Vokshi: Ku është kryeministri sot? Çdo gjë në Shqipëri kontrollohet nga krimi, nga bandat!
Seanca plenare e dedikuar diskutimit të raportit vjetor për procesin e integrimit të Shqipërisë është përfshirë nga debate të ashpra, ku opozita ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për keqmenaxhim të procesit dhe për mungesën e figurave kyçe në sallë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cilësoi seancën si më të rëndësishmen, duke e quajtur raportin e integrimit “busullën që 90% e qytetarëve duan ta ndjekin”. Megjithatë, ajo kritikoi ashpër rendin e ditës, duke e quajtur një “mishmash” për shkak të bashkimit të diskutimit të raportit me një mocion tjetër.
Një tjetër pikë kritike e ngritur nga deputetja ishte mungesa në seancë e kryenegociatores së Shqipërisë me Bashkimin Evropian. “Si mundet që ne të diskutojmë për raportin e integrimit kur ajo që ka raportuar në komision nuk është sot këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve?”, tha ajo.
Albana Vokshi: Unë nuk mendoj që ka seancë më të rëndësishme sesa kjo e sotmja, ku u diskutohet raporti për procesin e integrimit. Është ajo busulla që 90% e qytetarëve shqiptarë duan që të shkojnë sa më shpejt, sa më parë. Ndërkohë që ju keni bërë një mishmash me rendin e ditës, keni bashkuar një mocion me raportin, që unë nuk e di se çfarë lidhje ka, përveç faktit që çdo gjë në Shqipëri kontrollohet nga krimi, kontrollohet nga bandat, nga kartelet e drogës, kjo është e përbashkëta. Por raporti, diskutimi për raportin e integrimit duhej bërë më vete. Sikurse dhe rezoluta duhet të kishte diskutim më vete. Pra, pse na e keni bashkuar mocionin me raportin vjetor të integrimit? Unë këtë nuk e kuptoj. Pesë orët sot duhet të ishin vetëm për raportin, për raportin vjetor. Ajo është çështja më e rëndësishme.
E dyta, ku është kryenegociatorja? Si mundet që neve të diskutojmë për raportin e e integrimit, kur ajo që ka raportuar në komision duhet të ishte sot këtu dhe t’i përgjigjej, nëse ka, secilës pyetje të deputetëve apo shqetësimi. Dhe e fundit, ku është kryeministri Edi Rama? Kur ai nuk vjen sot, sepse e ka pasur pasaportën europiane vetëm me atë ka bërë fushatë, vetëm me atë ka mashtruar, gjithë fushatën.
Ku është kryeministri sot? A ka çështje më të rëndësishme sesa kjo seancë për raportin vjetor, për të parë se si Edi Rama, në vend që të progresonte drejt procesit të integrimit, na ka çuar shumë vite larg? Ai duhet të ishte sot këtu, nuk ka asnjë axhendë më të rëndësishme për kryeministrin, për ministrat sesa kjo seancë e sotme.
Mbylleni këtë seancë, thirrni kryeministrin, bëni pak pushim, thirrni kryeministrin dhe kryenegociatorët dhe të fillojë seanca. Përndryshe ç’a kuptimi ka kur kryeministri thotë, “flisni keq, flisni në anglisht”. Le të vijë të na flasi shqip për dëmin e madh që i ka bërë Shqipërisë, shqiptarëve dhe procesit të integrimit.
Faleminderit!




