Akuza për dështimin e e-Albania, Gjonaj: Miliona euro dëm dhe qytetarët në kaos, teknologjia u shit si sukses
Platforma qeveritare e-Albania, e promovuar si një sukses i dixhitalizimit në Shqipëri, është vënë në qendër të akuzave të rënda pas bllokimit total të shërbimeve të saj.
Qytetarët shqiptarë janë gjendur të pamundur për të marrë dokumentet dhe shërbimet më elementare, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e miliona eurove të investuara nga taksat publike.
Problemi shkon përtej një defekti të thjeshtë teknik.
Shteti dixhital, i cili në reklamë duket modern dhe funksional, “dështon” pikërisht atëherë kur qytetarët kanë nevojë për të. Për shkak të mosfunksionimit të portalit, qytetarët nuk mund të marrin dot as një çertifikatë të thjeshtë, një shërbim bazik që vetë shteti i ka detyruar ta marrin online pas mbylljes së sporteleve fizike.
Përgjegjësia për këtë kaos, sipas kritikëve, bie direkt mbi Kryeministrin Edi Rama dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ata akuzohen se kanë marrë miliona euro për sisteme që nuk funksionojnë dhe që nuk arrijnë të mbajnë as “këmbën e shërbimit bazë”.
U theksua kontrasti i thellë mes propagandës qeveritare, që flet për inovacion dhe inteligjencë artificiale, dhe realitetit të një platforme të bllokuar.
Dështimi i sistemit përshkruhet si një dështim në menaxhim, jo thjesht një justifikim teknik. U theksua se sistemeve të tilla kritike u mungojnë plane serioze testimi, strategji rikuperimi (recovery plans) dhe kopje rezervë (backups) për të garantuar funksionim pothuajse të pandërprerë.
Për platforma të këtij niveli, standardi i funksionimit duhet të jetë pranë 99.99%, ndërkohë që e-Albania përballet me bllokime që zgjasin me ditë të tëra.
Përtej pamundësisë së marrjes së shërbimeve, u ngritën shqetësime serioze edhe për sigurinë e të dhënave.
Në portalin e-Albania ruhen të dhënat e ndjeshme të qytetarëve, familjeve, bizneseve dhe pronave të tyre. Rënia e sistemit lë të hapura pyetjet thelbësore: Kush i ruan këto të dhëna dhe kush ka akses mbi to në një situatë të tillë vulnerabiliteti?
Në një tubim të opozitës para Kryeministrisë, anëtari i Partisë së Lirisë, Hamëz Gjonaj, në fjalën e tij theksoi: “Dua të flas për teknologjinë në Shqipëri. Për atë teknologji që na është shitur si një sukses. Për ato miliona euro që janë marrë nga taksat tona. Për atë platformë që në reklamë duket moderne, por kur qytetari ka nevojë për të, ajo dështon.
Sot qytetari nuk merr dot një çertifikatë. Nuk merr dot një shërbim bazik. Nuk merr dot atë që shteti vetë ja ka detyruar ta marrë online, sepse nuk ka sportele. Sepse e-Albania bie. Hapet si faqe, por ajo nuk jep shërbim. Shteti dixhital funksionon në propagandë, se në realitet, nuk marrim dot një çertifikatë.
Rroftë Diella! Shteti dixhital funksionon dhe këtë duhet ta themi qartë që funksionon. Por nuk funksionon për qytetarin. Por qytetari nuk ka faj. Fajin nuk e ka ai që ka një afat për të dorëzuar një dokument sepse i duhet patjetër. Do marrë një kredi, do marrë një bonus, do marrë diçka. Fajin nuk e ka ai që ka probleme përditë. Fajin nuk e ka ata të cilët ju duhet domosdoshmërisht që nuk gjen dot një sportel.
Fajin e ka Edi Rama. Fajin e ka AKSHI. Fajin e kanë ata që kanë marrë miliona për sisteme që nuk bëjnë dhe nuk mbajnë këmbën e shërbimit bazë. Nuk janë për asgjë, vetëm për propagandë. Këto sisteme duhet të testohen seriozisht.
Duhet të kenë plan rikuperimi. Duhet të kenë kopje rezervë të këtij sistemi. Duhet të kenë funksionim pothuajse pa ndërprerje”.
Më tej Gjonaj shtoi, duke ngritur disa pyetje që kërkojnë përgjigje: “Në teknologji për sisteme të tilla, flitet për 99.99% gabim mbi saktësi. Jo ditë të tëra bllokime. Kur një sistem kritik bie kaq gjatë, nuk është thjesht një gabim teknik, një justifikim i thjeshtë. Është një dështim në menaxhimin e tij. Dhe pastaj dalin e flasin për dixhitalizimin, inovacionin, inteligjencën artificiale.
Po para se të flasim për inteligjencë artificiale, le të tregojnë pse nuk punon e-Albania. Pse s’punon? Çfarë halli ka? Zoti Edi Rama doli dhe tregoi me video një person duke punuar me e-Albania.
Ku është ajo e-Albania sot? Ditë pune. Administrata në punë. Pse paguhet administrata sot? Pse? Kur administrata nuk ka një e-Albania që të punojë, të nxjerri një çertifikatë, të bëjë një deklarim pasurie, të bëjë një shitje. S’ka. S’është faji jonë. Tani le të flasim pak për të dhënat tona. Në e-Albania janë të dhënat e qytetarëve, të familjes, të biznesit, të pronësisë dhe të administratës. Kush i ruan këto të dhëna? Kush ka akses mbi to?”.




