Mjeku Pecnikaj: Furnizimi me ilaçet onkologjike në Shqipëri janë në krizë, po i lëmë njerëzit të vdesin
Mjeku Ilir Pecnikaj duke folur në ‘Foltoren’ së opozitës përpara Kryeministrisë, ngriti shqetësime mbi gjendjen e sistemit shëndetësor.
Ai deklaroi se lista e barnave të rimbursueshme në Shqipëri është ndjeshëm më e kufizuar krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, duke përbërë vetëm rreth një të katërtën e barnave që ofrohen në komunitetin europian.
Sipas tij, situata është edhe më problematike në barnat onkologjike, ku medikamenti më i fundit i përfshirë në listën e rimbursimit daton nga viti 2016. Ai shtoi se vetëm gjatë vitit 2025 në BE janë regjistruar 56 barna të reja antitumorale, duke paralajmëruar se, nëse ritmi aktual vazhdon, këto trajtime mund të mbërrijnë në Shqipëri rreth vitit 2040.
Gjatë të përditshmes sonë, qoftë në aspektin farmaceutik apo të sigurisë ushqimore, situata mbetet shqetësuese. Në Shqipëri, lista e barnave të rimbursueshme përmban vetëm një të katërtën e atyre që ofrohen në komunitetin europian.
Sa i përket barnave onkologjike të rimbursueshme, medikamenti më i ri i përfshirë në listë është i vitit 2016, pra i para afro 10 vitesh. Vetëm gjatë vitit 2025, në komunitetin europian janë regjistruar 56 barna të reja antitumorale. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, i bie që këto barna të mbërrijnë në Shqipëri rreth vitit 2040.
Pra, për sa i përket kurimit, ne nuk jemi thjesht mbrapa, ne po i lëmë të sëmurët tanë të vdesin. Por çfarë po bëjmë për parandalimin?
Para tre ditësh, më 15 maj, u publikua një artikull në një revistë ndërkombëtare për sigurinë ushqimore. Në të thuhej se, nga 62 kampione të analizuara, 56 prej tyre përmbanin më shumë se dy pesticide. Numri total i pesticideve të gjetura në këto kampione ishte 42, mbi normën e lejuar. Në disa raste, niveli i lejuar ishte tejkaluar deri në 350% të kufirit të përcaktuar nga komuniteti europian.
Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se, sipas të njëjtit artikull, gjashtë nga 42 pesticidet e identifikuara janë të ndaluara. Njëri prej tyre rezulton i ndaluar në Shqipëri prej 25 vitesh. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me kontrabandë.
Në Shqipëri, ajo që po lulëzon dita-ditës është pikërisht kontrabanda. Gjithçka që ligji e ndalon, kjo qeveri duket se ua lejon miqve të saj.
Duke qenë se ky zinxhir problematik po na prek të gjithëve, dua t’i bëj të njëjtën pyetje që ia kam drejtuar edhe disa herë të tjera zëvendëskryeministres: me adresat ku jemi? Olsit, a e gjete adresën apo jo?
Faleminderit’, theksoi në fjalën e tij mjeku Ilir Pecnikaj




