Ajri i helmuar i Tiranës, Pano: Të dhënat janë tronditëse, rrezik serioz për shëndetin e banorëve
Cilësia e ajrit në Tiranë ka arritur nivele alarmante, duke e kthyer atë në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve. Sipas të dhënave të diskutuara nga anëtari i Këshillit Bashkiak, Jonathan Pano gjate një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri tv, një studim i porositur nga vetë Bashkia e Tiranës zbulon një panoramë dramatike të ndotjes, e cila po “helmon” qytetarët, fëmijët dhe prindërit e tyre.
Studimi, për të cilin është paguar një shumë prej 150,000 eurosh, tregon se grimcat e rrezikshme në ajër i tejkalojnë shumëfish normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH
Gjatë bisedës më moderatorin Flavio Qarri, Pano tha se “veçanërisht shqetësues është niveli i plumbit në ajër, i cili rezulton të jetë 7 herë më i lartë se norma maksimale e OBSH-së Sipas tij, ekspozimi ndaj plumbit lidhet drejtpërdrejt me pasoja të rënda shëndetësore, si infertiliteti, problemet neurologjike dhe çrregullime në zhvillimin e fëmijëve, përfshirë lidhjet me autizmin. Kjo situatë, thekson ai, nuk po dëmton vetëm brezin aktual, por po “vret fertilitetin e të rinjve”, duke rrezikuar brezin e ardhshëm.
Ndërkohë, masat e propozuara nga Bashkia në raportin e saj të parë për cilësinë e ajrit pas 13 vitesh në drejtim, cilësohen si “rekomandime ChatGPT”. Sugjerime të përgjithshme si “menaxhimi i trafikut” apo “menaxhimi i ndërtimeve” konsiderohen jo-serioze përballë një krize të tillë. Propozimi për zona me trafik të kufizuar (ZTL) shihet si i pazbatueshëm në kushtet kur transporti publik i Tiranës është ndër më të dobëtit në Evropë dhe autobusët aktualë janë vetë ndotës madhorë.
Flavio Qarri: Edhe pse kemi të bëjmë me një vrasës serioz, duket se cilësinë e ajrit e lëmë gjithmonë në fund për ta diskutuar dhe sigurisht pa ndonjë vëmendje të madhe. Megjithatë, përmasa është dramatike, situata është tragjike dhe masat e marra janë simpatike, për mos thënë qesharake. Por kur sheh të dhënat e studimeve, di që ti ke dhe disponon të dhëna gjithashtu të tjera shtesë. Cila është ndjesia e parë që merr? Flas personalisht.
Jonathan Pano: Është një vend ku unë nuk do të doja të rrisja fëmijët e mi këtu. Realisht. Sepse, pjesa e ndotjes së ajrit ne jemi të gjithë koshientë që vendet në zhvillim do të kenë ndotje ajri, është gjë normale. Ke ndërtime, ke makina, ke një zhvillim konstant dhe aty ku ka zhvillim do të ketë edhe ndotje. Por kur ne shikojmë këto të dhënat, dhe tani janë të dhëna të pranuara vetë nga Bashkia e Tiranës me raportin e fundit që ka dalë, ne jemi duke helmuar veten tonë, prindërit tanë dhe fëmijët tanë.
Flavio Qarri: Pra këtu nuk shpëton njeri.
Jonathan Pano: Pra këtu nuk shpëton asnjeri. Dhe këtu shpëton Erion Veliaj që ka ndërruar rezidencën është në Durrës. Ndërsa ne të tjerët jemi në nivele alarmante. Ndërkohë që po vija tek studioja juaj këtu, hap pak xhamin e makinës, vjen era gjithë astiri, çdo mëngjes vjen era qelbsirë. Dhe pse, nga vjen kjo? Besoj që të gjithë ne tani e dimë se çfarë po ndodh me landfillin e Sharrës dhe me një incenerator i cili nuk ekziston. Por sërish, fondet vazhdojnë dhe po jepen dhe ne po i paguajmë si qytetarë të Tiranës fondet për inceneratorin, ndërkohë që incenerator nuk ka. Është bërë një studim, është nënkontraktuar një kompani që ka marrë një shumë të vogël prej 150.000 eurosh për të bërë një raport.
Flavio Qarri: Modest.
Jonathan Pano: Modest. Dhe ka bërë një raport të 2025-ës për cilësinë e ajrit në Tiranë. Pa dashur të sulmojë raportin në vetvete sepse ka shumë gabime metodologjike. Pra mungojnë emrat e autorëve, mungon metodologjia si është bërë matja, mungojnë shumë të dhëna të tjera. Ka nxjerrë disa të dhëna shumë interesante. Dhe kanë bërë matje në 12 pika nëpër Tiranë, por për fat ose çuditërisht, paskan harruar që të masin zonën e Kombinatit, Vaqarrit, Sharrës, Astirit… Këto rrotull, rrotull landfillit. Dhe të dhënat dalin që PM10, ne e kemi shtatë herë mbi nivelin maksimal të OBSH-së, që janë këto grimcat më të mëdhaja.
Dhe ka një disproporcion mes OBSH-së dhe Bashkimit Evropian përsa i përket masave dhe nivelit të matjes, por për aq kohë ne si shtet anëtar i OBSH-së duhet të marrim ato nivele, sepse ende nuk jemi në Bashkimin Evropian. Shtatë herë më të larta. Kemi PM 2.5 që sapo u përmend tani, që janë këto grimcat e vogla, të imta që futen dhe depërtojnë edhe në gjak, që i kemi deri në 14 herë më të larta dhe gjithashtu kemi një nivel alarmant të plumbit. Plumbi që na vjen gjithashtu nga makinat, masa maksimale e lejuar nga OBSH-ja është 0.5 mikrogram/m³, ne jemi në nivelet e 3.51 mikrogram/m³.
Flavio Qarri: Shtatë herë më shumë.
Jonathan Pano: Shtatë herë më shumë. Dhe plumbi është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me infertilitet. Lidhur me zhvillimin e fëmijëve. Pra ndikon, kanë gjetur lidhje me autizmin. Dhe me problemet neurologjike tek personat. Eshtë shumë serioze. Përveç se po helmojmë njerëzit që janë këtu, ne po ndikojmë dhe në brezin e ardhshëm, sepse po vrasim fertilitetin e të rinjve. Po ndikojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndërprerjen e shtatzanive dhe për çfarë? Për shkak të ajrit dhe këtu nuk shpëton as demokrat, as socialist. Pra këtu bëhet ndarja komplet mes ndarjeve partiake apo ndarjeve të tjera sepse të gjithë ne po jetojmë në të njëjtin qytet….




