Ura e SPAK-ut mbetet “varur”/ Rama shtyn lejen për projektin “futuristik” të Drejtësisë së Re

Nga Boldnews.al

Një urë që lidh godinat e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, i ngjashëm me një projekt futuristik, nuk është arritur të përfundojë në kohë. Për këtë arsye, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT), është detyruar të shtyjë afatin e lejes së ndërtimit.

Në një vend si Shqipëria, ku kryeministri trajton edhe lejet e ndërtimit për skela, KRRT-ja, mes morisë së vendimeve të shqyrtuara në 30 mars 2026, gjeti kohën të trajtonte edhe kërkesën “Për miratimin e shtyrjes së lejes së ndërtimit për përshtatjen e objektit “Inkubatori i Biznesit në zyra për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe ndërtimin e urës lidhëse midis dy objekteve ekzistuese”.

Në foto: Ura e Prokurorisë së Posaçme

Ndërkohë që përshtatja e ambjenteve është realizuar dhe prokurorët e posaçëm kanë hyrë në zyrat e reja, ajo që ka mbetur ende “varur” është pikërisht ura lidhëse mes godinës së re të SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme.

Leja fillestare për urën është miratuar në Korrik 2024. Në projektin e sugjeruar nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, parashikohej, ndër të tjera, edhe ndërtimi i një ure-skelë, për të lehtësuar komunikimin fizik mes gjykatës dhe prokurorisë së posaçme.

Kryeministri Rama, në fazën e “mjaltit” me Prokurorinë e Posaçme, e miratoi projektin, megjithëse largësia mes dy godinave nuk është më shumë se 20 metra dhe ato ndahen mes tyre vetëm nga një rrugë.

Vendimi i Ramës u konsiderua masivisht si një “përkëdhelje” e kryeministrit ndaj Prokurorisë së Posaçme, pasi distanca fizike ishte tërësisht ndërmjet ndërtesave është tërësisht e papërfillshme.

Në një rast të ngjashëm, prokurorët e Tiranës do të duhet të përshkruajnë rreth 2 kilometra në këmbë për të shkuar në Gjykatën Penale, por ata as nuk janë ankuar dhe as nuk janë trajtuar në mënyrë kaq dashamirëse. E njëjta situatë është edhe në shumë prokurori e gjykata të tjera, në rrethe të ndryshme të vendit.

Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut, duke pasur emërtimin “special”, natyrisht, meritojnë edhe kushte “speciale”, siç është edhe ura “e varur”.

Në foto: Vendimi i kryeministrit Rama për shtyrjen e lejes së ndërtimit të urës së SPAK-ut

Projekti parashikon që ura është maksimalisht 39 metra e gjatë dhe lartësi maksimale rreth 10 metra nga toka. Një pjesë e madhe e saj është ndërtuar, por, mesa duket, nuk ka arritur në kushtet optimale. Për këtë arsye, kryeministri Edi Rama shpenzoi mesditën e 30 marsit 2026 për të miratuar shtyrjen e lejes.

Për realizimin e projektit, Qeveria Shqiptare miratoi një fond prej më shumë 397 milionë lekë të reja (rreth 4 milionë euro).

Prokuroria e Posaçme shpalli tenderin në nëntor 2024. Sipas dokumentave zyrtare, rezulton se në garë kanë marrë pjesë dy konkurentë: Bashkimi i Operatorëve “KAEXH” shpk, “2T” shpk dhe “AEES” shpk, me ofertë 375 milionë lekë; si edhe kompania “Ulza”, që paraqiti ofertën në shumën 388 milionë lekë.

Në përfundim, SPAK-u shpalli fitues bashkimin e operatorëve, të cilin kishin paraqitur ofertën më të ulët.

Share it :