Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka kryer verifikim të plotë për Dekriminalizimin e të paktën 12 kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, gjatë vitit 2025.
Ky fakt i rëndë përmendet në Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm për Gjendjen e Kriminalitetit për vitin e kaluar.
Në seksionin që lidhet me rezultatet në procesin e verifikimit të integritetit të zyrtarëve të lartë thuhet se KED-i ka përcjellë një kërkesë për verifikimin e kandidatëve, por pa e shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Për më tepër, siç thuhet në dokumentin e nënshkruar nga kryeprokurori Olsian Çela, “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk plotësoi të metat e evidentuara, edhe pas komunikimit shkresor”.
Përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin e KED-it për vitin e kaluar, Sokol Sadushi, i cili është njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Lartë.
Të dhënat e përcjella nga Prokuroria në Parlament i shtojnë akoma më shumë dyshimet mbi një proces me shumë pikëpyetje, të ndjekur dhe zhvilluar nga Sadushi, për plotësimin e dy vakancave, të krijuara nga largimi i ish-kryetares, Holta Zaçaj dhe gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska.
Gjatë drejtimit të Sadushit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vendos në një kurs përplasjeje të fortë me Gjykatën Kushtetuese, por edhe me Parlamentin e Shqipërisë. Nëpërmjet mekanizmave ekstra-ligjorë, por edhe presionit publik, Sokol Sadushi arriti të ndërpresë në mënyrë jo-kushtetuese kohëzgjatjen e mandateve të dy gjyqtareve.
Gjithashtu, Sadushi, gjatë mandatit të tij në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nxiti Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, që të niste procedurën anti-kushtetuese për shpalljen si të përkohshëm të mandatit të plotë 9-vjeçar të gjyqtares Sonila Bejtja, një proces që u finalizua në Tetor 2025.
Por, ndërkohë që Sadushi, si kreu i KED-it, reklamonte betejën e tij si një mjet për t’iu përmbajtur Kushtetutës, në fakt ai vetë e ka shkelur të gjithë procesin e Dekriminalizimit të kandidatëve për në Kushtetuese, siç konstaton hapur Prokurori i Përgjithshëm.

syri net




