe prokurorësh për t’i zëvendësuar me figura militante dhe besnike.

Ky projekt u përhap më pas në vende të tjera, përfshirë Ukrainën, ku grupe interesi si ai i Soros shihnin një mundësi për të çuar përpara përfitimet e tyre financiare.

Në rastin e Shqipërisë, sipas diplomatit reforma ishte një propozim i ardhur nga George Soros në mbështetje të kryeministrit Edi Rama, i cili më herët kishte qenë anëtar i bordit të fondacionit Soros në Shqipëri.

Takimi i njohur mes Soros dhe Ramës konsiderohet si një pikë kyçe në këtë proces. Qëllimi final ishte kontrolli i pushtetit politik për interesa të gjithanshme, përfshirë ato financiare, që do të shoqëronin një pushtet të koncentruar. Zbatimi i reformës u shoqërua me mekanizma që synonin të siguronin kontrollin.

Në përfundim, Nesho tha se procesi i vetingut shërben si një mjet selektimi për të zgjedhur gjyqtarë e prokurorë të afërt me pikëpamjet e qeverisë.

Deklarata e plotë:

“Nuk ka patur asnjë dyshim që kjo drejtësi që është implementuar në Shqipëri nuk ishte një projekt i vendeve perëndimore. Duhet të themi që gjithmonë liderat të ideologjive të ndryshme të cilët kanë dashur të konsolidojnë pushtetin e tyre, kanë përdorur reformën për të kontrolluar drejtësinë. Dhe kjo është provuar në Venezuela.

Chavezi ka qenë nga të parët që ka bërë reformën në drejtësi. Pastaj ka filluar me fondacionin Soros për të mbështetur kandidatin e tyre, pjesëtarin e organizatës në Gjeorgji.

Duhet të mbani mend që Saakashvili ishte autor i madh që bëri reformën e madhe gjyqësore duke hequr një klasë të tërë gjyqtarësh, prokurorësh, për të sjellë figura militante që do ta mbronin në veprimet e papërgjegjshme që ai zhvilloi më vonë. Dhe ky projekt u përhap në të gjitha vendet kur grupet e interesit si Sorosi shikonin një perspektivë të zhvillimit të përfitimeve të tyre financiare.

Kemi të njëjtat organe drejtësie të ngritura në Ukrainë, kur për një kohë të gjatë fondacioni Soros ishte në një aktivitet të plotë. Shikojmë edhe në Shqipëri ku anëtari i bordit që në hapjen e fondacionit Soros ka qenë Edi Rama.

Pra, ajo që u bë në Shqipëri ishte një kërkesë për të kontrolluar atë pushtetin politik në Shqipëri për interesa të gjithanshme duke përfshirë dhe interesat financiare që do të shoqëronin një pushtet të tillë të koncentruar siç ka zoti Rama.

Pra, reforma erdhi një propozim nga Sorosi në mbështetje të Ramës. Dihet vizita e tij e parë, takimi që pati si me Edi Ramën ashtu edhe me Lulzim Bashën.

Nuk dihet çfarë ka premtuar, por rruga e kryerjes së reformës ishte e tillë kur u përzgjodhën me anë të vetingut njerëzit të cilët do të ishin të afërt me pikëpamjen e Edit Ramës, me të Edi Ramës.

Prandaj u bënë shkelje të tilla të kushtetutës, me zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm të përgjithshëm, kur jashtë kushtetutës u zgjodh në mënyrë të shpejtë.

Prandaj u bënë disa dosje të nxehta si 339-ta dhe 184-a u deleguan sikur nuk ishin çështje që kanë të lidhur me korrupsionin e madh zgjedhor, por për t’i ulur rëndësinë e tyre dhe për të fshehur faktet dhe kështu me radhë. Pra, sistemi u ngrit i tillë. Por pse Europa e përkrahu, Flavio?

E përkrahu se ishte në një moment që Gjermania, që është lokomotiva e Bashkimit Europian, kishte një mosbesim për investime në Shqipëri. Dhe Merkel insistonte që skandali dhe kërkesa nga gjykatat shqiptare që Deutsche Bank duhet të paguante një shumë prej qindra milionë dollarësh ishte e papranueshme për ta.

Share it :