Integrim në BE pa opozitën, Marta Kosit i tërheqin veshin në Bruksel

Letra e David McAllister ndaj Marta Kos sinjalizon se në Bruksel kanë nisur dyshimet se procesi i integrimit të Shqipërisë po administrohet nga mazhoranca në mënyrë të njëanshme, me opozitën të përjashtuar nga negociatat, kontrolli parlamentar dhe rrjedha reale e informacionit.

Në Bruksel kanë nisur të shfaqen dyshimet për mënyrën se si po administrohet procesi i integrimit në Tiranë. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister i ka dërguar Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, një letër në të cilën transmeton shqetësimet e opozitës shqiptare se po përjashtohet nga një proces që nuk duhet të jetë partiak, por kombëtar.

McAllister i tërheq vëmendjen Komisionit Europian për një element që deri tani duket se është trajtuar më shumë si çështje periferike: përjashtimin gradual të opozitës shqiptare nga procesi i integrimit, në bazë të së cilit qëndron filozofia mbi të cilën funksionon zgjerimi europian, që teorikisht bazohet tek konsensusi politik, kontrolli parlamentar dhe përfshirja demokratike.

Shqetësimi i McAllister vjen pas një letre të deputetes së PD-së Jorida Tabaku, e cila përshkruan një panoramë ku opozita, shoqëria civile dhe publiku mbahen larg informacionit mbi negociatat me Bashkimin Europian, ndërsa qeveria kontrollon pothuajse e vetme rrjedhën e procesit.

Në letrën e saj, Tabaku pretendon se Këshilli i Ministrave nuk informon rregullisht parlamentin mbi ecurinë e negociatave, përdorimin e fondeve europiane dhe reformat e lidhura me integrimin, ndërsa projektligjet dhe dokumentet e rëndësishme ndahen në mënyrë jo transparente dhe jo gjithëpërfshirëse.

Në këtë pikë, ndërhyn kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, McAllister. Në letrën drejtuar Marta Kos, ai ngre dy pyetje që në gjuhën diplomatike të Brukselit mund të konsiderohen edhe si një tërheqje veshi për komisionin europian.

“1. Cili është vlerësimi i Komisionit Europian për bashkëpunimin aktual ndërmjet qeverisë dhe opozitës parlamentare në Shqipëri?

2. Si mund të garantojë Komisioni Europian që opozita shqiptare të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e saj themelore dhe të përmbushë funksionin e saj si institucion kontrolli?” pyet McAllister.

Në praktikë, kjo do të thotë se Komisionit Europian po i kërkohet të shohë përtej statistikave triumfaliste mbi hapjen e kapitujve dhe përparimin teknik të negociatave.

Sepse ndërsa qeveria shqiptare dhe negociatorët e saj flasin për “ritëm rekord” dhe “fazë përmbyllëse” të integrimit, në Parlamentin Europian duan ta gërvishtin këtë fasadë suksesesh për të parë realisht atë që ndodh.

“Kam besim,- shkruan McAllister,- se ju po e monitoroni nga afër gjendjen e demokracisë shqiptare” duke e paralajmëruar Marta Kos se mbetet e rëndësishme që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të ndjekë logjikën themelore të të qenit një proces i bazuar në meritë dhe në standardet më të larta të integritetit. “Çdo devijim nga kjo qasje mbart rrezikun e dëmtimit dhe minimit të besueshmërisë së rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian” shton ai.

Në fakt, mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian ka konfirmuar shqetësimet në letrën e McAllister, pasi opozita nuk ishte aty.

Më herët, opozita është ankuar vazhdimisht për margjinalizim në procesin e integrimit. Debatet kanë nisur që me mënyrën e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian dhe me tentativat e mazhorancës për të kontrolluar strukturat parlamentare që tradicionalisht kanë pasur rol konsensual.

Në këtë atmosferë, ndërsa Komisioni Europian dhe Marta Kos po e trajtojnë Shqipërinë si një vend “pararojë” të zgjerimit, mbetet ende e pasqaruar për publikun se pse ka ngecur në vend procesi i miratimit të IBAR-it dhe hapja e kapitujve.

Letra e plotë e David McAllister për kryetaren e Komisionit Europian, Marta Kos

E nderuar Komisionere,

E nderuar Marta Kos,

Së fundmi, kam marrë një letër nga znj. Jorida Tabaku, anëtare e Parlamentit të Shqipërisë dhe bashkëkryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian të Shqipërisë.

Në letrën e saj, znj. Tabaku përshkruan mangësi serioze brenda sistemit parlamentar shqiptar. Sipas saj, opozita shqiptare, shoqëria civile dhe publiku i gjerë janë kryesisht të përjashtuar nga rrjedhat kryesore të informacionit lidhur me perspektivën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Znj. Tabaku thekson se shqetësimi i saj kryesor lidhet me mënyrën jo në kohë dhe jo gjithëpërfshirëse me të cilën qeveria ndan propozimet legjislative, si edhe me mungesën e përgjithshme të konsultimit me Parlamentin shqiptar. Më tej, ajo pretendon se Këshilli i Ministrave i Shqipërisë nuk po përmbush detyrimin për të informuar rregullisht Parlamentin kombëtar mbi progresin e negociatave të anëtarësimit, përdorimin e fondeve të BE-së dhe zbatimin e reformave që lidhen me integrimin.

Znj. Tabaku arrin në përfundimin se këto dinamika jo vetëm që sjellin një debat publik të kufizuar mbi zgjerimin, por edhe një kufizim të përgjithshëm të rolit të Parlamentit shqiptar si institucion kushtetues i mbikëqyrjes dhe kontrollit demokratik. Ajo shpreh shqetësimin se zhvillimet aktuale mund të çojnë drejt një procesi integrimi të drejtuar vetëm nga ekzekutivi, i cili përjashton opozitën dhe, për pasojë, vë në pikëpyetje mekanizmat bazë demokratikë.

Bazuar në letrën e saj, dëshiroj të shtroj pyetjet e mëposhtme:

1. Cili është vlerësimi i Komisionit Europian për bashkëpunimin aktual ndërmjet qeverisë dhe opozitës parlamentare në Shqipëri?
2. Si mund të garantojë Komisioni Europian që opozita shqiptare të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e saj themelore dhe të përmbushë funksionin e saj si institucion kontrolli?

Kam besim se ju po e monitoroni nga afër gjendjen e demokracisë shqiptare. Si një “vend pararojë”, është me rëndësi thelbësore që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të ndjekë logjikën themelore të të qenit një proces i bazuar në meritë dhe në standardet më të larta të integritetit. Çdo devijim nga kjo qasje mbart rrezikun e dëmtimit dhe minimit të besueshmërisë së rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Me këtë në mendje, dëshiroj t’ju falënderoj për angazhimin tuaj të vazhdueshëm ndaj proceseve të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Lapsi.al

Share it :