Mediat fshehin skandalet e pushtetit’/ Bushati: Dosjet ‘5D’, Balluku dhe AKSHI ‘u varrosën’…

Mediat fshehin skandalet e pushtetit’/ Bushati: Dosjet ‘5D’, Balluku dhe AKSHI ‘u varrosën’…

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, komentoi intervistën e Mirlinda Karçanajt duke e përdorur atë si shembull të asaj që ai e cilësoi si krizë të thellë të lirisë së mediave në Shqipëri.

Bushati solli në vëmendje mënyrën se si, sipas tij, media kombëtare kanë heshtur për ngjarje dhe dosje të rëndësishme që lidhen me pushtetin. Ai kujtoi arrestimin e disa drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në çështjen e njohur si “5D”, për të cilën tha se nuk pati asnjë trajtim serioz televiziv nga mediat kryesore, as në ditën e ngjarjes dhe as më pas.

Sipas Bushatit, e njëjta heshtje ka shoqëruar edhe çështje të tjera të rëndësishme, si dosjet që lidhen me Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Ajola Xoxën apo AKSHI-n. Ai argumentoi se problemi i lirisë së mediave nuk matet me numrin e portaleve apo me faktin që kryeministri kritikohet verbalisht në studio televizive, por me aftësinë reale të mediave për të prodhuar investigime, kronika të thelluara dhe raportim të paanshëm mbi aferat e pushtetit.

Duke iu referuar edhe debatit mes kryeministrit Edi Rama dhe organizatës Reporterët Pa Kufij, Bushati tha se liria e medias në Shqipëri është banalizuar si koncept. Sipas tij, raportet ndërkombëtare që përmbajnë kritika për qeverinë shpesh censurohen ose minimizohen nga mediat kryesore, ndërsa theksohen vetëm pjesët pozitive.

Ai shtoi se i njëjti model, sipas tij, përsëritet edhe me raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit apo të Bashkimit Europian, ku mediat zgjedhin të promovojnë vetëm aspektet që favorizojnë qeverinë dhe të fshehin kritikat. Bushati e cilësoi intervistën e Karçanajt si simbol të një sistemi mediatik të “kapur”, ku sipas tij, media nuk kufizohet më vetëm te mungesa e denoncimit, por kalon në një stad aktiv shërbimi ndaj pushtetit. Sipas analistit, sa më shumë thellohet degradimi i sistemit, aq më shumë kërkohet jo indiferencë, por mbështetje dhe shërbim ndaj regjimit.

Bushati:

Ne mbajmë mend që u arrestuan pesë drejtorë të Bashkisë së Tiranës, 5D e famshme, tre sa ishin ata, dhe nuk bëri asnjë televizion, nga televizionet kombëtare flas, emision as atë natë, as të nesërmen në mbrëmje. Pra, u bë sikur ngjarja nuk kishte ndodhur. Se ishte Velia në detyrë. Sa e sa televizione kanë heshtur për dosjen Balluku. Pse i them këto?

I them se dua t’i lidh me një debat që është zhvilluar kohët e fundit në Shqipëri dhe që u zhvilluan shumë replika midis Ramës dhe Reporterëve Pa Kufij. Reporterët Pa Kufij prapë na ulën në klasifikim dhe Rama thoshte, “Hej, si mund të thoni ju që ne jemi vend pa liri mediash? Këtu përditë shahet kryeministri nëpër televizione natë për natë. Këtu ka kaq numra portalesh që kanë shkrime kritike ndaj kryeministrit.”

Dhe liria e mediave u banalizua sikur është një statistikë. Në fakt, ç’do të thotë të kesh media të lira në Shqipëri? Të kesh media të lira në Shqipëri, do të thotë që të bëhen investigime, që në lajmet e tyre, në edicionet informative, të ketë një kronikë të thelluar. Mbani mend ju një kronikë të Top-it, të Klanit, të Vizionit, a të kujt doni, çfarë është dosja e Belinda Ballukut, çfarë është dosja e Ajolës dhe Erjonit, çfarë është dosja e AKSH-it? Zero.

Pra, edhe këto lloj intervistash janë në këtë suazë. Në suazën e mediave të kapura që vetëm një mision nuk bëjnë, të informojnë publikun. Mund ta shtrijmë më tej këtë. Njësoj si intervista e Karçanajt, është, shikoni kur bën ë raportin e përvitshëm Departamenti i Shtetit. Shikoni gjithë televizionet kombëtare. Japin të gjitha anët pozitive, i nxjerrin në tituj dhe ku ka kritika, i fshehin. Është njësoj kur botohet raporti i përvitshëm i progresit të Bashkimit Europian.

Fshihet gjithçka që është kritike dhe trumpetohet gjithçka që mund të quhet pozitive për, për qeverinë. Gjehen dhe nxirren nga fundi i dheut disa ditëzi eurodeputetë apo parlamentarë dhe thonë që thonë sa i madh është Edi Rama. Po kur mediat më të fuqishme të botës na quajnë narko-shtet, as nuk e citon njeri nga ë pjesa më e madhe e mediave. Pra, të komentosh intervistën e Karçanajt dhe prandaj Lorenci ka të drejtë që thotë nuk mund të bëhej më shumë, nuk mund të bëhej më shumë se nuk kemi media të lira. Ky është, ky është thelbi. Dhe ajo ishte një simbol që këtu i gjithë, pothuajse i gjithë sistemi mediatik është tredhur.

Kemi kaluar në stad tjetër. Pra, kemi kaluar jo në stadin që boll mos bësh keq, por tani, pra, sa më shumë regjimi thellohet në krim, aq më shumë ai baltos shërbëtorët e vet. Pra, nuk duhet, nuk, duhet më indiferencë, duhet shërbim. Dhe nuk është hera e parë që shohim shërbime të tilla.

Share it :