Çollaku: Duhet një ‘vetting i vettingut’, procesi u komprometua nga shkelje dhe kontroll politik
Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meço në SYRI TV, ka ngritur akuza të forta ndaj procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se dokumentet e prezantuara nga Sali Berisha hedhin dritë mbi një komprometim serioz të reformës në drejtësi.
Sipas Çollakut, Berisha gjatë deklaratës së tij bëri publike dokumente që, sipas tij, përbëjnë një ‘dosje reale’, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën si është zhvilluar procesi i vettingut për drejtues të prokurorisë dhe gjykatave.
Gazetari ngriti dyshime edhe mbi mënyrën e përzgjedhjes së personave të larguar nga sistemi i drejtësisë, duke pretenduar se shumica dërrmuese e tyre kanë qenë nga veriu i vendit dhe me bindje të djathta politike. Sipas tij, disa gjyqtarë dhe prokurorë janë penalizuar për kritere që ai i konsideroi të paarsyeshme, si kërkesa për dokumente të vjetra apo shpjegime për sende familjare.
Në fakt, zoti Berisha sot gjatë gjithë kohës prezantoi dokumente. Në një farë mënyre, ai bëri publike një dosje reale. Kjo është shumë e rëndë, sepse ne kemi diskutuar pafund këtu së bashku për vettingun dhe do të flasim sërish.
Komprometimi i procesit të vettingut te drejtuesit e prokurorisë dhe gjykatave tregon se çfarë ka ndodhur me dosjet dhe proceset e tjera. Cili ka qenë raporti i këtyre institucioneve, kur pritshmëritë ishin të jashtëzakonshme, ndërsa kontrolli rezultoi tepër i dobët?
Këto janë materiale shtrënguese, pasi kemi të bëjmë me shkelje radikale ligjore. Kjo qeveri ia besoi vettingun një kompanie austriake kanalizimesh. Komisionerët ndërkombëtarë, që supozohej të ishin garantuesit e procesit, paguheshin me rreth 1000 euro në ditë në Shqipëri. Shumë prej tyre, sipas pretendimeve, kanë qenë persona të hetuar në Kosovë nga EULEX për ushtrim ndikimi të paligjshëm, të paktën tre prej tyre.
Mbaj mend një komisioner italian, i cili më herët kishte punuar te PAMECA dhe që doli publikisht në një rast, duke deklaruar se Emiljano Shullazi ishte arrestuar në mënyrë të kundërligjshme. Deri këtu arrinin, le të themi, interpretimet e tyre juridike.
Për tre vite, drejtuesja e këtij komisioni ishte Genta Tafa Bungo, e cila më pas u bë komisionere. Nëse shohim listën e njerëzve të larguar nga sistemi, prokurorë dhe gjyqtarë, pa e kthyer këtë në çështje gjeografie, rezulton se rreth 85% e të larguarve janë nga veriu dhe shumica dërrmuese me bindje të djathta.
Shumë prej tyre janë penalizuar për arsye absurde. Ka pasur raste kur u janë kërkuar dokumente të pamundura, si kontrata të ujit të kohës së komunizmit apo llogaridhënie për sende familjare të viteve kur kanë qenë fëmijë. Këto nuk janë standarde dhe as kritere normale kontrolli.
Ndërkohë, sipas pretendimeve, ka shumë dokumente të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë ende në sistem dhe që janë fshehur apo hequr nga dosjet. Si në rastin konkret, ka edhe raste të tjera. Një tjetër drejtuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko, përmendet për lidhje familjare me një të pandehur.
Ndërsa në shkallën e dytë, në KPA, përmenden emra si Albana Shtylla dhe Ina Rama. Sipas kritikëve të reformës, këto struktura konsiderohen pjesë e një sistemi të kontrolluar politikisht dhe jo të pavarur.
Gjithashtu pretendohet se shumë prokurorë dhe gjyqtarë kanë pasur problematika në dokumentacionin e rivlerësimit, të cilat janë mbajtur për arsye kontrolli apo presioni. Për këtë arsye, është kërkuar shpesh ideja e një ‘vettingu të vettingut’, me rishikim të dosjeve të largimeve nga sistemi.
Po ashtu, përmenden raste të gjyqtarëve të rikthyer në sistem pas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Kritikët ngrenë shqetësime edhe për mënyrën si janë trajtuar dosje të ndryshme në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Sipas pretendimeve, ka pasur raste kur vendime të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, të cilat fillimisht konsideroheshin problematike, janë ndryshuar gjatë procesit të vettingut. E njëjta gjë pretendohet edhe për raportet e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, ku disa prokurorë e gjyqtarë fillimisht rezultonin me probleme, por më pas janë konfirmuar në detyrë’, u shpreh Basir Çollaku ndër të tjera në SYRI TV.




