Foltorja e PD, Caku thirrje të rinjve: Mos ikni, ngrihuni, Shqipëria ka nevojë për ju

Foltorja e PD, Caku thirrje të rinjve: Mos ikni, ngrihuni, Shqipëria ka nevojë për ju

Gjatë një tubimi të mbajtur para Kryeministrisë në kuadër të “Foltores” së Partisë Demokratike, Frenkli Caku, nënkryetar i Forumit Rinor të Elbasanit, bëri një apel dramatik për të rinjtë shqiptarë që të mos largohen nga vendi, por të angazhohen për të ndryshuar realitetin e zymtë.

Duke folur para qytetarëve dhe liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Caku artikuloi frustrimin dhe mungesën e shpresës që po i shtyn mijëra të rinj drejt emigrimit.

Shqipëria po zbrazet çdo ditë,” deklaroi Caku, duke theksuar se largimi masiv nuk vjen nga mungesa e dashurisë për atdheun, por nga mungesa e perspektivës. Sipas tij, janë studentët më të mirë, profesionistët më të zotë dhe të rinjtë që duan të ndërtojnë një të ardhme me dinjitet, ata që po largohen.

e përshkroi këtë si një hemorragji të trurit dhe potencialit të vendit, ku një i ri përballet me papunësi, paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese. Duke adresuar një ndjenjë të përhapur mosbesimi tek institucionet, Caku përcolli ndjesinë e shumë bashkëmoshatarëve të tij që ndihen “të harruar” dhe të padëgjuar nga sistemi aktual.

Megjithatë, mesazhi i tij nuk ishte vetëm një ankesë, por edhe një thirrje për një Shqipëri tjetër. “Rinia shqiptare nuk kërkon privilegje, kërkon mundësi, drejtësi dhe shpresë,” tha ai, duke theksuar vizionin për një vend ku mundësitë fitohen me meritë dhe punë, dhe jo përmes lidhjeve miqësore apo duke qenë “patronazhist”.

Caku:

Të nderuar qytetarë, të dashur të rinj dhe të reja, i nderuar lider i Partisë Demokratike, doktor profesor Sali Berisha. Unë jam Frenkli Caku, nënkryetar i Forumit Rinor të Elbasanit dhe njëkohësisht anëtar i zgjedhur i kryesisë së re të Partisë Demokratike, dega Elbasan. Sot ndodhem këtu jo thjesht si një përfaqësues politik, por si një i ri që jeton çdo ditë të njëjtat shqetësime që kemi, që kanë mijëra bashkëmoshatarët e mi. Shqetësime për të ardhmen, për mungesën e mundësive.

Shqipëria po zbrazet çdo ditë. Të rinjtë po largohen, jo sepse nuk e duan vendin e tyre, por sepse nuk shohin shpresë. Po ikin studentët më të mirë, profesionistët më të zotë dhe të rinjtë që duan të ndërtojnë një të ardhme me dinjitet në vendin e tyre. Një i ri sot përballet me papunësi, paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe mungesë besimi tek institucionet.

Shumë të rinj ndihen të harruar, ndihen sikur askush nuk i dëgjon, por ne jemi këtu për t’u thënë se zëri i tyre do të dëgjohet. Ne besojmë në një Shqipëri ku të rinjtë nuk detyrohen të largohen për të ndërtuar një jetë normale. Në një Shqipëri ku mundësitë fitohen me meritë dhe me punë, e jo me mik apo duke qenë patronazhist. Rinia shqiptare nuk kërkon privilegje, kërkon mundësi, kërkon drejtësi, kërkon shpresë.

Dhe sot kam një thirrje për çdo të ri shqiptar: Mos qëndroni indiferentë, angazhohuni, ngrini zërin, bëhuni pjesë e ndryshimit, sepse Shqipëria nuk ndryshon duke u larguar prej saj, por duke luftuar për ta bërë më të mirë. E ardhmja e këtij vendit është në duart e rinisë dhe koha tregon që të rinjtë do të marrin përgjegjësinë për të ndryshuar këtë keqqeverisje dhe për t’i rikthyer Shqipërisë shpresën që meriton. Ju faleminderit.

Share it :