Duan të më shembin shtëpinë’, qytetari: Do futem në grevë urie në Konsullatën e Milanos
I ftuar ditën e sotme në në lidhje Skype për ‘Kafe Shqeto’, në Syri Televizion qytetari Adem Rexhepi, denoncoi nga Italia se një firmë ndërtimi i ka hyrë me forcë në oborrin e shtëpisë, duke nisur punimet për një pallat, ndërsa akuzon Policinë e Shtetit për heshtje dhe mbrojtje të interesave të paligjshme.
Sipas dëshmisë së tij, gjithçka nisi kur kamionë dhe ekskavatorë u shfaqën në pronën e tij dhe nisën punimet brenda rrethimit të shtëpisë, praktikisht ngjitur me muret e banesës.
Ai tha se plani final është shembja e shtëpisë së tij, pasi ajo do të pengonte pamjen e pallatit të ri. “Mbas të mbarojë pallati, është plani për t’u shemb shtëpia, se s’do rrijë para pallateve”, shprehet ai.
Përballë kësaj situate, Rexhepi pohon se përgjigja nga organet ligjzbatuese ka qenë “heshtja”.
Më tej ai tha se Policia e Shtetit se po mbron “huligarkët dhe mafien” dhe se po manipulon provat. Ai tregon se asnjëherë nuk është kontaktuar nga firma ndërtuese për një zgjidhje apo kompensim, ndërsa shefi i komisariatit, i ka thënë se “nuk ka rëndësi kush është firma”.
Kjo situatë ka pasur një kosto të rëndë njerëzore për familjen e tij. Ai tregon se prindërit e tij të moshuar kanë përjetuar “terror”, duke përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike dhe incidente ku babai i tij është shoqëruar nga policia, ndërsa nëna është penguar të hyjë në shtëpinë e saj.
Deklarata e plotë:
“Me datë pesë janë shfaqur kamionët dhe ekskavatorët, kanë hyrë në shtëpi. Nuk kam asnjë problem ta them këtë. Ne i kemi të gjitha faktet: projektet i bëjnë vetë, lejet i firmosin vetë. Besoj se nuk ka më nevojë të nxjerrin letra, sepse i kemi denoncuar live pa leje ndërtimi.
Shtëpinë, po të donin ta shembnin, do ta kishin shembur menjëherë dhe puna do kishte mbaruar. Por plani është që pasi të përfundojë pallati, atëherë të shembet shtëpia, sepse nuk duan të qëndrojë përpara pallateve.
Unë doja të merresha me fenomenin, jo me shtëpinë time. Historinë e shtëpisë time tashmë e ka marrë vesh e gjithë Shqipëria.
Mamin dhe babin i solla këtu në Itali, sepse kush do t’i ruante atje? Nëna ime donte të ikte nga shtëpia e shkreta, sepse u kishin hequr dritat. Ndërkohë, ajo i kishte paguar faturat e energjisë rregullisht. Ua hoqën dritat që të mos shihnin çfarë po ndodhte.
Ata dy pleq të shkretë kanë parë terror. Terror të vërtetë. Morën babin dhe e shoqëruan në polici. Ndërsa nëna ime tentoi të futej në shtëpi dhe të mbyllej brenda. Ajo kishte çelësat jashtë, por policët e kapën.
Unë kam kërkuar informacion dhe do ta sjell edhe me video. Shefi i komisariatit thotë se nuk ka rëndësi kush është firma. Në videon ku policët flasin me plakën, ajo pyet: ‘Kush më ka denoncuar? Kush jua solli denoncimin?’ dhe ata i përgjigjen: ‘Nuk e dimë.’
Kjo është një taktikë, Flavio. Sulmohet shtëpia që unë të rri urtë dhe të mos kërkoj pjesën tjetër të trashëgimisë që i takon nënës time.
Policia e Shtetit është e gjitha në mbrojtje të huliganëve, të mafias. Nuk e di, është absurde. Heqin letra, bëjnë letra sipas interesit të tyre.
Te deklarata që ka nxjerrë policia më datë 24.03, mamaja ime në atë kohë ka qenë këtu në Itali. Ajo shkoi në shtëpi sepse i kishin thyer sahatin e energjisë dhe ia kishin hedhur përtokë, por këtë nuk e kanë përfshirë në deklaratë. Kanë përmendur vetëm çështjen e pronësisë.
Nuk e kuptoj. Manipulohen provat nga policia, e cila duhet të na mbrojë dhe të kërkojë të vërtetën për qytetarët. Dhe kjo nuk ndodh vetëm tek ne; është bërë fenomen.
Pyetje: ‘A është ky fundi i rezistencës tënde, Rexhep?’
Jo, jo. Pikërisht për këtë arsye ju kontaktova. Ju më keni përkrahur në ditët më të vështira. Tre ditë dhe tetë ditë, gjithsej 11 ditë para SPAK-ut, aty kanë qenë të gjitha televizionet.
Falënderoj edhe avokatin, të cilin as nuk e njoh e as nuk më njeh, por që u ofrua të ndihmojë. Më datë 20, unë dhe nëna ime do të jemi përpara konsullatës në Milano për grevë. Nuk kam më asnjë mundësi tjetër.”




