Pano: Tiranasit nuk po thithin ajër, po thithin blozë, plumbi 7 herë mbi normën e OBSH
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Demokratike, Jonathan Pano, hodhi akuza të forta pas mbledhjes së këshillit, duke denoncuar njëkohësisht censurën ndaj opozitës dhe nivele tronditëse ndotjeje të ajrit në kryeqytet, të dokumentuara në një raport të miratuar nga vetë Bashkia.
‘Jemi në një situatë kaotike në Bashkinë e Tiranës
Këshilli Bashkiak është në një mosfunksionim total të tij dhe unë si këshilltar i Partisë Demokratike, i pari që mora fjalën time për të diskutuar dhe për të denoncuar me emra persona të cilët po abuzojnë në këtë qytet, duke marrë shkas edhe nga emisioni Piranjat i transmetuar në Syri Televizion me aferat që po ndodhin, me zënien e hapësirave publike në këtë qytet, mu ndërpre fjala, kamerat u mbyllën edhe kaloi direkt në votime.
Për të gjithë qytetarët e Tiranës, duhet të jenë koshientë që nuk po thithin më ajër, po po thithin blozë. Raporti i fundit nga Bashkia që u miratua sot në Këshillin Bashkiak, nxjerr nivelet e plumbit shtatë herë më të larta sesa niveli maksimal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Niveli i plumbit që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në problemet zhvillimore tek fëmijët dhe gjithashtu në infertilitet tek të rinjtë. Gjithashtu niveli i pluhurit PM 2.5 dhe PM10, që janë nga shtatë deri në 14 herë më të larta sesa niveli maksimal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Dhe gjithsesi kemi raporte të tjera të financuara nga organizata ndërkombëtare që thonë që ajri është rreth 160 herë më i ndotur sesa niveli maksimal i OBSH-së i lejuar dhe këtë ajër ne po e thithim çdo ditë. Jemi në një pikë ku jemi përtej tendave politike, përtej majtas apo djathtas.
Në këtë qytet po jetojmë të gjithë. Ky është qyteti që ne kemi vendosur të krijojmë familjet tona, kemi vendosur të krijojmë të ardhmen tonë dhe të rrisim fëmijët tanë në këtë vend dhe e vërteta është që ne po i helmojmë ata çdo ditë.
Kemi nevojë për transparencë, kemi nevojë që zëri i qytetarëve dhe zëri i opozitarëve dhe Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të dëgjohet dhe mjaft më me censurime dhe mjaft më me diktaturë brenda Këshillit Bashkiak të Tiranës, tha Jonathan Pano në deklaratën e tij.




